Aleksandër Stavre Drenova, i njohur në letërsinë tonë me pseudonimin Asdreni, lindi në fshatin Drenovë të Korçës më 1872, 150 vjet më parë.
Mësimet e para i mori në Korçë. Që në moshën trembëdhjetëvjeçare shkoi në kurbet, në Rumani, lidhet me lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të Bukureshtit dhe bëhet një nga përfaqësuesit më të shquar të saj. Në vitin 1900 filloi të botojë vjershat e tij të para në shtyp dhe të bëhet i njohur si talent i ri që premtonte. Poeti i ri është nën ndikimin e Naimit.
Në të njëjtën kohë Asdreni botoi në shtyp artikuj me formë të përparuar demokratike dhe antifeudale. Më 1904 botoi vëllimin me poezi “Rreze dielli”, që do të pritej mirë nga lexuesi dhe nga shtypi dhe do të përshëndetet nga Çajupi me fjalët entuziaste: “Tani besoj se Naim beu nuk vdiq, se vendin që la ai bosh e zure ti”.
Asdreni u bë një nga udhëheqësit e lëvizjes atdhetare ndër shqiptarët e Rumanisë. Ai çeli një shkollë shqipe në Kostancë për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, pasqyroi në shkrimet e veta ngjarjet e Shqipërisë, mblodhi ndihma për kryengritësit e Kosovës, bashkëpunoi me Nolin për shkëputjen e kishës shqiptare nga kisha greke, ishte sekretar i mbledhjes së Bukureshtit që e kryesonte Ismail Qemali në vjeshtë të vitit 1912 dhe ku u vendos shpallja e menjëhershme e Pavarësisë. Jo më kot, pikërisht në atë vit, del në dritë vëllimi i dytë me vjersha i Asdrenit “Ëndërra dhe lotë”, ku shfaqet plotësisht talenti i tij dhe që solli një ndihmesë të shquar në letërsinë shqiptare të Rilindjes.
Asdreni u bë i njohur si publicist, por ishte edhe autor tekstesh shkollore e përkthyes. Po ai, para së gjithash, mbetet në letërsinë tonë si një poet që me vargjet e shumta dinamike dhe njëkohësisht të thjeshta, kanë një forcë komunikuese të veçantë.
Himni i Flamurit është himni kombëtar i Shqipërisë që nga shpallja e pavarësisë më 1912. Himni, shkruar nga Aleksandër Stavre Drenova, njihet zyrtarisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si Himni i Flamurit.
Sipas Lagush Poradecit, ky u zgjodh si himni i Shqipërisë sepse: “… kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë…”. Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mbi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare. “Himni i Flamurit” ështe i vetmi himn në botë që i kushtohet simbolit të flamurit./akses.al
Himni i Flamurit
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.
Në dorë armët do t’i mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne si ndajmë,
Këtu armiqtë s
kanë vend.
Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të, luftojmë ne.