Një nga zhvillimet ku Shqipëria postkomuniste u përplas me Perëndimit, ishte edhe thyerja e embargos së naftës që OKB i kishte vendosur Jugosllavisë së Sllobodan Milosheviçit. Në librin e Mero Bazes, “Republika e Parë”, thyerja e embargos trajtohet edhe parë nga sinjalet që vinin nga udhëheqësia politike e Kosovës. Në këtë pjesë të librit që po botohet sot, tregohet sesi Sali Berisha tentoi të implikojë me makinacione dezinformimi edhe Ibrahim Rugovën në këtë çështje, por që ka pasur reagim në një lloj forme nga Prishtina, për të shprehur kundërshtinë dhe pezmin për këtë zhvillim, i cili rrezikonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin.

Nga Mero Baze

Kontrabanda e naftës nga Shqipëria në Jugosllavi dhe ftohja e Berishës me SHBA

Raportet e mira të Ibrahim Rugovës me administratën e SHBA dhe fillimi i problemeve të Berishës me SHBA, u bënë një arsye më shumë që të niste një ndarje e heshtur mes tyre. Një prej çështjeve ishte kontrabanda e naftës nga Shqipëria në Mal të Zi, pastaj direkt për ushtrinë jugosllave. Sali Berisha ftoi në Tiranë presidentin e Malit të Zi dhe ranë dakord që kufiri verior i Shqipërisë me Malin e Zi, të ishte zonë ku askush nuk do të shikonte çfarë ndodhte.

Për të kontrolluar kontrabandën nga pala shqiptare, Sali Berisha angazhoi kompaninë zyrtare të biznesit të Partisë Demokratike “Shqiponja”, eksportuesja kryesore e naftës që thyente embargon. Rugova dhe Bukoshi nuk u përzienë në këtë debat. Ata e kishin Shqipërinë aleatin e tyre më të sigurt dhe nuk ia vlente të rrezikonin duke qortuar për thyerjen e embargos që justifikohej me nevojën e bujqve të Kosovës për naftë.

Kontrabanda nga Shqipëria u evidentua për herë të parë zyrtarisht në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit të vitit 1994. Berisha filloi të reagojë. Në shtypin e Partisë Demokratike u sulmua Carl Siebentritt, një diplomat i ambasadës së SHBA në Tiranë, të cilin Berisha në rrethin e ngushtë e fajësoi si autor të raporteve kundër tij. Për ta bërë më bindës një armik, Berisha i gjente gjithkujt ose një të dashur, ose një dosje. Atij i gjeti një të dashur shqiptare. Më pas Siebentritt u largua nga Shqipëria dhe iu bashkëngjit ekipit të Chris Hill në Maqedoni dhe rajon.

Pëllumb Kulla, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, ku ky shqetësim kishte mbërritur, tregon përpjekjet e Berishës për ta mbuluar kontrabandën e naftës duke arsyetuar se nuk mund të vrisnin fshatarët që çonin ushqime dhe naftë andej e këtej kufirit. Ky ishte versioni i parë i Berishës. Më pas tha se i kishin kërkuar liderët e Kosovës të lejohej nafta për traktorët e zetorët, se bujqësia ishte në krizë. Natyrisht kjo ishte një gënjeshtër e trashë, po të kemi parasysh se në atë kohë Rugova qeveriste vetëm zyrën e tij tridhjetë metra katrorë, ndërsa te dera kishte policin serb. Territorin në Kosovë e kontrollonte Serbia. Aq më tepër që nafta nuk mund të shkonte në Kosovë nëpërmjet Malit të Zi. E gjitha tregon vetëm përpjekjet e Berishës për ta fshehur të vërtetën e hidhur që trafiku i naftës bëhej nga sasia që importonte zyrtarisht kompania e biznesit “Shqiponja”, pronë e Partisë Demokratike.

Në librin me kujtime “Rregullat e heshtjes”, ish-presidenti malazez, Momir Bulatović ka pranuar që ka pasur një marrëveshje verbale mes tij dhe Berishës për thyerjen e embargos së naftës. Skandali që pasoi botimin e kësaj dëshmie, zgjati pak. Në një intervistë në TV “Vijesti”, Bulatović pranon se pas dakordësisë me Sali Berishën, kanë thyer embargon. Momir Bulatović: “Unë shkova në Shqipëri dhe e luta Berishën t’i mshelë sytë, të fillohet kontrabanda, të shkelen sanksionet ndërkombëtare, të përfitojnë njerëzit para. Dhe e bëmë sistemin të funksiononte ashtu..”

Berisha vetë, më 30 nëntor 2006, i pyetur drejtpërdrejt për pohimet e Bulatović, bëri një nga ato akrobacitë e veta duke e pranuar në fakt skandalin, shoqëruar me frazën e çuditshme “në total, OKB që mbikëqyrte embargon, arriti në përfundimin se vetëm 4% i përkisnin asaj që rridhte nga Shqipëria.”(!)

OKB ka thënë të kundërtën. Antonio Napolitano, koordinatori i Bashkimit Evropian dhe OSBE për sanksionet, pohonte: “Sasia me të cilën e furnizon Shqipëria, është shumë here më e madhe se sasia totale e karburantit kontrabandë që vjen nga vendet e tjera.”

Raporti i parë serioz për naftën ishte i agjencisë së lajmeve amerikane, “Associated Press”, në tetor të vitit 1994. Në një reportazh me plot detaje, gazetari përshkruan skenën e Liqenit të Shkodrës ku nafta kalonte nëpërmjet cisternave artizanale, në anën tjetër të Liqenit. “Gazolina transportohet me varka të vjetra, lundra me rrema që ngarkohen me fuçi, e po ashtu edhe me tubacione të improvizuara nënujore që rrjedhin… Në stacionin lokal të trenit, vagonët cisterna të boshatisur futen në një tunel për të kaluar kufirin me Shqipërinë që zyrtarisht është i mbyllur. Por disa orë më pas, ata kthehen sërish të mbushur me gazolinë. Raportimet e mediave të pavarura lokale tregonin se qeveria e Malit të Zi gjeneronte 700.000 dollarë në ditë nga kontrabanda e naftës, duke qenë ky burimi kryesor i të ardhurave për të.

Një raport që përmbysi tërësisht imazhin e Shqipërisë në këtë histori, ishte artikulli i “New York Times”, i datës 2 prill 1995, me titullin “Serbia furnizohet me karburant kontrabandë nga Shqipëria pavarësisht embargos.” Raporti ishte i detajuar, duke dëshmuar për sasinë ditore të furnizimit nga Shqipëria, raportet e OKB për këtë kontrabandë, deklaratat e gënjeshtërta të presidentit Berisha dhe pasojat në front.

Në artikull shkruhej: “SHBA vazhdimisht i ka shprehur shqetësimin e saj qeverisë shqiptare në lidhje me tregtinë që sipas monitoruesve të sanksioneve në Evropë, ndonjëherë arrin deri në 3.700 000 litra në ditë. Gjatë një segmenti rrugor plot gropa, me gjatësi afro 30 km që përshkon vijën e liqenit, ndodhen afro njëzet pika karburanti, cisternat nëntokësore të të cilave mund të mbajnë deri në 2.000.000 litra karburant, ndërkohë që po ndërtohen pika të tjera të tilla.” Artikulli dëshmonte diferencën mes deklarimeve në dogana dhe shitjes në terren. “Sipas të dhënave nga drejtoria e doganave shqiptare, gjatë dy javëve të para të shkurtit, në Shqipëri janë importuar afro 16.000.000 litra karburant, përfshi këtu 6.000.000 litra gazolinë. Sipas përllogaritjeve bërë nga policia shqiptare, gjatë dhjetë ditëve të fundit të shkurtit, 450.000 litra karburant në ditë janë transportuar në veri të Shqipërisë me kamionë, por diplomatë perëndimorë thonë se kjo shifër është shumë herë më e lartë.”

Artikulli u botua më 3 prill nga e përditshmja “Rilindja” që dilte në Tiranë, si botim i gazetës “Rilindja” të Kosovës. Korrespodenti i kësaj gazete në New York, Sulejman Gashi e kishte përkthyer dhe e kishte botuar si raport të huazuar nga “New York Times.” Sali Berisha u tërbua. Përplasja e parë e inatit të tij me gazetën mbërriti tek unë, pasi për gati dy vjet isha bërë si një farë avokati i tyre. Ky ishte rasti që Berisha të ma “kujtonte”se me kë kisha të bëja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here