Mes rreshtave të këtij letërkëmbimi, të cilën do ta publikojmë të plotë, ndihet vlerësimi tepër i veçantë i poetit për mirësinë dhe zemërgjerësinë e dr. Gjergj Pekmezit, dhe jo vetëm kaq, ai e quan të parin e veteranëve të atdheut.

Në kohën që eshtrat e Gjergj Pekmezit priten këto ditë të kthehen në atdhe, ku më 19 nëntor 2022, ora 10.00-12.00, do të mbahet një ceremoni në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për përcjelljen e fundme drejt vendlindjes, Pogradec, zbulojmë një letërkëmbim interesant të poetit të shquar Lasgush Poradeci (Llazar Gusho) me të.

Në nëntekstin e këtij letërkëmbimi, përveç qëllimit për të cilin është shkruar, hidhet më shumë dritë në vlerat dhe personalitetin e gjuhëtarit, etnologut, profesorit, bibliografit, diplomatit dhe përkthyesit Gjergj Pekmezi dhe për rolin ndikues që ka pasur në qeverinë shqiptare në vitin 1928, vit që siç përshkruhet nga Lasgush Poradeci ka qenë plot trazira shoqërore, të cilat ende nuk kanë mbaruar.

Pas 84 vjetësh eshtrat e Gjergj Pekmezit do të prehen në vendlindje

Letra e dërguar nga Lasgush Poradeci mban datën 30 gusht 1928, të cilën e nis me “dretiuar Dr. Pekmezi nga herrn Lazi Gusho, student në Graz, Austria”

Poeti i kërkon dr. Pekmezit që ta ndihmojë për ndërrimin e degës së studimeve, për të cilën i është dhënë bursa, dhe të vijojë për drejtësi, pasi aty e ndjen veten më mirë dhe më të dobishëm për t’i shërbyer vendit.

Mes rreshtave të këtij letërkëmbimi, të cilën do ta publikojmë të plotë, ndihet vlerësimi tepër i veçantë i poetit për mirësinë dhe zemërgjerësinë e dr. Pekmezit, por jo vetëm kaq, Lasgushi e vlerëson shumë më tepër duke quajtur të parin e veteranëve të atdheut: 

“Bëmani ju lutem, i dashur Zoti Doktor këtë lehtësirë – këtë mirësi – dhe mos dyshoni fare në karakterin t’im dhe në dëshirën e vërtetë për punë e përparim. Sillni gjithnjë ndërmënd se vepra e çlirimit dhe qytetërimit të Shqipërisë, e filluar me kujdes prej veteranëve nër radhët e para të të cilëve kini nderin të nëmërohi Z’Juaj, – mund të vazhdojë vetëm atëherë, kur çdo qytetar t’i përvishet punës me dëshirë të vërtetë për t’a shpënë në fund të pëlqyer. Me një të këtillë dëshirë marr përsipër t’i përvishem dhe unë punës s’ime sot dhe kam bindje të plotë në mirëpritjen dhe përkujdesjen e Z’uaj.” (Shkruar sipas origjinalit).

Letra e plotë dhe përgjigjja e dr. Gjergj Pekmezit sipas dokumentit origjinal:

Dr Pekmezi 

Bartensteingasse 2/6 

Wien I.

—–

Herrn Llazi Gusho

Stud. Phil

Graz Austria

Graz, 30 Gusht 1926

I nderuar e i dashur Zoti Doktor,

 Dyke Ju ngjatjetuar nga zemra, vij t’Ju bëj një lutje i bindur se do kem pëlqimin e Z’suaj: jam njeri i punës, këtë gjë e kam rrëfyer me prova dhe do t’a rrëfej paskëtaj, sa kohë që kam përpara meje një qëllim i cili m’i përshtatet temperamentit. Po ç’duhet bërë atëherë kur ky qëllim nuk rrjeth nga palca vetë e shpirtit t’im? Dhe ja se si: në vjeshtën e 1924 u pranuash bursier për në Gjermani, me objekt filologjinë në gjuhën shqipe. Kisha posibilitet të vazhdoj p.sh. Ëegand-in në Lajpzig. Gabimisht m’u dërgua bursë e studentëve të Austrisë. M’u thye kësisoj qëllimi që në vezën e tija. Sepse aq në Vienë sa dhe në Graz mungon gjer më sot katedra për gjuhën shqipe. Më së kot kërkova shpjegim në Tiranë: turbullimet e përditëshme ndaluan çdo përgjigje. Kështu studiova gjer më sot me të pahirë një lëndë që s’më që qëndron në zemër. Kur ishe në Vjenë u çudittë dhe Z. juaj për këtë gjë. Po ç’t’i bësh? Faji s’është imi. Gjithënjë kam dashur t’a ndreq punën, dhe asnjëherë s’kam patur kuxim nga shkaku i turbullimeve shoqërore. Shpresoja të kullohen punërat; kjo shpresë tashi është fakt – kam vendosur pra t’ju hap zemrën si një veteran i çështjes shqiptare përgjithësisht nuk do lini më një anë dhe çështjen t’ime: Unë nga shkaku i shkruar në fillim të kësaj letre, nuk mund të studioj më fillollogjinë, – qoftë klasike, qoftë romanike. Kaq dituri të thatë s’kam njohur gjer më sot. Shpirti, zemra dhe trupi vetë më janë bërë gur – dyke lidhur e zgjidhur fraza, dyke qepur e çqepur fjalë, dyke cimbisur shënja shkrimi shumë më të ftohta se sa akulli. Dëshëroj që sot e tutje të zbres shkallët e temperamentit të njoh vetë veten. Ju lutem nga fundi i shpirtit t’im të kini mirësinë të pranoni që të studioj drejtësinë. Është e vetëma që mund të bëj sot. Gëzimi më i madh do të ish literature – për të cilën z. juaj më pattë hequr vërrejtjën  përpara disa kohë kur isha në Vjenë. Për fat të keq tashi është tepët vonë. Sepse më një fakultet të filozofisë duhet që kandidati i “doktoruarë” duhet të ketë vazhduar 8 semestra. Gjë e cila mua më mungon. Për të shpëtuar nga fillollogjia s’kam ç’të bëj përveçe të përqafoj drejtësinë – këtë dituri të normave që është pothuajse dituri fjalësh. Po fjalësh të frymëzuara me erën e lirisë njerëzore, liri e cila gjith, dyke mos u larguar nga arësyeja vetë e ku shpesh herë humanizmi jetëprurës hyn në fund të ndjenjave të zemrës s’onë.

Transferimi për në fakultetin e e Drejtësisë është plot lehtësim; më një anë më njihen 2 simestra të filozofisë, më anën tjetër kam të drejtën të jap në vitin shkollor që vjen (Tetor 1926-Korrik 1927) provime për dy vjet, dëftesat kam për t’j-a u dërguar pikërisht në datën e duhur. Bëma-ni ju lutem, i dashur Zoti Doktor këtë lehtësirë – këtë mirësi – dhe mos dyshoni fare në karakterin t’im dhe në dëshirën e vërtetë për punë e përparim. Sillni gjithnjë ndërmënd se vepra e çlirimit dhe qytetërimit të Shqipërisë, e filluar me kujdes prej veteranëve nër radhët e para të të cilëve kini nderin të nëmërohi Z’Juaj, – mund të vazhdojë vetëm atëherë, kur çdo qytetar t’i përvishet punës me dëshirë të vërtetë për t’a shpënë në fund të pëlqyer. Me një të këtillë dëshirë marr përsipër t’i përvishem dhe unë punës s’ime sot dhe kam bindje të plotë në mirëpritjen dhe përkujdesjen e Z’uaj. Ju jipni të fala Z.njës Dr Pekmezi, i puth dorën e djathtë me nder të math.

P.S.

Këtu mbyllur marr lejë t’ju dërgoj një k.p., me lutje për përgjigje të shpejtë, dyke patur qëllim të vi në Vienë për çdo çështjen t’ime.

Juaji me nder dhe mirënjohje L. Gusho

*

Pëgjigjja e dr.Gjergj Pekmezit

Herrn Llazi Gusho

Stud. Phil 

Bartersteingasse 2/6

Graz

Austria Wien, I

——-

Dr Pekmezi

Vjenë, 31/VIII.28

 Djali im i dashur,

 Tashi e mora letrën tënde të dashur, me të cilën po më dëften se nuk po je i kënaqur me degën e shkencës së zgjedhur prej teje vetë. Unë me ndërrimin që do të bëjsh jam fare i kënaqur, e nuk kam asnjë kundërshtim, por mbasi kjo gjë varet vetëm prej drejtorisë së përgj jam i mendimit që të bëjsh ti një luteje përmbi këtë çështje e të m’a drejtojsh mua, të cilën me pëlqimin e dëshirës sate do t’ja drejtojë drejtorisë së përgj. Jam i gatshëm kurdoherë të të ndihmoj me sa më mundet.

Të falet me shendët Pekmezi.

*

Doktor Gjergj Pekmezi i shkruan sërish Lasgush Poradecit për përgjigjen përfundimtare të kërkesës së tij:

Herrn Llazi Gusho

Graz, Wien I

Stud. Phil /Bartersteingasse 2/6

—–

Dr Pekmezi/ Austria Wien,

Vjenë, 8/X.28

Djali im i dashur,

 Ka disa ditë që kam marë një akt nga ana e drejtorisë së përgj. s’arësimit me të cilën më kanë dhënë urdhër që t’ja u bëj të njohur, se lutjen tënde për ndërimin e ndërimit të degës qi ndjek nuk u muar parasysh. Kur qe këtu Z. Safet Butka i ju luta që të t’a thotë vetë lajmin. Po më vjen shumë keq që nuk t’u mbush dëshira e po të dëshëroj vullnet të mirë për degën plakë. Ç’do rugë që të marish, po ndë Romë do të dalish.

Të falet me shëndet Pekmezi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here