SHKRUAN: BAJRAM MJEKU
Sabiha Kasimati është nxënësja e parë e Liceut të Korçës dhe biologia e parë shqiptare. Ishte bija e një mjeku me origjinë nga Libohova dhe u lind në vitin 1912 në Edrene të Turqisë.
Sabihaja në Liceun e Korçës ishte shoqe e klasës edhe me shkrimtaren e parë shqiptare, Musine Kokalari. Për ironinë e fatit, shokë klase ishin edhe me diktatorin shqiptar, Enver Hoxha.
Sabiha Kasimati është vetëm njëra nga shumë gra shqiptare, e cila ra viktimë e dinjitetit dhe bukurisë. Bashkëkohanikët dëshmojnë se diktatori Hoxha, jo rrallë i është vardisur vajzës së bukur e me dinjitet, refuzimi i së cilës ndolli hakmarrjen rreth tridhjetë vjet më vonë.
Në vitin 1936, Sabiha Kasimati fitoi bursë studimi nga Mbretëria shqiptare. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave të Biologjisë në Torino të Italisë dhe diplomoi me maksimumin (tridhjetë mbi tridhjetë me lavdërim), ndërsa doktoroi në vitin 1941.
Sabiha Kasimati e njohur për karakterin e saj dinjitoz, kur komunistët erdhën në pushtet, kërkoi takim me diktatorin shqiptar. E bëri përgjegjës kryesor për vrasjet e intelektualëve dhe krejt në fund e pyeti:
– Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me këpucarë e teneqexhinjë?!
Më 19 shkurt të vitit 1951, në hyrje të Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë plasi eksplozivi. Ishte pretekst që regjimi komunist të arrestonte intelektualët e kohës. Në mesin e 23 prej tyre ishte e vetmja femër; Sabiha Kasimati!
Vetëm shtatë ditë më vonë, Sabihaja dhe 22 intelektualë tjerë u dërguan për t’u ekzekutuar në afërsi të Urës së Beshirit në Tiranë. Sabiha Kasimatin 39 vjeçe, nuk e kapën plumbat e togës së pushkatimit! Këta të fundit të mllefosur e mbytën Sabihanë me kundakë të pushkëve.
Këtë postim e bëj në kujtim të dy grave të shquara, Sabiha Kasimati e Musine Kokalari. Ua dedikoj edhe mijëra grave e vajzave shqiptare, të cilat edhe sot bëjnë sakrificë të jashtëzakonshme për të ruajtur dinjitetin dhe bukurinë e tyre.
Foto: Sabiha Kasimati duke pozuar me veshje kombëtare në Studio Sotir në Korçë