Daut Dauti

Kjo fotografi historike quhet ‘An American Girl in Italy’ (Një vajzë amerikane në Itali) dhe është bërë në vitin 1951 në Firencë. Vajza amerikane 23 vjeçe, e quajtur Ninalee “Jinx” Craig, shihet duke e kaluar një ‘kordon’ të 15 burrave që e ngacmojnë me fjalë dhe gjeste. Kjo ka qenë koha kur nuk ka ekzistuar shprehja ‘ngacmim seksual’. Kjo fotografi është përdorur më vonë dhe përdoret edhe sot nga feministët për ta ilustruar poentën e ngacmimit seksual.

Ninalee “Jinx” Craig, e cila deri në vdekjen e saj (2018), kurrë nuk ka pranuar se është ngacmuar seksualisht në këtë foto dhe ka bërë kërkesa që kjo të mos përdoret për atë qëllim. Përgjegjja e saj zakonisht ka qenë:’nuk e kam ndje veten aspak në rrezik … jam kënaqur … çka pret tjetër femra kur kalon nëpër det mashkujsh’?

Në fakt, vajza duket e brengosur nga shikimet dhe me siguri edhe nga fjalët e këtyre burrave. Por, fotografia është përgatitur të jetë e tillë. Ajo që në të vërtetë ka ndodhur është se vajza ka kaluar mu mes këtyre burrave dhe aty ka qëlluar fotografja Ruth Orkin që e ka parë pamjen, por që nuk ka patur kohë të nxirrte aparatin. Prandaj, e ka lutur vajzën që ta përsëris skenën edhe një herë kurse burrat i ka porositur që ta bëjnë të njejtin veprim, por të mos shikojnë në drejtim të aparatit fotografik.

Prandaj, në një mënyrë ky është aktrim. Vajza ka menduar se duhet të duket e brengosur kurse burrat kanë menduar se duhet të jenë më aktivë me ngacmim.

Ruth dhe Ninalee janë njoftuar një ditë më herët në Itali dhe janë bërë shoqe. Ato kanë udhëtuar nëpër Evropë pa shoqërinë e askujt në një kohë kur ka qenë punë e pazakonshme për gratë që të udhëtojnë pa burra.

Sidoqoftë, në një revistë amerikane turistike kjo fotografi është botuar në vitin 1953 me titull “Don’t Be Afraid to Travel Alone” (mos ke frikë të udhëtosh vetëm). Por, fotografia ka qenë e redaktuar pasi që ai tipi që duket në krahun e djathtë të vajzës dhe që me dorë e mbanë të shtrënguar ‘at sendin’ mes këmbëve, ka qenë i hequr. Atëherë është menduar se është tepër kjo pamje për t’u botuar.

Por, edhe sikur të ishte botuar pa redaktim, nuk do të flitej për ngacmim seksual për shkak se kjo temë atëherë nuk ka ekzistuar sikur sot. Plus, vajza në foto gjithmonë e ka refuzuar emrimin e këtillë të këtij akti që shihet në këtë foto. Nëse vajza e ka mohuar ekzistimin e ngacmimit seksual, a duhet të tjerët të insistojnë:’Po, këtu ka ngacmim seksual?’

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here