Shumica e sistemeve aktuale të ruajtjes së të dhënave, një ditë do të ndalojnë së punuari.
Por a mund të ketë zgjidhje afatgjatë për këtë çështje dhe a do të kemi ne mundësinë për të ruajtur informacione të paktën deri në 1000 vjet? Në shtëpinë e saj në Paris, Dina Zielinski, një shkencëtare në Institutin Kombëtar Francez, ruan një provëz të vogël me një ADN të veçantë brenda.
ADN-ja nuk ka kodin e një gjenomi njerëzor, as të ndonjë kafshe apo virusi. Në vend të kësaj, ruan të dhënat digjitale të një muzeu. “Kjo do të zgjasë lehtësisht dhjetëra vjet, ndoshta qindra”, thotë Zielinski.
Dekadën e fundit, hulumtimi se si mund të ruajmë të dhënat digjitale brenda vargjeve të ADN-së, ka qenë një nga debatet kryesore në rrethet shkencore. Aktualisht, shkencëtarët kanë koduar filmat, librat dhe sisteme të tëra kompjuterike në ADN. Madje, platforma Netflix e ka përdorur këtë teknikë për të ruajtur një episod të serisë thriller, “Biohackers”. Prej kohësh, studiues nga mbarë bota po eksplorojnë forma se si mund t’i ruajnë të dhënat përgjithmonë në mënyrë efektive.
Disa shkencëtarë kanë tentuar të gdhendin informacionet në rruaza qelqi tepër të qëndrueshme, e ngjashme kjo teknikë me vizatimet e shpellave. Por sa kohë mund të ruhen këto informacione dhe a mund të jemi vërtet të sigurt në efektshmërinë e tyre? Shumë ekspertë po këmbëngulin se ADN-ja ofron një formë ruajtjeje tepër kompakte, të qëndrueshme dhe afatgjatë që mund të zëvendësojë format e shumta të mediave digjitale, të cilat një moment të caktuar mund të mos funksionojnë, si dhe kërkojnë sasi të mëdha energjie.
Marke Bathe, një profesor i inxhinierisë biologjike në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, është i mendimit se kërcënimet globale me të cilat përballet njerëzimi, na detyrojnë të ruajmë informacione nga çdo fushë, si arti dhe shkenca dhe gjithashtu ADN-në e të gjitha gjallesave në planet.
NËSE JETA DO TË RIKRIJOHEJ KËTU OSE DO TË TRANSFEROHEJ NË PLANETË TË TJERË, DO TË KISHTE REGJISTRIME DHE TË DHËNA TË RUAJTURA. NATYRA KA PËRDORUR ADN-NË PËR SHUMË MIJËVJEÇARË PËR TË RUAJTUR INFORMACIONIN NË FORMËN E GJENOMIT. ADN-JA ËSHTË NJË MAGAZINË E VËRTET INFORMACIONI, NË NJË MASË TË PAKRAHASUESHME ME ASNJË PAJISJE TJETËR TË KRIJUAR NGA NJERIU.
Megjithatë, sfida është e madhe. ADN-ja ka një potencial të jashtëzakonshëm për ruajtjen e të dhënave të së ardhmes, por duhet të zgjidhen pengesa të shumta si kostot e mëdha, mekanizmat e kodifikimit dhe rreziku ndaj mutacioneve ose gabimeve.
Top Channel