Gjuajtja ime e parë
Në vapën e pasdrekave, kur dominonte zhurma e gjinkallave, rrinim nën hijen e hajatit. Pamja para nesh ka qenë e pakufishme. Atje larg, shumë larg, një kodër e madhe, takohej me qiellin.
Atë ditë në oborr, afër syve tanë, një tubë e pulave qukaste me nxitim disa fije bari. Një kovaqe, duke kërcyer si balerinë herë në njërën e herë në këmbën tjetër, shkonte në drejtim të bunarit. Tuba e zogjve të saj të sapoçelur e ndiqte pas. U ndalën me të arritur te një buxhillë që krijohej nga derdhja e ujit të tepërt që binte nga kova kur nxirrej uji për t’i mbushur kënatat apo enët tjera të shtëpisë. Të gjithë zogjtë, si të komanduar, filluan të pinin ujë.
Këtë moment të qetësisë e prishi Duda, gruaja më e pazakonshme që kam njohur në jetën time. Ajo brofi në këmbë me shpejtësinë e zakonshme të saj dhe hyri në dhomën ku gjendej e varur pushka. Ishte një ‘mauzer’ e vjetër, por të gjithë i thoshin ‘manxerrkë’. Me të njëjtën shpejtësi doli nga dhoma dhe m’u drejtua në mënyrë urdhëruese:”Hajde me gjujtë n’shej”. Kur kushëriri im mori vesh qëllimin e saj, i tha:” Leje more se djali asht i vogël për këtë punë”. Ajo ia ktheu me një shikim të mrrolur dhe kushëriri abstenoi nga vërejtjet e mëtejme.
U shqetësova pa masë kur kuptova se çka kërkohej nga unë. Megjithatë, unë nuk do të gjuaja pa instruksione. “Kqyr mirë” – më tha dhe filloi nga përdorimi i pushkës. E vendosi pushkën në prehër dhe ngadalë ia tërhoqi shulin për t’i bërë vend fyshekut. Pasi e vendosi fyshekun, e mbylli shulin dhe nga pozita ulur mori në shenjë një gur që gjendej larg përballë nesh dhe në mes të një are të mbjellur me grurë pas së cilës niste një mal i pjerrët. Sikur të ishte instruktor me përvojë të gjatë në ndonjë akademi ushtarake ma shpjegoi mënyrën e mbushjes së armës, teknikën e marrjes në shenjë, dhe pastaj, e ndali frymëmarrjen dhe ngadalë e tërhoqi këmbëzën. Gati me të njëjtin moment të kërcitjes shurdhuese u vërejt një fije pluhuri që doli nga mesi i gurit. Duda e goditi shenjën mu në zemër.
“Hajde ti tash” – më tha duke ma lëshuar pushkën në dorë. Zot, sa e rëndë që ishte ajo pushkë. Mu duk si një top artilerie që në filma e tërheqin kuajt. Deri te momenti i gjuajtjes unë bëra të njëjtën gjë sipas demonstrimit të saj të mëparshëm. Pasi që pushka ishte e rëndë, pjesën e përparme të saj e vendosa mbi parmak mu aty ku fillonin shkallët e çardakut. Kur e mbështeta kondakun për faqe, vërejta që zemra më lëvizte shpejt dhe pa nda, sikur që dëshironte të dilte nga kraharori. Më kaploi një shqetësim dhe frikë e pashpjegueshme. Frika mu shtua edhe më shumë kur pashë që në anën e majtë të shënjestrës dikush punonte në arë. Çka do të ndodhte me gjuajtjen time të parë? A do ta goditja gurin i cili ishte i madh, por që në ato momente më dukej sa një kokërr arre? Mundohesha që me dijeninë time të sapo fituar ta futja gurin në shënjestër.
“Hajde maaa” – dëgjova bërtimën e saj qortuese. Pa vetëdije e kam tërhequr këmbëzën. Dhe, erdhi momenti kur plasi pushka. Fuqia dridhëse e saj më përplasi duke më mbështetur për muri dhe pastaj e pashë vetën të ulur në cep të një shilteje. Në të njëjtën kohë nga kurora e një peme, matanë bunarit, një tufë e zogjve e trazuar nga krisma, fluturoi në drejtim të malit. Zhurma e kërcitjes mi shurdhoi veshët. U krijua një qetësi që mua mu duk sikur do të zgjaste përjetë. Pas pak sekondave veshët filluan të më ushtonin sikur në kokë të më kishte hyrë një koshare bletësh. Pushka më kishte shpëtuar nga dora dhe gati kishte rënë matanë parmakëve.
“Çfarë burri je ti?” – e dëgjova zërin e saj të thekshëm në formë qortimi duke mi dhënë dy shuplaka pas koke. Me siguri një për atë që nuk e godita shenjën e një që më rrëzoi pushka. Çfarë burri isha unë që nuk isha më shumë se 8 vjeç? Nuk munda t’ia thosha këtë fakt Dudës se para saj nuk dilej me këtë argument.
Kontakti im me armët nuk ka qenë i këndshëm. Më herët, në një rast, isha trishtuar nga to. Një herë, para kësaj gjuajtje, me prindërit kishim shkuar te një kusheri pas darke. Pas një lloj shakaje të pakuptimtë kusheriri, së bashku me fqiun e tij, brenda në dhomë i nxorrën pistoletat dhe filluan ta gjuanin ndërprerësin e llampës elektrike që qëndronte afër derës në murin përballë nesh. Të dalldisur, garonin se cili do të qëllonte ‘shenjën’ i pari. Llampa elektrike tundej si lavjerrës nga krismat dhe një pluhur i lehtë që dilte nga vrimat e plumbave e kaploi pjesën e dhomës në anën e ndërprerësit. Fëmijët strukeshin kurse gratë i lutnin këta burra që ta ndalnin këtë çmendi.