Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj ishin disa prej shqiptarëve që punonin në Qendrën Tregtare Botërore, të njohur në gjuhën popullore si “Kullat Binjake”.

Ata humbën jetën në sulmin terrorist dhe përkujtohen çdo vit bashkë me viktimat e tjera të asaj tragjedie. Shkrimet që vijojnë janë marrë nga libri “Shqiptarët e Amerikës” i autorit Vehbi Bajrami.

1 – Rrok Camaj

Gazetat “The New York Times”, “Daily News” e të tjera, që botohen në New York e shtete të tjera të botës, kanë shkruar shumë herë për Rrok Camajn. Kjo e fundit, më 24 prill 1980 i kushtonte atij dy faqe. Më 1995, Keith Elliot Greenberg dhe Bob Strong botuan një libër 32 faqesh për Camajn, të ilustruar me fotografi.

Njeriu për të cilin shkruhen këta rreshta, për nga profesioni është i jashtëzakonshëm. Rrok Camaj, nga Sukrugji i Malësisë së Mbishkodrës, që nga viti 1975 pastronte xhamat e jashtëm të dritareve të Qendrës Botërore të Tregtisë (World Trade Center), në New York. Për ta bërë këtë punë, atij i vjen në ndihmë makina e madhe automatike që komandohet nga kulmi i ndërtesës. Ajo arrin nga kati i sipërm, deri në katin e nëntë dhe kthehet lart për gjysmë ore.

Vetëm katin e 107-të të ndërtesës, makina nuk mund ta pastrojë për shkak të përmasave të xhamave. Ata janë më të mëdha se xhamat e kateve të tjera dhe vetëm Rrok Camaj dhe ndihmësi i tij, Jimmy Meehan, mund t’ua heqin blozën “binjakeve” tri herë në vit.

Ky proces pune zgjat çdo herë nga dy javë, ata i pastrojnë me dorë 516 xhama nga 43.600 sa kanë gjithsejt ndërtesat e mëdha.

Rrok Camajn e takova në vendin e punës më 1996. Për disa minuta, nga kulmi i qiellgrryesit nr. 1, soditëm tokën. Para nesh u shfaq Manhattan-i, Statuja e Lirisë, urat e gjata të New York-ut, aeroporti Kennedy, New Jersey. Njerëzit poshtë të duken si miza, qenie fare të vogla, që mezi i shquan.

Rrok Camaj

Në kulmin e ndërtesës, Camaj më tregoi si operon makina e tij e madhe, pastaj u fut në njërën prej dy “shportave” të çelikta që shërbejnë për të zbritur ai dhe kolegu i tij poshtë, në katin 107.

Për punën që bën, shumëkush Rrok Camajn e ka quajtur “crazy” (i krisur).

Rrok Camaj erdhi në New York më 1969 me zonjën e tij, Katrinën si të gjithë shqiptarët e tjerë që kishin mërguar në atë kohë në Amerikë, të shtyrë nga vështirësitë ekonomike dhe trajtimi jo i drejtë i tyre nga pushteti jugosllav.

Në mars 1975 nisi punë në “binjaket” e New York-ut, vetëm dy vjet pasi ato u përuruan në një ceremoni që tërhoqi vëmendjen e gjithë botës. Këto dy ndërtesa, në atë kohë, ishin më të lartat në botë. Më shumë se 350 kompani kishin zyrat e tyre në këtë qendër të madhe të biznesit, në të cilat punonin rreth 50 mijë vetë të profesioneve të ndryshme. Rreth 70 mijë turistë vizitonin për çdo ditë dy qiellgërryesit e New York-ut, të cilat i jepnin “kryeqytetit” të botës një pamje të mrekullueshme.

– Ditën e parë, kur erdha të punoj në këtë ndërtesë gjigande, u pendova, – tregoi Rroku. “Kjo nuk është punë për mua”, – i thashë kryepunëtorit, i cili ma ktheu: “Eja ta provosh edhe nesër”. Ditën e dytë, Camaj vendosi të fillonte punën.

Por, më vështirë se të vendoste për të filluar punën, Rroku e kishte pasur t’u tregonte gruas e fëmijëve që kishte zgjedhur këtë profesion “në qiell”, siç do të shkruante një gazetar.

Për dy vjet Rroku e mbajti sekret nga familja vendin e punës, deri kur gazeta “Daily News” e bëri të njohur për lexuesit e saj, shqiptarin e Malësisë së Mbishkodrës. Atëherë, gruaja dhe fëmijët e tij erdhën e u ngjitën në katin më të lartë të ndërtesës e pastaj edhe në kulm fare për të parë se si e ku punonte njeriu i tyre, që druhej t’u tregonte të vërtetën.

Rroku fitonte 769 dollarë në javë, për shkak se punon në lartësi të madhe. Atje klima ndryshon nga toka. Ndodh që të bjerë borë kur në qytet ka mot me shi, apo edhe e kundërta që në tokë të bjerë shi e atje të shkëlqejnë rrezet e diellit. Ndaj dhe Rroku shpeshherë, në vendin e punës “rrezitet” në diell, ndërsa qytetarët e New York-ut mezi mbrohen me çadra nga shiu i rrëmbyeshëm.

Në orët e pasditës, zë e fryn era e fortë, aq sa njëherë i hoqi kapelën, e cila humbi në hapësirën e pafund.

– Do të ketë rënë diku në Kanada, – thotë duke qeshur Rroku dhe shton: – Një monedhë metalike, nëse bie në kokën e dikujt në tokë nga kjo lartësi, mund të jetë vdekjeprurëse.

Rrok Camaj, i cili u heq blozën nga “sytë” binjakëve të New York-ut, për shumë njerëz është kuriozitet më vete. Ai i përjetoi dy herë aktet e terroristëve në këtë qendër: më 1993, kur ata hodhën bombat në ndërtesa dhe herën e dytë, kur i sulmuan ato me aeroplanë më 11 shtator 2001.

Në ditën tragjike ai shkoi me kohë në punë, si zakonisht. Në orën 9 e 15 minuta të mëngjesit, pasi ndërtesa ku punonte u godit me aeroplan, ai kishte telefonuar në shtëpi nga kati 105 dhe kishte biseduar me të shoqen, Katrinën.

– Në dorë të Zotit jemi e çka të bahet, le të bahet. Të lutem mos i shqetëso fëmijët! – ishin fjalët e fundit të Rrokut.

Moni (në rreth) me gruan dhe fëmijët

2 – Mon Gjonbalaj

Mon Gjonbalaj më 11 shtator, ishte nisur në orën 5 të mëngjesit për të shkuar në punë. Kishte 29 vjet që punonte në katin 86.

– Babai zakonisht shkonte në punë një orë para orarit. E ka dashur shumë punën, por edhe shokët me të cilët kalonte shumë mirë. Babai ishte 65 vjeç. Për shkak të moshës mund të kishte dalë në pension, por nuk i pëlqente të ndahej nga puna. Disa minuta pasi terroristët sulmuan ndërtesën e parë, ai telefonoi në shtëpi dhe bisedoi me vëllanë, Bekimin, i cili në atë moment po ndiqte kanalin televiziv CNN, – tregon biri i tij, Salihu.

– Diçka ka ndodhur këtu. Një bombë ka eksploduar në ndërtesën tjetër, – ishin fjalët e Monit.

– Nuk është bombë, por është aeroplan, – ia ktheu Bekimi.

-Aeroplan?! – kishte pyetur i habitur Moni dhe kishte shtuar: – Do t’ju telefonoj përsëri.

Në orën 9 e 9 minuta Moni telefonoi sërish në shtëpi. Kësaj here bisedoi me Albianën, bashkëshorten e Bekimit.

– Gjendem në katin 86, – tha Moni – Jemi bllokuar të gjithë. Nuk shohim tjetër, veçse tym. Nuk di a do të shihemi më. Të keni kujdes veten dhe familjen.

Për gjashtë javë familja e tij jetoi me shpresë se ai do të kishte shpëtuar. Tre djemtë gati për çdo ditë shkonin në spitalet e New Jersey-t, New York-ut e Connecticut-it për të marrë ndonjë lajm për babanë e tyre. Sa më shumë që zgjaste kjo pritje, aq më shumë shtohej dhimbja për të. Të afërmit e Monit nga Vuthajt e Kosova erdhën në Amerikë për t’ia bërë më të lehtë dhimbjen familjes.

Nipi i Monit, Samidi, 11 vjeç, i tha një ditë xhaxhait të vet Salihut se kishte diçka për t’i treguar. Ishte një ëndërr që i forcoi bindjen familjes Gjonbalaj të hiqnin dorë nga pritja e të bindeshin se Moni kishte vdekur.

Shkurta Gjonbalaj dhe i vëllai, Saliu hedhin lule në vendin e tragjedisë një vit pasi ndodhi ajo.

“E kam parë në ëndërr Bacin (kështu e thërriste nipi Monin). Më tha që t’u them të gjithëve se nuk mundeni të më gjeni dot. Mos të më kërkojnë më. Bacit i shkuan lotët faqeve se e dinte sa vështirë e kishim pa të”, tregoi ëndrrën e tij Samidi.

Pas gjashtë javësh, familja Gjonbalaj hapi derën për ngushëllime. Mijëra vetë nga New York-u e shtete të tjera të Amerikës morën pjesë në atë ceremoni.

Po ato ditë, kryebashkiaku i qytetit, Rudolph Giulian-i e kongresistja Nita Lowery, i dërguan letër ngushëlluese familjes Gjonbalaj.

– Më ka mbetur peng se babai kishte dëshirë të varrosej në Vuthaj, ku edhe kishte lindur. Kur të gjenden eshtrat e tij do t’i çojmë atje. Ky do të jetë një ngushëllim i vogël pas tragjedisë së madhe që përjetuam, – thotë Salihu.

Mon Gjonbalaj la pas bashkëshorten, tre djem, një vajzë dhe tetë nipa e mbesa.

Varrimi i Simonit

Simon Dedvukaj

Simon Dedvukaj është viktima e tretë shqiptare e akteve terroriste. Ai punonte si mbikëqyrës i punëtorëve në kompaninë e pastrimeve “ABM”, në ndërtesën numër 2, kati 27.

Xhaxhai i tij, Dedë Dedvukaj, thotë se Simoni ka telefonuar në shtëpi në orën 8 e 30 minuta të mëngjesit dhe prej asaj kohe nuk u dëgjua më.

Në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, në New York, disa ditë pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, u bë një ceremoni madhështore fetare për të ndjerin.

Pas një viti të vdekjes tragjike të Simonit, Kodi Biologjik konstatoi eshtrat e tij. Më 21 shtator 2002, me një ceremoni madhështore u bë varrimi i eshtrave të Simonit në New York. Rreth 3500 vetë morën pjesë në atë ceremoni. Vetëm nga Detroiti kishin ardhur qindra bashkatdhetarë.

Kushëriri i tij, Kanto Dushaj nga Detroit-i, tha për gazetën “The Journal News”:

“Dy vjet më parë ne erdhëm këtu për një rast shumë të gëzuar, për martesën e Simonit. Tani, ashtu sikurse edhe një vit më parë, ne jemi këtu për një ngjarje shumë të trishtueshme. Vdekja e Simonit na e copëtoi zemrën”.

Vëllai i tij tha se Simoni preferonte më tepër të qëndronte me nipat e mbesat, sesa të dilte e të argëtohej nëpër qytet.

“Ai ishte një djalë shumë i mirë. Lumturia e tij i bënte edhe të tjerët të lumtur”, tha ai.

a.d. / dita

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here