Komunizmi qëndron në “piedestalin” për të lartë për sa i përket ndrydhjes së të drejtave themelore të njeriut, ndalimit të fjalës së lirë dhe dënimeve pa asnjë provë të krimeve të cilat për një arsye a për një tjetër nuk i zgjidhnin dot.

Sot do të kemi një rast të tmerrshëm që ka zënë vend në jetën e njerëzve të atyre viteve. Krimi tronditi jo vetëm këdo që e dëgjoi po celulën më të lartë të partisë.

Një vajzë e re ringjallët, një familje shkatërrohet nga gënjeshtra që hetuesit i detyruan të pranonin dhe një dhimbje e pakuptueshme përshkon një vend të vogël…

Vëllai vret motrën në bashkëpunim me nusen e tij dhe mamanë dhe të gjithë dënohen me 25 vite burg. Po si nisi historia e “ringjalljes” së vajzës së re?!

Çudia e madhe ndodhi një mëngjes vere kur Çerçiz Dyrmishi, i dënuar për vrasjen e motrës e nga ku kishte mbushur vetëm një vit burg, u njoftua të lërë qelinë e të shkojë në shtëpi. Lajmi i papritur e zuri në befasi. Aty për aty u ngrit në këmbë dhe filloi të çapitej i përgjumur në dhomëzën e vogël.

“A thua të jem në ëndërr?”, belbëzoi me vete me vështrimin nga gardiani, që pas atij mesazhi të pabesueshëm, nisi t’i përsëriste me ton urdhërues fjalët “shpejt, shpejt”.

Në hutim e sipër, filloi t’i bindej lajmësit me uniformë që i kujtoi të mblidhte çfarë kishte duke i treguar derën e qelisë. Vetëm pak sekonda pas kësaj, Çerçiz Dyrmishi kapërceu portën e kalasë­burg dhe mori rrugën pa ditur ku të shkonte.

I dënuari për vrasjen e motrës kishte fituar lirinë, pa ditur rrethanat fatlume. Sidoqoftë, ishte mbyllur për të një plagë e madhe, gjithsesi mbetej një tjetër, madje më e rëndë: Plaga për tragjedinë e Ervehesë, që e kishte mbytur dhe varrosur me duart e veta.

E kishte pranuar këtë me gojën e vet, para hetuesve e prokurorëve, në prani të nënës dhe gruas, të cilat e kishin ndihmuar në krimin e padëgjuar.

Tani që rikthehej në shtëpinë që për herë të parë po i dukej më e madhe se kurrë, katër vite pas tragjedisë, në gjë e mundonte po aq sa në ditën kur ishte kacafytur për vdekje me motrën fatkeqe. Liria në këto kushte s’i linte arsye t’i gëzohej fort.

Në fund të fundit, mbetej një vrasës, që, për arsye të paqarta, ishte lënë i lirë. Dëgjoi e çfarë s’dëgjoi atë ditë për historinë e tyre nga të njohurit e takuar rishtas. Shumë syresh e shtjellonin atë si pjesë të një legjende.

Si një legjendë pa fund e krye, që thotë shumëçka si në mjegull, po asgjë konkrete për fatin e tyre. “Fati pa fat”, psherëtiu me vete Çerçizi i drobitur, teksa hapi portën e shtëpisë ­kasolle.

Aty nëna me gruan e kthjelluan disi për atë që kishte ndodhur, po zëri i tyre vinte si nga tjetër planet. Ishte ngjallur Erveheja! “Vërtet ka bërë Zoti mrekullinë, apo janë çmendur këto të dyja?”, foli Çerçizi me vete dhe ra në gjunjë i dërrmuar.

“Po, po, është gjallë, gjallë, Çeço, po mblidhe veten!”, iu afrua nëna që i dridheshin supet nga ngashërimi dhe filloi t’i tregonte çfarë kishte dëgjuar…

Si fillim ishte njoftimi që kishte ardhur nga policia e cila thoshte me të madhe se “Ishte ngjallur Ervheja”. Ja çfarë thuhej në njoftimet e policisë:

“Kemi njoftime se në fshatin Plug të fermës së Lushnjës është shfaqur Erveheja, gruaja e zhdukur katër vjet më parë në rrethana të dyshimta nga shtëpia e saj në Memaliaj. Lutemi dërgoni dikë të bëjë verifikimin”.

Të porsanjohur me tekstin e radiogramit adresuar nga Dega e Brendshme e Lushnjës, kolegët e tyre të Tepelenës, që kishin konfirmuar zyrtarisht vdekjen e saj, madje kishin identifikuar edhe vendvarrimin e saktë, e vlerësuan atë një lajthitje të rastit, më së shumti një të dhënë nga njerëz keqdashës.

Gjithsesi, rregulli i detyrës ua kërkonte të bënin patjetër procedurën e verifikimit, nga e cila rezultoi se njoftimi kishte qenë i vërtetë.

Përveç çudisë së padëgjuar, relacioni i grupit të posaçëm që operoi disa ditë me radhë në Lushnjë, shtjellonte me detaje si kishte rrjedhur jeta e Ervehe Dyrmishit nga dita që ishte njohur zyrtarisht e vdekur.

“Në datën 25.7.1960, bëhet e ditur në dokumentin e firmosur nga Enver Rexho, prokurori që kryesoi operacionin e verifikimit, është konstatuar rastë­sisht se Ervehe Dyrmishi, për vrasjen e së cilës janë dënuar katër persona, është gjallë.

Gjatë takimit, e pandehura deklaroi se në muajin prill të vitit 1956 ishte larguar nga banesa e të vëllait, Çerçiz Dyrmishi, dhe qysh atëherë jetonte në katundin Radat të Leskovikut, e martuar me Hetem Ilazin, me të cilin ka një fëmijë”.

Rikthimi pas katër vjetësh i historisë së familjes Dyrmishi, rihapi të tjera telashe për autoritetet e Tepelenës, sidomos për organet e policisë dhe ato të hetimit, të cilat, me legalizimin e vdekjes së Ervehesë, i kishin mbyllur hesapet me të.

Tani që e vdekura ishte shfaqur mes të gjallëve, historia rihapej në një tjetër kah. Ca më tepër që një lajm i tillë s’mund të burgosej nëpër zyra, siç operohej rëndom për ngjarje që cenonin regjimin.

Në këtë rast dhe të gjendur para presionit të madh, sepse historia tashmë ishte përhapur në një sipërfaqe shumë të gjerë, ndaj dhe prokuroria dha urdhër që të liroheshin të dënuarit të cilët ishin dënuar për vrasjen e vajzës së re, Ervehesë.

Njëherazi me urdhrin e pazakontë, Prokurori i Përgjithshëm tërhiqte vëmendjen e vartësve në gushtin e vitit ’60 “për kujdes të posaçëm dhe seriozitet maksimal në trajtim të çështjes”.

Në dokumentet e kohës rezultojnë dy relacione që zbardhin dinamikën e ngjarjes në zbatim të këtij urdhri. I pari është një raport i Degës së Brendshme të Tepelenës, që njofton se “në datën 20.8.1960 ka dalë nga burgu Çerçiz Dyrmishi, dënuar me 25 vjet, Fatime Dyrmishi, dënuar me 15 vjet, dhe Hatixhe Hasani dënuar me 20 vjet”.

Dokumenti tjetër është një material i zgjeruar i Prokurorisë së Përgjithshme që i drejtohet Komitetit Qendror të Partisë me mbititullin e çuditshëm “Lidhur me vrasjen e Tepelenës ­Çerçiz Dyrmishi”.

Në të, përveç refleksioneve të institucionit qendror të akuzës mbi përgjegjësinë e autoriteteve vartëse për “shkeljet e rënda të ligjshmërisë socialiste gjatë hetimeve të çështjes së Ervehe Dyrmishit”, riprodhohen në ligjëratë të drejtë pohimet e protagonistëve të ngjarjes për rrethanat në të cilat kanë pranuar një krim të pakryer.

Ajo çfarë kanë rrëfyer para zyrtarëve të Prokurorit të Përgjithshëm Çerçiz e Emine Dyrmishi dhe Hatixhe Hasani është akoma më dramatike nga historia e certifikuar një vit më parë nga organet ligjzbatuese që tre të sipërpërmendurit u zyrtarizuan me prova të pakontestueshme vrasës të një njeriu të gjallë.

Tmerri më i madh ndodhi në  momentin kur u morën dëshmitë e të pandehurve dhe kur u pyetën se sesi ka mundësi që kanë pranuar vrasjen e Ervehesë në mënyrën më makabre ndërkohë që Erveheja ishte më gjallë se të gjallët, madje dhe ishte trashëguar…?

Vëllai i Ervehesë, Çerçiz Dyrmishi jep dëshminë e tij dhe thotë:
“Unë, gjatë dy muajve që hetimet u zhvilluan nga Dega e Punëve të Brendshme e Skraparit, nuk e kam pranuar vrasjen dhe mund të them se atje nuk jam trajtuar keq. Mbas dy muajve, për hetime, u ngarkua hetuesi Zija Çela.

Me ardhjen e Zijait si hetues, situata ndryshoi. Ai filloi duke insistuar që unë të pranoja vrasjen, që në fakt nuk e kisha bërë.

Duke parë që unë nuk e pranoja krimin, filloi të përdorë mjete shtrënguese, duke më shtrënguar duart me hekura gjatë gjithë kohës që më merrte në pyetje dhe kur ishim vetëm.

Kur më solli nga Berati në Tepelenë, veç shtrëngimit të duarve, hetuesi më preu për 18 ditë racionin e gjellës, duke më dhënë vetëm racionin e bukës dhe një kokërr qepë në ditë.

Po kështu për një muaj rresht më ndaloi ujin, duke më lejuar të pija vetëm një herë në mëngjes dhe një herë në mbrëmje, ndërsa gjithë pjesën tjetër të ditës rrija pa ujë.

Unë i thosha se nuk e kam vrarë unë motrën, por ai më thoshte se duhet ta pranosh, mbasi në rast se nuk e pranon, do të pushkatohesh, ndërsa ndryshe do të dënohesh më lehtë. Ai më kërkoi me insistim që të pranoja jo vetëm vrasjen, por t’i tregoja edhe vendin ku e kisha varrosur. Madje, për këtë të fundit, këmbëngulte më fort.

Çfarë nuk më bëri derisa u detyrova t’i them se e kisha vrarë me duart e mia. Pastaj kërkoi për t’i thënë vendvarrimin. S’kisha ç’bëja. I thashë se po ta tregoj dhe e shpura në një gropë buzë lumit që më kujtohej mua, kur isha në Memaliaj. Një gropë më koti”.

Po gjithashtu në rrjedhën e dëshimsë së Çerçizit vjen edhe ajo e bashkëshortes së tij, Fatimesë, e cila kaloj në traumë për shkak të kërcënimeve të herëpashershme që po i bëheshin dhe që e detyruan edhe atë në fund të pranonte krimin monstruoz. Ja dëshmia e saj:

“Hetuesi më tha që të pranosh krimin, se kjo është rruga e drejtë. Ti je grua dhe nuk dënohesh. Ndryshe, në qoftë se nuk e pranon, burri yt Çerçizi do të dënohet me pushkatim.

Unë thosha vazhdimisht se nuk di gjë për vrasjen e Ervehesë dhe mos më merr në qafë. Po ai më kërcënoi, duke më thënë thuaje se do të të bëj gropën e të tjera fjalë kërcënuese.

Prandaj unë, nga frika e këtyre dhe si grua, e pranova, duke bërë veten fajtore, pa bërë në fakt asnjë krim. Gjatë pyetjeve unë i thosha hetuesit se Erveheja nuk është vrarë, por ka ikur vetë nga shtëpia, por ai insistonte dhe më thoshte që ta pranosh, duke më nxjerrë disa eshtra kafshësh me të cilat ishte fotografuar Çerçizi dhe për të cilat më thoshte që janë eshtrat e Ervehesë.

Kur mua më shpunë për të treguar vendin se ku ‘kishim varrosur’ Ervehenë, hetuesi më tha: Burri yt shkoi nga kjo rrugë, prandaj dhe ti të shkosh këtej. Nuk e di si më dukej vetja. Ishin momente të tmerrshme.

Kur po na çonin me makinë nga Tepelena në Gjirokastër, mbasi hetimet ishin përfunduar, tek Uji i Ftohtë u takuam me hetuesin Zija Çela, i cili më zbriti nga makina dhe më tha: Shiko, kur të dalësh në gjyq, të mos i kthesh ato që ke thënë në hetuesi.

Por të thuash ato që ke thënë në procesin hetimor, se kështu ti nuk do të dënohesh, ndërsa burri do të dënohet lehtë, deri në katër vjet. Në qoftë se do të mohosh ato që ke thënë në hetuesi, burri yt do të dënohet me pushkatim. Dhe unë kështu bëra, pranova në gjyq ato që kisha thënë në hetuesi.

Po të njëjtin fat pësoi edhe nëna e Çerçizit e njëkohësisht edhe nëna e Ervehesë, Hatixheja, e cila duhet të pranonte se djali i kishte vrarë vajzën dhe se ajo ka qenë  bashkëpunëtore në vrasje. Ja dhe dëshmia e Hatixhe Hasanit
“Mua, gjatë hetimeve, kapteri i Policisë Sefedini më ka trajtuar keq. Gati një muaj rresht më hiqte teshat e fjetjes, duke më lënë vetëm një batanije. Bile një ditë, pa asnjë arsye, më la gjithë ditën në këmbë.

Unë kam insistuar se Ervehenë nuk e kemi vrarë, por ajo ka ikur nga shtëpia vetë, kurse hetuesi insistonte duke më marrë shpesh në pyetje në mënyrë që të pranoja që e kishim vrarë. Një ditë përgatiti një proces dhe ma dha për ta firmosur.

Unë nuk pranova ta firmosja se nuk dija përmbajtjen, por ky këmbënguli duke më thënë firmose se është lutja që do të dërgojmë në Skrapar, prandaj firmose shpejt se na ikën makina. Desha s’desha, e firmosa, pa ditur përse bëhej fjalë.

Kur më shpunë për të treguar vendin se ku e ‘kishim varrosur’ Ervehenë, unë, duke mos ditur asgjë për varrin e saj, mbasi në të vërtetë nuk e kishim vrarë, i shpura në një vend afër lumit, kur ne zakonisht aty merrnim ujë”.

“Lajmi na gëzoi, po familja nuk e mori veten kurrë” “Kur dëgjuam se është shfaqur Erveheja në Lushnjë, nuk e besuam. S’kishim si ta besonim. Se s’kishte ndodhur tjetër herë të ngrihej i vdekuri nga varri”.

Njëherazi me mbresat nga çastet dramatike kur familjarët e Ervehesë janë njohur me lajmin e pabesueshëm, Dizi Dyrmishi, një e afërme e tyre, kujton përjetimet nga takimi me “të vdekurën” e ngjallur rishtas dhe tre familjarët që ishin dënuar për vrasjen e saj.

“Jam tronditur jashtë mase kur kam dëgjuar nga këta të fundit, rrëfen 80-­vjeçarja, si ishin detyruar të pranonin krimin që s’u kishte shkuar kurrë në mendje”.

Nga mënyra si ia kanë treguar këtë pjesë të mistershme, ajo ka fiksuar në kujtesë çastet kur njërës prej grave të arrestuara i kanë çuar në qeli një grumbull me kocka kafshësh dhe i kanë thënë se ishin të Ervehesë.

Hetuesit që pretendonin se i kishin nxjerrë nga varri ku i kishte çuar Çerçizi, kërkonin t’i bashkoheshin dhe ato dëshmisë së tij, ndryshe kryefamiljarin e priste litari. Në këto kushte, shton e afërmja e familjes Dyrmishi, të gjorat gra, bënë çfarë u thanë.

Më pas ndodhi ajo që ndodhi…” Po çfarë kujton tjetër nga kjo histori e pazakontë 80­ -vjeçarja Dyrmishi..

Në një intervistë për gazetën Panorama, Dizi Dyrmishi tregon më me detaje sesi ka ndodhur që në fillim kur u hap lajmi se Erveheja ishte gjallë dhe askush nuk kishte tentuar asnjëherë në asnjë moment ta vriste.

Dizi thotë se në atë kohë ajo jetonte në Tiranë dhe një i njohuri i tyre nga Skrapari që kishte ardhur për një hall në spital, i kishte thënë se kishte dëgjuar që ajo historia e Ervehesë nuk kishte qenë e vërtetë.

Fillimisht, tregon e moshuara, nuk ia kishte vënë shumë veshin fjalëve të tij, sepse pas katër viteve që kishte ndodhur ngjarja e rëndë, vinte dikush dhe thoshte që Erveheja na qenkësha gjallë. Deri atëherë gjithçka ka qenë e pranuar gjithçka si e mirëqenë, për më tepër që nëna dhe vëllai i Ervehesë ishin vetëshpallur vrasës së saj.

Po kur u vërtetua se kjo ishte e vërtetë nuk po arrinim që t’i jepnim drejtim. Ajo thotë se nuk po e kuptonte askush sesi kishte mundësi që të çohej nga varri një i vdekur. Dizi e vazhdon tregimin e saj ku tregon për takimin e parë me kunatin në Lushnje.

“Ajo nuk dinte gjë çfarë kishte ndodhur me nënën dhe Çerçizin. S’dinte gjë për çfarë ishte folur për të që nga dita që ishte larguar. Erveheja çuditej nga habia që shprehnin të njohurit kur takohej me ta. Ajo i kishte treguar se prej tre vjetësh ishte e martuar dhe jetonte në Leskovik, bashkë me burrin dhe një fëmijë. Kohët e fundit kishte ardhur në fermë në Lushnjë ”.

Ndërkohë që për sa i përket sajesës së kockave të Ervehesë dhe përse po e bënin këtë gjë, Dizi thotë se kjo ka qenë një sajesë bajate.

“Hetuesve të çështjes, një ditë prej ditësh, duke parë qëndrimin e tyre, u shkoi mëndja te kjo djallëzi. Shkuan diku, morën një grup me kocka kafshësh dhe me to në dorë
mbërritën në qelinë e tyre.

Shikojini me vëmendje, u thanë grave të mjera, ­janë eshtrat e Ervehesë, i nxorëm nga varri që na tregoi Çerçizi. Dëshmitë tuaja e shpëtojnë atë nga pushkatimi, ndryshe… Ja
në të tilla kushte u “dorëzuan” ato dhe bënë, ç’bënë firmosën.

Ca më keq kishte vuajtur Çerçizi, i cili më në fund kishte pohuar çdo gjë që i kishin diktuar. Me këtë mesele mizerje shkuan në gjyq dhe u dënuan”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here