Koha e Gjenive: Lord Byron, Ali Pasha dhe Bonaparti – Nga Dorian Koçi

Fillimi i shekullit të XIX ishte shekulli i Romanizmit në kulturën botërore. Romantizmi ishte kohë revolucionesh dhe klithmash për liri njerëzore,vetjake dhe të përbotshme. Për herë të parë liria njerëzore fitoi dimensione të përbotshme dhe inspiroi gjenerata të tëra njerëzish nga Amerika Latine me revoltat kundër spanjollëve nën udhëheqjen e Simon Bolivarit, në Evropë me lëvizjen karbonare në Itali, revolucionin grek dhe lëvizjet për pavarësi të Armenisë dhe popujve të Ballkanit. Poeti britanik Lord Byron (1788-1824) është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të romantizmit evropian. Ai -thotë Johan Volfang Goethe-i krijonte veprat si gratë që krijojnë fëmijët e bukur: pa menduar dhe pa ditur qysh. Ai është talent i madh i lindur, dhe nuk di njeri tjetër me fuqi poetike më të madhe. Për perceptimin e së jashtmes dhe për aftësinë e depërtimit në të kaluarën ai është po aq i madh sa edhe Shekspiri. Lord Byron ishte një dishepull i shpallur i ndryshimit dhe i së bukurës sublime. Ai krijoi nëpërmjet krijimtarisë së vet një model të veçantë krijimtarie të njohur si Bajronizëm. Bajronizmi përmbante pikëllimin e shekullit, pikëllimin që mbartnin vetë poetët, krijesat e tyre, heronjtë e veprave letrare, pikëllimin e mbartnin me mijëra lexues, që aq shpejt e bënë pikëllimin modelin e jetesës së tyre. Ata ishin të pakënaqur sidomos me padrejtësitë shoqërore. Jetonin të vetmuar në melankoli për çka kishin humbur, të deziluzionuar për çka nuk kishin arritur në jetë. Por ata shpesh kishin një shpirt rebel, kryengritës, kishin respekt e dinjitet për veten po vuanin se ndesheshin e po humbnin në kotësi. Heronjtë e tyre zakonisht ishin figura të mëdha që kishin ndryshuar rrjedhën e historisë së botës duke nisur që nga Prometeu i Shellit e deri te Napoleoni i Bajronit që nëpërmjet një epigrami të thjeshtë përshkroi gjithë shpirtin e gjenisë dhe epokës Napoloniane. Më datën 27 mars 1815 u shpërnda lajmi i arratisjes së Napoelonit nga ishulli Elba dhe rikthimi i tij në pushtet. Rikthimi i Napoleonit në Pallatin Tuiliry duket se ishte më shumë si një shëtitje kënaqësie sesa përparimi i një pushtuesi nëpër një vend që duhet ta pushtonte. Me këtë rast Bajroni shkroi poezinë “Ikja e Napolonit nga ishulli Elbë”, ku përshkruan gjithë sharm poetik figurën e Napolonit, gjeniut të politikës, artit ushtarak por dhe të drejtësisë. Kodi i tij juridik është në themel të së drejtës civile të ditëve tona dhe disa nga liritë që Romantizmi predikonte u sanksionuan që atëherë në kushtetutat e Evropës.

Ikja e Napolonit nga ishulli Elbë

Nga Elba ikën, drejt në Lion

dhe në Paris afrohet dal’ nga dalë

Kapelën heq dhe damat i nderon

Dhe me kapele vret kaq kundërshtarë.

27 mars 1815.

Më herët Lord Byroni para se të bëhej i famshëm në botën letrare ishte frymëzuar edhe nga udhëtimet, kultura klasike dhe orientalizmi. Fundi i shekullit të XVIII do të përmbante një ngjarje të madhe në aspektin kulturor, për afrimet midis Perëndimit dhe Lindjes. Ekspedita e Egjiptit, e ndërmarrë nga gjenerali i ri ambicioz Napoelon Bonaparti më 1798, përveç ekspansionit ushtarako-ekonomik, do të zgjonte dhe interesimin e madh për Lindjen dhe kulturat e saj. Në të njëjtën kohë në Evropë si rezultat i ndikimit të shkëlqyer të Rilindjes dhe Iluminizmit u shtua interesi për trashëgiminë greko-romake, dhe influencat e saj në kulturën evropiane. Këta dy faktorë do të kontribuonin në lindjen e Filohelenizmit dhe Orientalizmit dy rrymave të fuqishme në mendimin evropian të shekujve në vazhdim. Orientalizmi në Evropë shkon deri në kohën e kryqëzatave dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë Romanticismit sepse Orienti ishte formë sublime e tij. Lord Bajron si një i ri aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër,i gjendur në Maltë në fillimet e Grand Tour-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain karizmatik. Kjo pleksje e veçantë e dëshirës për të eksploruar të shkuarën antike greke me orientalizmin e atëhershëm të Ballkanit do jepte një impuls të ri jo vetëm në jetën e Bajronit por do të kontribuonte fuqishëm dhe në krijimtarinë e tij të mëvonshme letrare duke e shndërruar veprën e tij në një nga kryeveprat e Romantizmit që posa kish lindur. Emocionet, mbresat dhe përshtypjet e kësaj vizite, tashmë janë të njohura botërisht nëpërmjet poemës “Child Harold”-një nga kryeveprat e letërsisë angleze. Si mund të vihet re me një vështrim të parë, në poemë përveçse motiveve romantike, ndjen dhe afinitetin e veçantë të poetit me Ballkanin. Mund të themi pa hezitim se ky udhëtim pati një efekt të dyfishtë, jo vetëm në krijimtarinë e Bajronit që pas botimit të poemës do të shkruante “u zgjova në mëngjes dhe e gjeta veten të famshëm” por dhe në mjediset intelektuale në Greqi dhe Shqipëri. Përshkrimin e parë sesi ishte në pamje Ali Pashë Tepelena e gjejmë tek letra e Bajronit dërguar së ëmës në 12 nëntor 1809 nga Preveza. Mes përshtypjeve dhe konsideratave që për mikpritjen Bajroni përshkruan Ali Pashën dhe fizikisht. Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Më andej ai vazhdon me konsideratat e tij rreth figurës së Ali Pashës duke shkruar se  karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mire, sa e quajnë Bonoparti muhamedan. Napoleoni dy herë i ishte zotuar ta bëjë mbret të Epirit, po atij i pëlqen më fort të mbetet me anglezët dhe i urren francezët, si më tha edhe vetë. E çmojnë aq shumë,sa i bëjnë lajka dhe francezët dhe anglezët, meqenëse shqiptarët janë luftëtarët më të mirë të Sulltanit, ndonëse Aliu sa për sy e faqe varet nga Porta. Është luftëtar i fortë, por aq barbar,sa edhe dorëmbarë, ata që ngrenë krye i pjek në hell. Bonoparti i dërgoi një kuti duhani me pikturën e tij. Tha se kutia ishte e bukur, por sa për surratin, mund të mos ia kishte dërguar, pasi s’e hante malli shumë as për atë, as për origjinalin. Idetë e tij për të kuptuar fisin e njeriut prej veshëve, duarve e të tjera, të çudisin mjaft. Përshtypja e Bajronit rreth karakterit të Ali Pashës është përjetësuar dhe në vargjet e stanzës 62-63 të Kantos II të Udhëtimeve dhe shtegtimeve të Childe Harold (1812).

Në qoshk të shtruar me mermer, ku kroi

Me ujë rrjedhës që nga mez i trodhit

Gurgullon freski plot andë, dhe divani

I butë epshor fton mysafirët t’ulen

Rri pshtet’ Aliu, burrë luftërash mizor;

Po tash kur ëmbëlsia rrezet hedh

Në ballin e nderuar t’ë atij plaku

Nëpër tiparet nuk i duken gjurmat

E kobit që fsheh brenda dhe e njollos me turp.

Jo se kjo mjekër e bardhë e gjatë e tij

S’përkon me ndjenjat e rinisë së zjarrtë;

Moshën e mundi sevdaja-kështu thonë

Hafizi dhe Tejani me të drejtë-

Po kobet q’heshtin zërin e mëshirës,

Dhe si kanë hijet kujt, sidomos plakut,

I kanë vënë damkën e egërsirës,

Gjaku do gjak, e kush me gjak e nis

Do ta mbarojë jetën ca më keq me gjak.

Galeria e personasheve që krijoi Lord Byroni nuk mund të kuptohen pa ndjesitë personale që ai përftoi nga udhëtimi i tij në Lindjen e Afërt-Shqipëri, Greqi, Turqi dhe padyshim si është pranuar tashmë prej kohësh nga kritika letrare një pjesë e madhe e personazheve fiktivë të tij tek “Oriental Tales”( 1816) janë frymëzuar nga historitë urbane që qarkullonin rreth Ali Pashë Tepelenës. Kësisoj në mënyrë të pashmangshme Bajroni e lidhte gjeninë e Ali Pashës me atë të Napoelonit, dhe vetë ai kthehej në një pikë përbashkimi mes Lindjes dhe Perëndimit dhe dy personaliteteve të rëndësishëm të epokës. Në një farë mënyre Bajroni ndiente dhe perceptonte atë që do shprehte më vonë Viktor Hygo në parathënien e “Orientaleve” se Ali-Pasha,… është për Napoleonin çka është tigri për luanin, skifteri për shqiponjën”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here