“… U thirr në Stamboll një konferencë ambasadorësh, ku përfaqësuesi anglez propozoi që, për kompensim, t’i jepeshin Malit të Zi qytetet-porte Ulqini dhe Tivari me gjithë rrethina. Ato ishin vise thjesht shqiptare, por anëtarët e arsyeshëm të Lidhjes e kuptonin, që populli i vogël shqiptar, i cili kishte mundur, ndërkaq, të zgjonte interesin e Evropës për çështjen e tij, nuk mundej gjithsesi t’i kundërvihej gjithkund vullnetit dhe fuqisë së botës sllave. Ekstremistët, përkundrazi ishin të mendimit, se as ky lëshim nuk duhej pranuar. Ata mblodhën një trupë të armatosur prej 3000 burrash nën komandën e Isuf agë Sokolit, shumica katolikë nga viset që Turqia i kishte lëshuar Malit të Zi në vitin 1855, dhe shkuan në zonën e rrezikuar për ta mbrojtur. Përballë kësaj qëndrese të mundimshme shqiptare, fuqitë nënshkruese të Kongresit të Brlinit ndërmorrën një demostrim force me anë të flotës. Ndërkaq drejt Ulqinit nga jugu u nisën edhe trupa turke të Shkodrës dhe nga veriu trupa malazeze. Të rrethuar në tri anë shqiptarët luftuan kundër të gjithë armiqve me një heroizëm vërtet epik, derisa qëndresa e tyre u mposht më 23 nëntor 1879. Po atë mbrëmje turqit u futën në qytet dhe ia dorëzuan atë menjëherë malazezve.
Në bordin e një anijeje franceze që merrte pjesë në këtë demonstrim force, ndodhej edhe kadeti i ri Deśturnele de Konśta, më vonë senator. 32 vjet më vonë, duke folur me mua për këtë ngjarje ai më tha: “Që nga dita e bombardimit të Ulqinit unë jam bërë një mik i madh i shqiptarëve. Atë heroizëm që treguan ata fshatarë dhe qytetarë të pambrojtur, nuk do ta kisha besuar kurrë. Ishte shumë tronditëse të shihje sesi këta njerëz trima, të armatosur vetëm me pushkë e pisqolla të vjetra sulmonin armiqt e tyre, duke mos u trembur as nga topat e anijeve tona që i kositnin mbarë. Të bomdarduar nga deti prej njëmbëdhjetë anijesh luftarake, të sulmuar nga juglindja prej turqve, nga veriu prej malazezve. Ne ishim pothuaj dhjetë herë më të shumtë në numër e të mirëarmatosur, por asnjëri prej tyre as u tërhoq dhe as iku, derisa vdekja i griu të gjithë. Kurrë nuk kam parë heroizëm të tillë! Dhe ç’krim kishim bërë? Nuk donin të pranonin copëtimin e atdheut të tyre!”
(Eqrem bej Vlora, “Kujtime” 1885 – 1925, Tiranë, 2010, fq. 163-164)
Origjinali i titullit: Lebenserinnerungen
Shqipëroi: Afrim Koçi
Shtëpia botuese: IDK
ISBN: 978-99927-780-6-7