Kroacia ka hapur për qarkullim një urë të shumëpritur, e cila do ta lidh pjesën jugore të bregdetit, përfshirë qytetin e famshëm turistik, Dubrovnik, me pjesën tjetër të vendit, duke e anashkaluar pjesën e shkurtër të bregdetit boshnjak.
Ura e gjatë 2.4 kilometra do ta lidhë pjesën kryesore të territorit kroat me Gadishullin Peljesac. Hapja e urës të martën bëhet në kohën kur Kroacia po synon rimëkëmbje të turizmit këtë vit dhe arritje të nivelit të turistëve si në kohën para pandemisë së koronavirusit.
“Rëndësia e urës është e jashtëzakonshme dhe nuk është vetëm emocionale për shkak të lidhjes së territorit kroat, por gjithashtu për turizmin dhe ekonominë në përgjithësi”, tha ministri i Transportit, Oleg Butkoviq.
Kjo urë do ta shmang pritjen e udhëtarëve në kufirin e Bosnjës e Hercegovinës dhe është njëri ndër projektet më ambicioze të Kroacisë që nga shpallja e pavarësisë më 1991. “Ky është vërtet një projekt historik për Kroacinë. (Pritja) ishte vërtet dërrmuese dhe ua bënte jetën të hidhur njerëzve që jetojnë këtu”, tha Sabina Mikuliq, pronare e një hoteli në qytezën më të madhe të gadishullit.
Kroacia fillimisht ishte përpjekur që ta ndërtonte këtë urë më 2007, por projekti kishte ngecur pesë vjet për shkak të kufizimeve buxhetore.
Më 2017, Bashkimi Evropian, ku Kroacia u anëtarësua më 2013, ndau 357 milionë euro ose rreth 85 për qind të kostos së përgjithshme.
Më 2018, një kompani kineze e fitoi tenderin për ndërtimin e urës, duke e shënuar përfshirjen e parë të rëndësishme të Kinës në një projekt infrastrukturor në Kroaci.