Jahja Drancolli
Trashëgimia jonë në Europë: “Vrapuesja e Prizrenit” (“The Runner of Prizren”), më një këmbë nga Prizreni deri në Muzeun e Londrës (1876). Nikoqirët u përkujdesën për dukjen e saj, dhe aktualisht zë vend në mesin artefakteve me vlerë të veçantë!
Dyshohet se “Vrapuesja e Prizrenit” iu dorëzua Muzeut Britanik në Londër nga arkeologu britanik Sir Arthur Evans, i cili kishte bërë eksplorime arkeologjike në Ballkan, duke përfshirë edhe Shqipërinë e viteve 80-90. deri në shek. XIX. Kërkimet e tij në Shqipëri, përveç njohurive arkeologjike, padyshim kishin edhe karakter politik në kohën e vlimeve të mëdha, para dhe pas Lidhjes së Prizrenit.
Duhet theksuar se figurina në fjalë në momentin e regjistrimit kishte hyrë në administratën e Muzeut Britanik të Londrës me numrin e regjistrimit 1876,0510.1, si një artefakt i zbuluar në Prizren të Shqipërisë (it was found at Prizren in Albania). Kemi të dhëna të sakta se deri në vitin 1899, figurinës së Prizrenit, siç e quanin dokumentet administrative të Muzeut Britanik në Londër, i mungonte pjesa e këmbës së majtë poshtë gjurit. Restaurimi i tij ndoshta është bërë para vitit 1929, vit kur këtë figurë e shohim të restauruar aq mirë sa mund të vërehet vetëm nga ekspertë të rrallë, si dhe ata që kanë njohuri nga dokumentacioni.
Vlerat e saj janë të ndryshueshme. Së pari, kemi të bëjmë me një artefakt të periudhës së Halshtatit (Halshati i vonë, fundi i shekullit VI dhe fillimi i shekullit V p.e.s.), i cili përfshihet në të ashtuquajturën Halshtati D, periudhë e cila në aspektin arkeologjik në rajonin e Dardanisë nuk është hulumtuar mjaftueshëm, dhe si e tillë kjo periudhë, ndryshe nga periudhat e tjera, edhe sot e gjithë ditën ka dhënë rezultate jo të plota, qofshin ato arkeologjike, antropologjike apo historike. Kjo periudhë, së bashku me periudhën e Halshtatit C (mesi i shekullit VI p.e.s.), sipas disa studiuesve, krahas figurinës për të cilën po flasim, në trevën e Dardanisë ka nxjerrë në dritë edhe Menadën e Tetovës, si dhe dorëzën e pasqyrës nga treva e Kosovës së sotme, gjetje që vërtetojnë marrëdhëniet e ngushta të Greqisë dhe Ilirisë gjatë shekujve VI-V p. e. s. Së dyti, kemi të bëjmë me një figurë të nivelit të lartë artistik dhe estetik, e cila ka tërhequr vëmendjen e pothuajse të gjithë studiuesve të njohur të arteve figurative, si dhe studiuesve të fushave arkeologjike, shpirtërore dhe fushave të ngjashme, të cilët kanë pothuajse të njëjtin mendim dhe vlerësim. Pra, sipas tyre figurina vrapon djathtas me trupin e kthyer përpara duke shikuar poshtë në të djathtë, dhe duke e mbajtur fustanin e saj lartë në dorë, ajo ka të veshur xhubletë me palosje duke i rënë nga krahu i djathtë, i kufizuar nga të dy anët, dhe flokët e saj shkallezohen paralelisht nga pas. Pjesët e tjera të xhubletës mungojnë. Gjithashtu tërheqin vëmendjën sytë e saj shumë të mëdhenj. Figurina posedon lëvizje dhe gjallëri në përuthje me kërcimin që po luan. Të gjitha këto veçori të figurinës e bëjnë atë dukshëm të ndryshëm nga shumë figurina të tjera të kohës, por edhe nga Menada dardane e Tetovës. Për dallim nga Menada e Tetovës e cila ka lartësinë 9.4 cm dhe gjerësinë 6.5 cm nga këmba e majtë në të djathtë, vrapuesi nga Prizreni ka lartësinë 11.4 cm.
Edhe pse nuk posedojmë artefakte të tjera të këtij lloji, të cilat do të na mundësonin të përdorim metodën krahasuese lidhur me datimin e vrapuesës së Prizrenit dhe Menadës së Tetovës, megjithatë, afërsia e gjetjeve dhe territori i tyre i përbashkët, që është Dardania, na bën të konkludojmë se, për arsye të plasticitetit dhe përmasash më të bukura, bie në sy sidomos këmba e djathtë, e cila prek tokën vetëm me gishta. Gjithashtu, bie në sy kujdesi dhe simetria e flokëve në figurinën e Prizrenit, për dallim nga Menada e Tetovës, e cila ka flokët krejtësisht të parregulluara. Veçoritë e përmendura lehtësojnë përfundimin se Vrapuesja e Prizrenit është të paktën gjysmë shekulli më e re se Menada e Tetovës, e cila i ngjan më shumë Vrapuesës së Dodonës, megjithëse disa studiues i ngatërrojnë të dyja këto figurina me Vrapuesn e Prizrenit.