Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të vendosë të enjten, nëse do ta shpallë linë e majmunëve një emergjencë shëndetësore globale, duke nxitur kritika nga shkencëtarët afrikanë që shprehen se kjo sëmundje përbën prej vitesh një krizë shëndetësore në kontinentin e tyre.

Diskutimet dhe shqyrtimi i përgjigjes së OBSH-së ndaj shpërthimit të sëmundjes pasojnë shqetësimet se si agjencia e Kombeve të Bashkuara dhe qeveritë në mbarë botën trajtuan COVID-19 në fillim të vitit 2020. Një “emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar” është niveli më i lartë i alarmit të OBSH-së. Agjencia nuk deklaroi pandemi, por filloi të përdorë termin për të përshkruar COVID-19 në Mars të 2020-s.

Për shumë qeveri në mbarë botën, ky moment ishte çasti kur ata filluan të ndërmerrnin masa për të përmbajtur sëmundjen, çka rezultoi të ishte tepër vonë për të bërë ndryshim.

Lija e majmunëve nuk përhapet aq shpejt sa COVID dhe për këtë sëmundje ekzistojnë tashmë vaksina dhe medikamente për trajtimin e saj, por sërish ka rritur alarmin në mbarë botën.

Numri i të prekurve jashtë kontinentit afrikan ka arritur në 3000 raste në më shumë se 40 vende, sipas agjencisë reuters, dhe më së shumti midis meshkujve që kryejnë marrëdhënie me meshkuj. Ende nuk ka raportime për raste vdekjeje.

Sëmundja virale, e cila shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe acarim të lëkurës, është përkufizuar si endemi në disa pjesë të Afrikës. Kontinenti ka regjistruar rreth 1500 raste të dyshuara që nga fillimi i vitit 2022, nga të cilat 66 prej tyre kanë rezultuar me pasojë vdekjen, sipas të dhënave zyrtare.

“Kur nj sëmundje prek vendet e pazhvilluara nuk është një emergjencë. Aj shndërrohet në të tillë vetëm kur preken vendet e zhvilluara”, deklaroi profesor Emmanuel Nakoune, drejtor i insutitit “Pasteur” në Bangui, në Republikën Qendrore Afrikane, i cili po zhvillon testime mbi mjekimin e lisë së majmunëve.

Megjithatë, Nakoune tha se nëse OBSH-ja do të shpallë gjendje emergjence, ky do të ishte një hap i rëndësishëm.

Komiteti i emergjencave globale mblidhet të enjten për të diskutuar në Gjenevë mbi hapat që do ndërmerren për të kufizuar përhapjen e mëtejshme t kësaj sëmundjeje. Në panel bëjnë pjesë ekspertë nga rajonet më të prekura, të cilët janë konsultuar edhe me shkencëtarë, përfshi Nakoune.

Ata do t’i dërgojnë një rekomandim Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili merr vendimin përfundimtar nëse do të shpall gjendjen e emergjencës.

Vendimi, nëse merret shpall alarmin dhe mund të nxisë hapa të mëtejshëm nga OBSH-ja, sikurse dhe vëmendje të shtuar nga shtet anëtare.

OBSH-ja ka dhënë tashmë udhëzime të detajuara për sëmundjen dhe tha se po punon për një mekanizëm për shpërndarjen e trajtimeve dhe vaksinave.

Shumica e ekspertëve pajtohen se lija e majmunëve i plotëson teknikisht kriteret për përkufizimin nga OBSH-ja si “emergjencë botërore”. Është një ngjarje e papritur dhe e pazakontë që po përhapet ndërkombëtarisht dhe kërkon bashkëpunim mes vendeve./REL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here