Stefan Bizantini përmend në veprën e vet një fis epirot të argyrinëve dhe e shoqëron kumtimin e vet me thënien e Lykofronit «tek Argyrinët dhe malet e pyllëzuara të Keraunëve », duke na ndihmuar me këtë citat të përcaktojmë në vija të trasha trevën e banuar prej tyre. Nga i njëjti burim mësojmë se edhe qendra administrative e fisit kishte të njëjtin emër si fisi Argyrus. Duke u nisur nga emri Argyrokastron, me të cilën qyteti i Gjirokastrës njihej jashtë Shqipërisë, si dhe nga dokumentet mesjetare, Tomasheku shfaqi mendimin se Argyros duhej njësuar me Gjirokastrën. Meqenëse në gërmimet në kalanë e Gjirokastrës nuk është hasur një kulturë materiale më e hershme se e antikitetit të vonë supozimi i identifikimit të Argyrosit antik me Gjirokastrën e sotme bie. Megjithkëtë emri Argyrokastron, të cilin gjuha shqipe e ka thjeshtësuar në Gjirokastër nuk është i rastit, as edhe në thelbin e tij një emër mesjetar, por duhet të ketë prejardhje antike, pikërisht nga Argyrinoi e Argyros, Tek ky emër kemi prapë një tregues të shëndoshë që na ndihmon të përkufizojmë truallin që zinin argyrinët në trevën e Epirit edhe më me përpikmëri se sa na thotë kumtimi i Lykfronit. Ata ishin zotër të krahinës së sotme të Kurveleshit e të luginës së Drinos. Në këtë trevë ndodhej natyrisht edhe kryeqyteti i fisit, Argyrosi.
© Hasan Ceka

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here