Nga: Muhamet Bela

Studimi i kulturave prehistorike dhe ilire të zonave të veçanta përbën një detyrë të rëndësishme për shkencën arkeologjike shqiptare. Një studim i tillë mundëson, që mbi bazën e një njohje sa më të plotë të tyre, të realizohen përgjithësime në një shkallë më të gjerë dhe të arrihet në përfundime sa më të sakta lidhur me zhvillimin kulturor dhe historik të vendit tonë në lashtësi. Në këtë drejtim mjaft të rëndësishme janë dhe gërmimet e studimet e kryera në qendrat prehistorike e protohistorike në Shqipërinë Verilindore, e cila në lashtësi ishte pjesë e kulturës dardane. Në plotësimin e tablosë historiko-kulturore të kaluarës së largët të vendit tonë, krahas studimeve të vendbanimeve, me mjaft interes janë të dhënat e përftuara nga varrezat tumulare në territoret e Kukësit, Hasit e Tropojës (dardanët alpinë).

Rezultatet e arritura janë rrjedhojë e punës kërkimore e studimore disavjeçare të kryer në terren dhe kabinet, duke u mbështetur mbi një lëndë relativisht të pasur e të larmishme, të zbuluar në gërmimet e kryera nga ana e autorit në katërmbëdhjetë tuma, si dhe nga gërmimet e studimet sistematike të kryera nga kolegë të tjerë, profesorët B. Jubani, A. Hoti, Zh. Andrea, L. Përzhita etj. Pozicioni i favorshëm gjeografik i këtij rajoni ka mundësuar lidhjen me mjediset fqinje më të afërta apo më të largëta. Përmes luginës së Drinit të Bardhë siguronte lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me Kosovën dhe më tej me kulturat e Ballkanit Qendror, ndërsa nëpërmjet luginës së Drinit të Zi janë krijuar lidhje me Shqipërinë Juglindore, pikësëpari me zonat rreth liqenit të Ohrit, e më në lindje me ato të Pelagonisë. Ndërsa përmes luginës së Drinit të Bashkuar komunikonte me ultësirën bregdetare dhe ishte në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me viset e Adriatikut Lindor. Luginat e dy Drinave, të lumit të Valbonës, të Krumës, Lumës si dhe arterieve më të vogla lumore, ofronin në anët e tyre fusha aluvionale mjaft pjellore.

Më në lartësi spikasin malet e Gjalicës, Koretnikut, Pashtrikut, Shkëlzenit etj., të cilët shquhen për mjedisin e tyre alpin. E tërë ky territor, i cili përbën visorin verilindor të Republikës së Shqipërisë, dallohet për pasuritë e shumta metalifere, siç janë bakri, kromi, hekur nikeli etj., të cilët ndodhen në Gjegjan, Kalimash, Shëmri, Gdheshtë(Kukës), Golaj, Nikoliq (Has), Ragam, Kam-Tropojë (Tropoje) etj. Të dhënat e para mbi praninë e tumave e kemi në vitin 1918 nga austriaku Budaj Arpad. Në raportin e botuar flitet për ekzistencën e 10 tumave në fushën e Krumës. Gërmimet e kryera në tuma, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shek. XX në Çinamak, Kënetë, Bardhoc, Përbreg, Mamëz (Kukës), Krumë, Bjeshkë e Krumës, Myç-Has, Mujaj (Has), Bujan (Tropojë) etj. kanë ofruar një lëndë relativisht të pasur arkeologjike, që ndihmon ndjeshëm në shpjegimin e kulturës materiale e shpirtërore të “dardanëve alpinë”. Tumat gjenden jo vetëm në zonat e ulëta, apo buzë lumenjve. por dhe në zonat kodrinore e të larta malore. Në përgjithësi janë ngritur pranë njëra-tjetrës, të ndara në grupe, në përputhje me vetë konfiguracionin e terrenit.

Ndeshen gjithashtu dhe tuma të vetmuara. Vlen të theksohet varreza më e madhe tumulare në trevën dardane, ajo e Çinamakut, e cila përmbante 80 tuma. Për nga forma, tumat janë gjysmësferike, me bazë të rrumbullakët ose vezake. Ato janë ndërtuar me gur e dhe bashkë, ku mbizotëron më së shumti dheu. Nuk mungojnë dhe rastet ku për ngritjen e tumës është përdorur më shumë guri sesa dhéu. Tumat ngrihen mbi një varr qendror dhe mbulojnë një ose më shumë varre. Në periudhën e bronzit të hershëm, në tumat e kësaj treve, varret qendrore janë me gropë nën taban (Tuma X në Çinamak dhe tuma IV në Kënetë). Gjithashtu, varrimi kolektiv lidhet me traditën që vjen nga bronzi i hershëm. Në tumën V të Krumës varri qendror shoqërohet edhe me unazën rrethuese, element ky i njohur dhe në tumat e Kosovës, Matit etj.

Ka varreza tumulare, si ajo e Bujanit, në të cilën nga nëntë tuma, vetëm njëra prej tyre përmbante varre. Varret janë me ose pa mbulesë po prej gurësh. Mbizotëron varrimi me trupvënie ndërsa varrimi me djegie është një dukuri e rrallë. Në këto tuma janë të pranishme dhe varret “kenotafe” (varre të ngritura në përkujtim të një personi të vdekur dhe të varrosur diku gjetkë, ose trupi i të cilit ende nuk është gjetur). Në disa tuma skeletet nuk janë ruajtur plotësisht, ka pjesë të vogla të tyre ose mungojnë fare. Karakteristikë e varreve, si atyre qendrorë dhe anësorë, është se jo gjithmonë janë me inventar. Një mënyrë e tillë e ndërtimit të varreve, mbulimit me dhé e gurë dhe rrethimit të një pjese të tyre me unazë të gurtë, është e njohur në disa qendra të tjera të Kosovës fqinjë si në Romajë, Suharekë, Përçevë, Karagaç e treva tjera të Ilirisë. Në dhéun e mbushjes së tumave dhe në nivele të ndryshme të tyre janë gjetur fragmente qeramike, objekte metalike etj. Nuk mungojnë në ndonjë tumë pjesë të pareteve të furrave të ardhura këtu, siç duket nga vendbanimi.

Sjellja e tyre në tumë, për mendimin tonë, ndoshta ka të bëjë me profesionin që ka ushtruar i vdekuri gjatë jetës, gjë që duhet ta vazhdojë dhe në botën e nëndheshme. Element i veçantë i zbuluar në një pjesë të tumave, në anë të veçanta të tyre, nën humus, ishte prania e një sheshi me dhé të djegur e të skuqur, pa kurrfarë gjetjesh, që njihen si vatra rituale. Vatrat, ndonëse të rralla, janë të njohura në tumën I të Krumës, tumën II të Çinamakut. Ato janë zbuluar dhe në tumën e Romajës në pellgun e Drinit të Bardhë, si dhe në jug të Shqipërisë në Patos, e shpjeguar si çështje që lidhet me anën botëkuptimore. Inventari i gjetjeve në tuma, së bashku me gjetjet jashtë varreve, është relativisht i pasur, duke na ofruar një sërë të dhënash me rëndësi. Në tërësinë e gjetjeve vendin kryesor e zënë qeramika, armët, dhe më pak stolitë.

Gjetjet më të shumta të qeramikës, armëve dhe stolive janë zbuluar në tumat e Çinamakut, Kënetës, Myç-Hasit dhe Bardhocit. Nga pikëpamja e teknikës së punimit të qeramikës dallojmë dy kategori kryesore: qeramikë të punuar me dorë dhe qeramikë të punuar me çark. Kategoria e parë, është prodhim lokal, e përgatitur prej një baltë në përgjithësi cilësisht të mirë. Në sipërfaqe dallohen kryesisht ngjyra të errëta, gri, gri në të zezë dhe kafe. Qeramika e kategorisë së dytë është e importuar. Ajo dallohet për brumin argjilor mjaft të pastër, pjekjen shumë të mirë, ngjyrat përgjithësisht të çelura dhe lyerjen e sipërfaqes me breza verniku të zi e rrallë kafe, të vendosur horizontalisht në trupin e enës. Enët përfaqësohen nga këto forma kryesore: broka; enë me qafë të gjatë; enë me trup dykonik; enë dyvegjake; enë njëvegjake; tenxhere; filxhanë; tasë; pjatanca; kilikë, skifosa etj.

Brokat paraqiten me dy variante: a) broka me trup të rrumbullakuar, me qafë relativisht të lartë konike etj., që kanë analogjitë tipologjike të kësaj forme me gjetjet e bronzit të hershëm të krahinave të Adriatikut Qendror e të prapatokës së tij, në rrethin e kulturës Cetina; b) brokë me fund të rrumbullakuar ose të sheshtë e me një vegjë të vogël nën buzë. Kjo formë ene është e ngjashme me atë të zbuluar në tumën VII të Shtojit (Shkodër), si dhe me një tjetër të gjetur në shtresën Nezir IVa, në zonën e Matit. Jashtë vendit tonë ajo gjen analogji me qeramikën e fazës protocetina. Enë me qafë të gjatë, e cila ka përkime të dukshme me gjetjet e shtresave të bronzit të hershëm të disa vendbanimeve të krahinave veriore si në shtresën Gajtan I, Shkodër Ia (Shkodër), si dhe në atë Nezir Iva (Mat).

Analogji ka njëkohësisht dhe me qeramikën bashkëkohëse në disa vendbanimeve të Adriatikut Qendror.. Enët me trup dykonik, që tipologjikisht lidhet shumë me format analoge të bronzit të mesëm të Nezirit V (Mat). E njëkohshme me këtë kategori është dhe ena me trup bikonik të lartë e të rrumbullakuar, që njihet dhe shtresën Shkodër Ib, Nezir V si dhe në qeramikën e fundit të bronzit të hershëm e fillimin e bronzit të mesëm në vendbanimin e Varvarës, faza Varvara A. Dyvegjaket, përbëjnë një nga format më të njohura të enëve të varrezave tumulare të kësaj treve. Sipas profilit të trupit, dallojmë këto variante kryesore: a) variantit të parë u përkasin dyvegjaket shpatulllarta. Për nga mënyra e modelimit këto enë përbëjnë një formë të njohur në dyvegjaket e shek. XII-VIII para Kr., në Mat, në dyvegjaket e shek.XII-VIII para Kr, të zbukuruara me kanelyra të pjerrta në Pazhok, në dyvegjaken e luginës së Drinosit në shek. XII-X para Kr. b) varianti i dytë përfaqësohet nga dyvegjake, te të cilat spikat barku i gjerë bikonik.

Bikoniciteti i enëve dyvegjake është përdorur që në epokën e bronzit; c) varianti i tretë përfaqësohet nga dyvegjake me qafë konike e cilindrike, me buzë të drejta apo të kthyera lehtë nga jashtë dhe me bark të rrumbullakuar. Dyvegjaket me trup të rrumbullakuar paraqesin një mënyrë modelimi mjaft të njohur dhe në qendra të tjera tumulare të Kukësit dhe Hasit si në tumat e Kënetës, Myç-Hasit, si dhe në tumën e Romajës, të datuara në shek.VI-V para Kr. Enë njëvegjake. Ky tip ene, aq i parapëlqyer në zonën e bashkimit të dy Drinave, riprodhon pothuajse të njëjtin profil si tek enët dyvegjake. Njëvegjaket ndeshen në variante të ndryshme: a) me bark të rrumbullakuar b) shpatulllarta; c) dykonike; ç) me bark të rënë.

Enët njëvegjake përfaqësojnë një nga tipat më të zakonshëm të periudhës së hekurit të hershëm të vendit tonë, sidomos në shek.VI-V para Kr. Tenxhere: Paraqiten me qafë konike e trup të rrumbullakuar. Kjo kategori enësh njihen dhe në Bërnicën e Poshtme, Toponicën e Poshtme dhe datohen në shek. VIII para Kr. Gjenden gjithashtu tenxhere me grykë të gjerë dhe vegje gjysmëhorizontale. Si tip nga zbulimet e mëparshme të bëra në Kukës, është datuar në shek. VIII-VII para Kr. Ajo përfaqëson një formë tradicionalisht të njohur që nga koha e bronzit në vendin tonë. Krahasimet e afërta e lidhin atë edhe me tipin e enëve të Bërnicës së Poshtme, që datohen në mesin e shek. VIII para Kr; b) varianti i dytë përfaqësohet nga një enë me trup konik, buzë të pjerrtë, e cila tipologjikisht ofron me enët e Bellaçevcit të shek. VIII para Kr. Filxhanë.

Përbëjnë një formë të rrallë enësh për varrezat tumulare të kësaj zone. Janë me përmasa të vogla. Ndër ta mund të përmendim filxhanë që kanë trup dykonik të rrumbullakuar. Prej vendeve më të afërta të gjetjes së tyre, kjo formë të kujton enët e Gajtanit dhe më tutje ato të Glasinacit. Në varrezën tumulare të Myç-Hasit ato janë gjetur bashkë me maja heshtash fletëgjerë hekuri, që nuk i datojnë më herët se shek. VIII-VII para Kr. Tasat. Përbëjnë një nga format e qeramikës së varrezave tumulare. Janë përdorur variante të ndryshme.

Tasat me buzë të mbledhura paraqesin formën më të pëlqyer të tyre në këtë treve për shek.VI-V para Kr. Pjatancat. Enët e këtij lloji janë mjaft të kufizuara. Kanë trup konik, buzë të trashura të rrumbullakuara, buzë të drejta ose të pjerrëta etj. Megjithë praninë e ngjashmërive me tradita të hershme, përsosja që vihet re në modelimin e formave dhe teknika e punimit i ofron me qeramikën e shek.VI-V para Kr. Kilikët janë të punuar me baltë të pastër me ngjyrë okër në rozë, të lyer me vernik të zi të dobët në sipërfaqe me breza horizontalë.

Kilikë tipologjikisht të ngjashëm kanë dhënë me shumicë varrezat tumulare të Kukësit, Matit dhe datohen në fundin e shek. VI para Kr. dhe gjysmën e parë të shek. V para Kr. Skifosa të vegjël të lyer plotësisht ose pjesërisht me vërnik të zi etj. Zbukurimet e enëve janë të rralla dhe ndeshen zakonisht në enët dyvegjake. Janë realizuar me trekëndësha të vargëzuar dhe të inkustruar, rombe dhe vija paralele, vija vertikale të incizuar, kanelyra, thëmtha etj., të cilat paraqesin mënyra modelimi të njohura dhe në treva tjera si ato të Kosovës, Matit, Shkodrës, etj. Nuk mungojnë dhe motive të karakterit lokal, siç ndodh në zbukurimet e realizuara me motivin e halave të peshkut në objekte të zbuluara në Mujaj, Bjeshkë të Krumës e Myç-Has. Armët. Armët përfaqësohen nga majë heshtash, majë shigjetash, shpata, thika, hanxharë, sëpata kryqore etj. Përveç pak thikave prej bronzi të tipit mikenas, të gjitha armët janë punuar prej hekuri, të cilat në përgjithësi kanë qenë të dëmtuara nga oksidimi.

Majat e heshtave. Përbëjnë një ndër kategoritë kryesore të materialit të lëvizshëm arkeologjik. Ekzemplarët e ruajtur më mirë gjenden së bashku me enë qeramike të datuar në shek. VIII-VII para Kr, dhe sidomos në shek.VI-V para Kr. Maja shigjetash dhe shpatat ndeshen rrallëherë në varret e tumave të Kukësit… Gjetje të tilla janë zbuluar në Çinamak, Kënetë, Bardhoc. Maja shigjetash analoge njihen në Romajë dhe i përkasin shek.VI-V para Kr. Hanxharët. Në varrezat e këtyre tumave janë zbuluar hanxharë hekuri të përmasave të ndryshme. Janë të shpeshtë në tumat e MyçHasit, Kënetës, Bardhocit. Thikat. Shumica e gjetjeve janë prej hekuri, më së shumti të gjetura në tumat e Çinamakut, ndërsa thikat prej bronzi janë të kufizuara në numër. Nga këto të fundit, ka prej tyre që janë të ngjashme me thikat e zbuluara në periudhën e bronzit të vonë në Maliq (Korçë), Argos (Greqi), si dhe Punta del Tonno (Itali). Vegla hekuri, përfaqësohen nga sëpata e latusha hekuri që njihen dhe në qendra të tjera Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe Glasinac dhe datohen në shek. VI-V para Kr. Objektet e zbukurimit janë të rralla. Përbëhen nga byzylykë, thëmthore, saltaleone, gjilpëra, sumbulla, spirale, pincetë, rrathë, vargonj prej bronzi, rruaza prej argjendi, qelibari dhe qelqi si dhe objekte hekuri, etj. Byzylykët, spiralikë janë prej shiriti bronzi, me prerje në formë trekëndëshe janë gjetur në tumat e Kënetës, Krumës etj., janë përdorur edhe nga krahinat fqinjë të Ilirisë. Në Kosovë, në tumat e Suharekës, janë zbuluar byzylykë të ngjashëm, të datuar në periudhën HaC.

Me karakteristikat e përgjithshme dhe me pamjen e prerjes së shiritit përfaqësuesit më të mirë i ka Trebenishti, në shek. VIII-VI para Kr. Në tumat e Myç-Hasit janë zbuluar dy cope byzylykë, në varret 12 dhe 14 të tumës III. Byzylykë të përafërt shfaqen në Glasinac që në bronzin e mesëm, vazhdojnë në bronzin e vonë e deri në fillim të epokës së hekurit. Gjetja e byzylykut të varrit 14, në tumën e MyçHasit bashkë me një thikë të tipit mikenas, na shtyn ta datojmë në bronzin e vonë, ndërsa byzylyku i varrit 12 në bazë të inventarit datohet jo më vonë se fillimi i epokës së hekurit. Mjaft interes paraqet dhe gjetja e një byzylyku në tumat e Bujanit, i cili është përgatitur prej teli të trashë bronzi. I përket tipit me skaje të hapura pak të larguara njëri nga tjetri. Profesoreshë Zhaneta Andrea me të drejtë citon se ky lloj byzylyku, origjina evropiane qendrore e së cilës është e padyshimtë, tregon se nuk arriti të bëhet një formë e preferuar dhe të krijojë traditën e vet të përdorimit të gjerë tek ilirë. Fibulat e gjetura në këto treva njihen dhe në krahina të tjera dhe datohen në shek.VI-V para Kr.

Janë gjetur thëmthore prej shiriti të gjerë bronzi dhe prej teli spiralik bronzi dhe hekuri, si dhe gjilpëra prej bronzi e hekuri. Në Bardhoc e Çinamak janë gjetur gjilpëra bronzi, të cilat simbolizojnë gjarprin etj. Rruazat përbëjnë një dukuri të zakonshme në tumat e kësaj zone. Ato janë kryesisht prej qelqi dhe qelibari. Rruazat prej qelqi kanë pasur një përdorim të gjerë kohor në kulturën e Matit dhe variantin e saj kuksian. Mes tyre shquhen rruaza prej brumi qelqi të kaltër me shirita sythash të bardha të Krumës e MyçHasit, që njihen edhe në tumat e Kuçit të Zi. Ngjashmëri kanë dhe me ato të gjetura në “Crkvistë” Beranci të Pelagonisë, që datohen në periudhën arkaike.

Të pranishme janë edhe rruazat prej qelibari, të cilat paraqesin forma të njohura jo vetëm në Kukës, por në tërë Ilirinë. Konteksti ku janë zbuluar i daton në shek.VI-V para Kr. * * * Siç u vërejt më lart topografia e shtrirjes së tumave në trevën perëndimore dardane ishte e larmishme. Ato gjenden, si në afërsi të lumenjve, ashtu dhe në zonat kodrinore dhe malore. Tumat janë përdorur në bronzin e hershëm, të mesëm të vonë dhe hekurin e hershëm, në të tri fazat suksesive të tij. Natyrisht, nuk mungojnë rastet, ndonëse sporadike, kur tumat të jenë shfrytëzuar për varrim edhe në periudhat e mëvonshme antike mesjetare.

Kultura tumulare në verilindje të Shqipërisë, në tërë përbërësit e saj, qoftë në arkitekturën e tumave, si dhe në treguesit e tjerë, teknikës së punimit të qeramikës, formës e dekorit të saj, qoftë për objektet metalike dhe gjetjeve të stolive etj., paraqet tipare të njëllojta me zbulimet e kryera në treva të ndryshme të Ilirisë, brenda e jashtë vendit tonë, veçanërisht për krahinat veriore, qendrore, juglindore e jugore, duke qenë ngushtësisht e lidhur sidomos me mjaft qendra të zemrës së Dardanisë, territorin e Republikës së Kosovës. Shfaqjet e veçanta që vihen re në këtë mikrozonë të trevës dardane janë të karakterit lokal dhe nuk e cenojnë aspak tablonë e unitetit etnokulturor të bartësve të kulturës së tumave të Kukësit, Hasit, Tropojës, Rrafshit të Dukagjinit e Fushë Kosovës. Përmes një sërë argumentesh është provuar se kjo kulturë e Dardanisë inkuadrohet në një grup etnokulturor më të gjerë, në grupin ilir qendror Mat-Glasinac, karakteri ilir i të cilit as që mund të vihet në dyshim.

Duke u përfshirë në grupin kulturor MatGlasinac, si një variant i veçantë i saj, me veçoritë lokale e tiparet individuale që manifeston, kjo kulturë, me shtrirjen e saj, përputhet me territorin e banuar historikisht nga dardanët. Mendimet e shprehura nga arkeologët J. Glisiç, N.Duriç etj., për të lidhur kulturën e epokës së hekurit të Kukësit dhe të Rrafshit të Dukagjinit me Autarjatët është e paargumentuar shkencërisht, sepse nuk ka asnjë të dhënë burimore historike që t’i lokalizojë Autarjatët, qoftë edhe për një periudhë të caktuar të zhvillimit të tyre historik, në trevën e Qarkut të Kukësit apo në Rrafshin e Dukagjinit. Të dhënat e ofruara nga vendbanimet e nekropolet tumulare kanë provuar se trevat e këtij qarku, si dhe ato të Republikës së Kosovës, janë banuar nga dardanët, popullsi shumë e njohur e Ilirisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here