Petro Marko
Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën. Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë.
Lexo më shumë Petra, sekretet e qytetit të jashtëzakonshëm të lashtësisë
Gjatë viteve ’70 më erdhën në shtëpi Esat Mekuli, Hasan Mekuli, Rexhep Qosja Ali Aliu, i cili vendosi që të bënte një biografi për mua. Ai shkroi librin “Krijuesi dhe koha” për jetën e veprimtarinë time letrare dhe me atë punë mbrojti doktoratën. Kam marrë shumë letra nga lexues të thjeshtë, nga studentë, nga njerëz të artit e të kulturës dhe nga familjarët e heronjve dhe luftëtarëve të Spanjës. Tek unë në Shqipëri erdhën të më takonin: Mahiri, i vëllai i Xhemal Kadës, Luljeta, e bija e Emrush Myftarit, një djalë i mrekullueshëm kosovar, i cili u kthye gjallë nga lufta e
Spanjës dhe e gjeti vdekjen në Kosovë nga dora e serbit Milladin. Mahir Kada më telefonoi e më njoftoi se kishte dalë në treg seria e plotë e veprave të mia në Kosovë dhe se duhej të shkoja atje për të marrë shpërblimin që më takonte si shkrimtar, kurse unë në telefon iu përgjigja: “Asnjë shpërblim nuk pranoj, por ato që më takojnë do t’i vini në shërbim të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës me emrin e Asim Vokshit që po ndërtoni.” Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektojnë si shkrimtar e si luftëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë deri më sot. Mbeti një ëndërr. Këtë dëshirë e kam shfaqur me të gjithë kosovarët. Për çudi, për mua kufiri ishte i papërcaktueshëm. Edhe kjo është një nga dhimbjet e mia. E dua Kosovën gjer në dhimbje, se është Shqipëri!