Nga: Bernard Zotaj

Prej gjithë udhëtarëve britanikë që erdhën ose kaluan në Shqipëri, Mary Edith Durham është edhe sot padyshim më e spikatura dhe mbetet më e lidhura me Shqipërinë, sepse ka përshkruar shqiptarët në shkrime dhe libra të saj të botuara. Ndërsa vizitorë të tjerë të huaj që kaluan nëpër Shqipëri e kanë përshkruan atë së bashku me vendet e tjera ballkanike, kurse Durhami gjithnjë e më tepër u mor me problemet shqiptare, duke bërë përshkrime edhe për luftëtarë shqiptarë, armatimin dhe veshjen e tyre.

Edith Durham jo vetëm admiroi trimërinë, atdhedashurinë dhe bujarinë e shqiptarëve, por ajo u interesua me devotshmëri për fatin tragjik të Shqipërisë dhe popullit shqiptar që po kërcënohej në ato vite nga synimet dhe pazaret e shumta të Fuqive të Mëdha, që vinin në pikëpyetje ekzistencën e tij si komb. Me veprimtarinë e saj si publiciste, gazetare, autore librash, piktore, ajo u bë në opinionin përparimtar e politik të kohës përkrahëse aktive e çështjes së lirisë së Shqipërisë dhe të luftës së shqiptarëve për liri dhe një nga vëzhguesit e huaj me perceptimin më të mirë të ngjarjeve.

Fan Noli do të shkruante për të se zonja e nderuar angleze nuk ditka të tregojë vetëm simpatinë e saj për racën shqiptare, vetëm me libra të bukur. Puna që bëri në Podgoricë për refugjatët e urtë dhe kryengritësit e plagosur është aq fisnike, aq e lartë, aq e disinteresuar sa meriton mirënjohjen e gjithë kombit.

Në përshkrimin e saj për luftëtarët e veriut dhe të jugut të Shqipërisë ka theksuar se tek këta ekziston “konservimi i ca vlerave humane”, “vërsuleshin teposhtë me guxim rebelësh” dhe “s’e kishin për gjë të mos i bindeshin as mbretit të tyre, kur nuk ua donte qejfi”. Këto vlera të shfaqura prej shqiptarëve në të gjitha takimet e saj në Shqipëri, ajo i quan një sekret të tyre. Në analizën ajo mundohet të zbërthejë disa detaje që tek këta njerëz shfaqin vlera luftarake të admirueshme.

Përshkrimin e saj për luftëtarët shqiptar e nis që nga historia e lashtë, nga periudha romake e për të ardhur deri në fillimet e shek. XX, kur ajo i pa me sytë e saj luftëtarët shqiptarë nga veriu në jug. Ajo i quan “luftëtarë të rreptë dhe piratë të regjur”, sepse nuk kishin vetëm aftësi fizike, por edhe mendore. Kur flasim për luftëtarë të rreptë, në ushtri kuptohet një përgatitje e gjithanshme luftarake, zotërim të artit të luftimit, zbatim të rregullave të betejës, përdorim me mjeshtëri të shigjetës, shpatës dhe perfeksionim në përdorimin e armëve të zjarrit. Ajo arrin në përfundim se shqiptarët kanë qenë një popullsi e dendur në çdo kohë, sepse gjithmonë pushtuesve u është dashur shumë kohë për të pushtuar vendin, që nga koha e Ilirisë, Arbërisë dhe deri në luftërat botërore të zhvilluara. Më tej vazhdon se ata janë “piratë të regjur”, që e njohin dhe e zotërojnë detin dhe fuqinë e tij. Kjo tregon se dhe flota ushtarake e kohës ka qenë më e lehtë, më e shpejt dhe gjithmonë ka vepruar me një taktik dhe mjeshtëri në përgatitjen e veçantë si piratët e detit. Përshkruan bukur se mbi luftëtarët shqiptarë janë sulur ekspedita ndëshkimore të pushtuesve të ardhur në tokën e Ilirisë, por pushtuesit kanë hasur në një popullsi trime dhe kanë bërë një luftë të gjatë.

Në të gjitha udhëtimet e bëra në Shqipëri ajo flet për malet shqiptare, këta aleat të përhershëm të tyre, të cilët i kanë mbrojtur dhe janë bërë njësh me luftëtarët. Malet e Shqipërisë i vlerëson si strehim të luftëtarëve dhe mburojë e tyre. Malet i kalitnin dhe i stërvitnin luftëtarët duke arritur në përfundim se ajo e “kuptoi me shpejtësi shpirtin e shqiptarëve” dhe se fiset e malësisë së Shqipërisë, luftonin për t’u mbrojtur. Si një studiuese e vëmendshme është futur në thellësi të gjërave të vogla, tek çdo shqiptar që takoi, kudo ku shkeli këmba e kësaj malësoreje nga Anglia.

Shpesh ajo do të përsëriste se, kudo ku kam shkuar kam gjetur një kod moral në jetën e tyre që është “konak dhe besë”. Në çdo konak sipas traditës shqiptare ka gjetur bujarinë dhe besnikërinë shqiptare. Me shumë kujdes jep detaje për mënyrën e pritjes së shqiptarëve, për mënyrën e dorëzimit të armës tek i zoti i shtëpisë, vendosjen e tyre në vend të sigurt, qëndrimin në besë të çdo shqiptari, që ishte një kod dhe një dukuri e tyre e veçantë. Në çdo pritje shqiptarët kudo ku gjendeshin dhe takoheshin kishin një shprehje që ngulitej thellë në zemër kur të thoshin “mirë se erdhe”. Kjo mirëseardhje ju del drejt e nga shpirti. Është një karakteristikë dhe një vlerë që Edith e gjeti tek të gjithë shqiptarët, si një kombësi e veçantë.

Vend të veçantë për Edith Druhani zënë përshkrimet e luftëtareve për lirinë e vendit, e njohur edhe si Tringa e Grudës (1870-1917). Në kryengritjen e vitit 1911 ajo mori pjesë me armë në Deçiç e gjetkë, ndihmoi sidomos për furnizimin me armë e ushqime dhe për tërheqjen e mjekimin e të plagosurve. Ata me drejtuan në shtabin e fisit të Grudës … Njerëzit e Grudës ishin vendosur në shtëpinë e madhe të një myslimani të pasur. Tringë Smajla nga Gruda, një virgjireshë shqiptare, e fortë dhe e shëndoshë, që nuk e di ç’është frika, kishte rrëmbyer në Deçiç një kalush trugjatë e të shkurtër, ngjyrë hiri, bërë si një baldosë, e kishte ngarkuar me kafe, bukë, kripë dhe kishte ardhur për të gatuar për njerëzit e fisit të Grudës.

Kudo ku ka shkuar në Shqipëri, ajo thekson në mënyrë të veçantë për traditave të malësorëve të Shqipërisë veriore. Këto tradita shfaqeshin në ndërtimin e shtëpive, në vendosjen e tyre në pozicione që të shërbenin për t’u mbrojtur, shtëpi tip kulle, me frëngji dhe të mbrojtura nga pozicioni i vendosjes gjeografike. Tek çdo shqiptar ka parë kujdesin për pushkën, për mirëmbajtjen, për stërvitjen e të rinjve dhe shpejtësinë me të cilën e zotëronin dhe e përdornin.

Me syrin e një analisteje vëren kudo që ka shkuar se “të gjithë burrat që lëronin tokën mbanin gjeverdare (pushkë)”. Ndërsa të gjithë “barinjtë kishin martina dhe gjerdanët plot me fishekë”. Kudo, “shumë të rinj, çunakë të errët, fort të pashëm, të hedhur dhe sqimatare me paraqitje krenarie” sikur donin të thoshin “vëri gishtin kokës, jam unë këtu”. Më tej ajo jep dhe përfundimin se “jeta është shumë e rëndë, prandaj ata më të fortët mund të mbijetojnë”. Në një vend tjetër tregon se si suvaria, kalorësi, kishte ndalur për të parë dy trungje arrash të mëdhenj, “shenjave të plumbave në qitje me pushkë që kishin pasur bërë njerëz të ndryshëm”. Në analizën e problemeve ajo arrin në këtë përfundim se çdo shqiptar është i “marrë që s’është i armatosur”. Lëvizja e çdo shqiptari në territor “jashtë pa qenë i armatosur … është aq budallallëk”.

Edith Druhan ishte e pandarë nga luftëtarët shqiptarë. E vërteta është se shqiptarët e kanë nderuar dhe e nderojnë edhe sot Durhamin, pasi ajo u fali zemrën atyre, ndërsa shqiptarët i shfaqën mirënjohje të thellë. Shqiptarët studimet e saj i konsiderojnë si pjesë autentike dhe të pandara të historisë. Madje, ajo cilësohet e nderohet si një nga figurat më të spikatura të huaja të shekullit të kaluar që ka luftuar për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë, si nga autoritete shtetërore ashtu dhe nga autoritete dhe institucionet të larta shkencore të vendit tonë. Megjithatë, ashtu si dhe protagonistët e tjerë historikë, edhe ajo duhet të konsiderohet si një protagoniste dhe luftëtare e duhet t’i kushtohet vëmendje.

Edith Durham ishte një grua e mençur, fisnike, trime dhe kurajoze. Për një jetë të tërë punoi e luftoi që vendi ynë t’i shpëtonte copëtimit e të merrte përparimin dhe zhvillim. Misionin e kësaj gruaje trime dhe kurajoze një gazetë angleze dhe e botuar nga “Dielli” 1917 e përshkruan kështu “një udhëtim për liri ndaj përpjekjeve të grekëve për të helenizuar Korçën. Mundimi i znj. Durham për shpëtimin e atij qyteti. Çau malet nga Korça në Berat për një telegraf në Londër”.

Në të gjitha këto udhëtime në Shqipëri, Edith Durham shkroi studime historike, etnografike, antropologjike, të traditës, folklorit e të zakoneve tona, si dhe shkroi libra, midis të cilëve mund të përmendim “Lufta për Shkodrën”, “Origjina e disa fiseve”, “20 vjet ngatërresa Ballkanike”, “Kulti i Diellit dhe Hënës në Ballkan”, “Shqipëria e sipërme”, “Brenga e Ballkanit” etj. Në udhëtimin e parë dhe të gjatë në Shqipëri nga jugu në veri në vitin 1904, i bënë përshtypje të gjitha shtresat e popullsisë, kudo ku shkoi, të gjithë kërkonin pavarësinë e atdheut. Durhami nga kjo zbuloi një zë legjitim plot pasioni sa dhe real, një e drejtë kjo që sipas saj s’mund t’jua mohonte askush, as luftëtarëve shqiptarë.

Në vitin 1908, Durhanin e tërhoqën viset e Malësisë së veriut të Shqipërisë. Në këtë kohë ajo e kishte transformuar veten në një etnografe dhe shprehte vendosmërinë në bërjen e studimeve serioze të fiseve shqiptare në trevat e Malësisë, dhe këtë e bëri realitet duke shkruar librin: “Shqipëria e Epërme” (1909). Udhëtoi duke kaluar nga një fshat në tjetrin, e cila mori nderim madhështor. Për çdo fshat ajo evidentoi historitë dhe fotografoi nga afër çdo aspekt të jetës në fshatrat malore dhe arriti të grumbullonte një arkiv të pasur të traditave dhe zakoneve folklorike shqiptare. Gazetari britanik, Henri Nevinson, që e shoqëroi Durhamin kur ajo administronte ndihmat për malësorët shqiptarë, gjatë luftërave ballkanike të 1912-1913, duke përshkruar cilësitë që e shndërruan atë në legjendë, thekson se “qysh kur vuri këmbën në Shqipëri, ajo u bë shqiptare me zemër dhe shpirt”. Ndaj këta “njerëz besnikë, kurajozë, e mikpritës” siç i cilëson shqiptarët ka vlera të zbatohet dhe një porosi e Nolit për “… t’u ipet rasja të gjithë atdhetarëve të këtushëm t’i tregojnë botërisht shtimin dhe mirënjohjen e tyre”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here