RILINDASI VETERAN, HERO I MOHUAR

Nga: Hajredin Isufi

Ka qenë një barrakë e vogël në qendër të Tiranës në fillimin e viteve ‘60, ku shiste cigare një i moshuar mbi të 80-tat. Shumëkush nga klientët që shkonte aty nuk e dinte që shitësi i veçantë ishte një nga korifenjtë e çështjes çame dhe asaj shqiptare.

Fati e deshi që Musa Demi, lideri kryesor i qëndresës antiosmane, nismëtari për hapjen e shkollave dhe klubeve shqiptare, koordinatori i bashkëpunimit me lëvizjen patriotike në mbarë trevat shqiptare, negociatori me përfaqësitë e vendeve të huaja, austro-hungareze, italiane e franceze për kundërshtimin e pushtimit dhe copëtimin e Shqipërisë, luftëtari i orëve të para kundër represionit e gjenocidit grek e serb dhe legjendari i çështjes çame, t’i kalonte vitet e fundit i braktisur e në vetmi në Tiranë, për të cilën kishte ëndërruar që fëmijë.

I pasaportizuar aty fill pas Luftës së Dytë Botërore, kur për 70 vite kishte luftuar si rrallëkush jashtë Shqipërisë për lirinë dhe prosperitetin e saj, Musa Demi, pinjoll i një familje të shquar të komunitetit çam, u shua një mbrëmje dimri të fundviteve ‘60 në një strehëz të rrënuar afër qendrës së kryeqytetit. Askush nuk e mori vesh të nesërmen se nuk ishte një njeri i zakonshëm ai që përcillnin për në banesën e fundit dytre punonjës të komunales. Iku pa bujë e pa ceremoni mortore, patrioti i bëmave të mëdha. Po edhe pa asnjë dekoratë nga shteti, për të cilin kontribuoi një jetë të tërë….

BETIMI NË VARRIMIN E PAPA KRISTO NEGOVANIT

Musa Demi është një atdhetar i shquar i komunitetit çam nga qyteti i Filatit. Për herë të parë, emri i tij u bë i njohur në betimin para trupit pa jetë të Papa Kristo Negovanit, i cili u vra në pabesi nga qarqet shoviniste në vitin 1906. Nuk ishte një përbetim thjesht për hakmarrje, po për bashkim dhe mbrojtje të të drejtave kombëtare.

Musai bashkë me atdhetarë të tjerë nga Filati ndiqnin me vëmendje ngjarjet që zhvilloheshin brenda dhe jashtë vendit dhe asokohe përpiqeshin të mbanin kontakte bashkëpunimi me rrethet patriotike të Shqipërisë së Poshtme. Atentati ndaj priftit atdhetar e preku dhe revoltoi shumë Musa Demin. Ai organizoi enkas një mbledhje me miqtë e tij nga Filati dhe aty mblodhi ndihma në të holla për fëmijët jetim të Negovanit dhe ndërtimin e varrit të tij.

Në vitin 1908, kur qeveria turke e shpalli Çerçiz Topullin person shumë të kërkuar dhe për kapjen e tij vuri një shumë të madhe të hollash, Musa Demi e ruajti atë e shokët e tij nga forcat osmane. Filati, në ato vite, dhe në mënyrë të veçantë shtëpia e Musa Demit, u bë strehë për luftëtarët e lirisë. Sipas dëshmisë së Mihal Gramenos, patriot i shquar, Abaz Nivica, ”për 6-7 muaj u sëmur rëndë dhe kështu u shtrënguam ta dërgojmë në Çamëri te zoti Musa Demi nga Filati, një nga të flaktit atdhetar, ku u prit fort mirë deri sa u shërua4 “.

Më 23 korrik 1908, një ditë pas shpalljes së Kushtetutës së Xhonturqeve, Musa Demi i dërgoi një letër Kristo Dakos në Bukuresht, të cilit i kërkonte libra për shkollën shqipe në Filat dhe për bibliotekën pranë saj që pritej të hapej së shpejti. Dhe ndodhi çasti i lumtur, ku Filati, qyteti i traditave patriotike, më 28 gusht 1908 hapi për herë të parë shkollën në gjuhën amtare. Këtë lajm të gëzuar Musa Demi e publikoi në gazetën “Liria”. Pas kësaj ai dhe anëtarët e Komitetit “Për Lirinë e Shqipërisë” iu përveshën punës për çeljen e klubit patriotik, që u pagëzua me emrin “Vllazëria”.

Për këtë ngjarje të shënuar, Musa Demi, më datë 8 të vjeshtës së parë 1908, njoftoi Fehmi Beun, kryetarin e Klubit të Manastirit. Ai konsiderohej si drejtuesi më i rëndësishëm i lëvizjes kombëtare shqiptare në kanzanë e Filatit. Klubi “Vllazëria” i Filatit u dallua qysh në fillim për organizim të lartë dhe për unitet të fortë të anëtarëve të tij, pavarësisht nga besimi fetar. Filati, shkruante gazeta “Zgjimi i Shqipërisë”, nëpërmjet Musa Demit ishte kthyer në këtë kohë qendra e propagandës ku përhapej për krahinën e Çamërisë, shtypi i Rilindjes9. Musa Demi vazhdoi lidhje të drejtpërdrejta me Kadri Gjatën në Janinë, me Namik Delvinën në Delvinë, me Bajo Topullin e Çerçiz Topullin në Gjirokastër, me kryesinë e klubit patriotik të Manastirit, Elbasanit, Vlorës, Gjirokastrës etj.

NDËR PIONIERËT E PARË TË PUBLICISTIKES SHQIPTARE.

Musa Demi e vlerësonte shtypin patriotik të Rilindjes si një armë të fuqishme për t’i shërbyer çështjes kombëtare. Fillimisht nisi të bashkëpunonte me gazetën “Liria”, që dilte në Selanik në shtator të vitit 1908. Aty është botuar edhe shkrimi i parë i Musa Demit i njohur deri më sot. Në prill të vitit 1909, atdhetari nga Filati u thirr nga Kadri Gjata, kryetar i klubit patriotik të Janinës për ngritjen e një gazete shqiptare. Ai shkoi në janinë dhe më 14 Qershor 1909, siç njofton konsulli austro-hungarez në Janinë, doli numri i parë i gazetës “Zgjimi i Shqipërisë” në gjuhën shqipe. Ai botoi pothuajse në të gjitha organet e kohës, herë me inicialet M.H, D.L (Demo Lasko), herë me emrin M. Hamiti, M. Demi, herë me pseudonime: S. Lasko, M. Ushtari, Tomorr Çami etj. Botoi shumë në gazetën “Bashkimi i Kombit”, në gazetën “Dielli”, “Shqiptari”, “Shkumbi”, duke iu dhënë popullaritet nëpërmjet shkrimeve të veta. Publicistika e tij dallon për gjuhë të pastër, të thjeshtë dhe me të vërteta tronditëse për ngjarje të jetuara në hapësirën çame, për përpjekjet e një popullsie të tërë për mbrojtjen e identitetit të vet.

DREJTUES POLITIK I ÇETËS SË ÇAMËRISË.

Në vitin 1911, konsulli austro-hungarez, Kraus, në Vlorë i raportonte Vjenës se në Çamëri vepronte Musa Demi dhe Muharrem Rushiti, me ta dhe Alush Taka nga Konispoli, gjithsej me 70 vetë. Musa Demi, në një letër që i shkruante nga malet e Çamërisë Sotir Kolesë në Misir, më 29 korrik 1911, i bënte të qartë misionin historik të çetës dhe synimet që do të arrinte Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Çamëri në bashkëpunim me viset e tjera shqiptare në jug e veri të vendit. ”Neve muarrmë armët në dorë dhe duallmë malit, shkruan ai, për të fituar të drejtat tona nga qeveria turke dhe do të jemi te bashkuar me malësorët dhe gjithë shqiptarët”1 .

Atdhetari nga Filati protestoi për shpërnguljen e masave të shqiptarëve të Çamërisë për në stepat e Anadollit në kuadrin e shkëmbimit të popullsisë greko-turke. Musa Demi dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në Filat, në Margelliç, në Paramithi e Gumenicë, shihnin se kriteret e vendosura në Traktatin e Lozanës (janar 1923) dhe nga Lidhja e Kombeve nuk respektoheshin. Musa Demi u përfshi në një veprimtari të pandërprerë kundër shkëmbimit të shqiptarëve të Çamërisë. Ai nisi letra dhe peticione drejtuar qeverisë shqiptare dhe asaj greke, Lidhjes së Kombeve, çfarë kishte egërsuar shumë autoritetet greke në Janinë. Në këto rrethana, qeveria greke e asaj kohe e shihte mjet të mundshëm për realizimin e planeve të saj arrestimin dhe izolimin e përfaqësuesve të Çamërisë.

Në fundin e muajit maj 1924, Musa Demi, i cili sapo ishte kthyer nga takimet që kishte pasur me kryetarin e komisionit mikst, i dërguari i Lidhjes së Kombeve për çështjen e shkëmbimit të popullsisë, arrestohet së bashku me një grup atdhetarësh nga Filati, Margëlliçi, Paramithia e Gumenica. Rreth arrestimit të Musa Demit e shokëve të tij pati reagime e protesta në Çamëri. Përfaqësuesi i Shqipërisë në Gjenevë, arrestimin e Musa Demit e bëri problem në Lidhjen e Kombeve, më 24 qershor 1924. Ndërkohë, Karl Bratli, kryetar i nënkomisionit XIV mikst të Epirit ndërhyri vetë pranë guvernatorit të përgjithshëm në Janinë për lirimin e tij. Ndërkaq, pas kthimit nga internimi, ai vazhdoi të mbahej i arrestuar në burgjet e Janinës.

Në vjeshtë të vitit 1924 lirohet, por në pranverën e vitit 1925 rinisën arrestimet në Çamëri, kështu ndodhi edhe me Musa Demin që ishte liruar 6-7 muaj më parë. Më 3 mars 1925, në burimet e kohës njoftohej: ”Musa Demi është arrestuar nga policia greke në Korfuz se kishte protestuar kundër kombit të Çamëve”13. Sa herë që qeveria greke planifikonte të arrestonte parinë e Çamërisë që të mos kishte vështirësi në planet e saj djallëzore, i pari në listë ishte Musa Demi nga Filati.

Atdhetarit çam të Filatit, qelitë e burgut e kampet e internimit i ishin bërë një shtëpi e dytë. Në verën e vitit 1929, veterani atdhetar i Filatit gjatë kthimit në qytetin e tij, nga Athina, arrestohet në Janinë, nën akuzën ”Propagandist shqipëtar”. Në procesin gjyqësor ndaj tij, u konstatua se nuk kishte asnjë provë për ta fajësuar dhe doli nga burgu.

MESAZHE PËRTEJ URREJTJES DHE ARMIQËSISË

Në vitin 1932-1933, në Tiranë vepronte një bërthamë patriotësh që kishin krijuar një komitet kundër ligjit agrar që kishte krijuar qeveria serbe. Në këtë komitet bënte pjesë edhe Musa Demi, i cili në këtë kohë konsiderohej nga qarqet greke dhe ambasadori grek në Tiranë, K.A.Kollas, ”një mbrojtës i zjarrtë i të drejtave të çamëve në shtypin shqiptar, në Lidhjen e Kombeve dhe një antigrek”.

Ai vërtet ishte ”mbrojtës i zjarrtë i të drejtave të çamëve”, por në veprimtarinë e tij të gjerë diplomatike ishte përpjekur dhe përpiqej, të krijonte ura lidhjeje midis dy vendeve, ulje tensionesh, prej të cilave do të përfitonin dy popujt fqinjë, që historia shpesh i kishte vënë përkrah njëri-tjetrit.

Musa Demi, në vitin 1932, duke u kthyer nga Tirana për në Filat, u ndal në Gjirokastër e më pas shkoi në selinë e gazetës “Demokratia”, që dilte në atë qytet, duke i rekomanduar redaksisë së saj se do të ishte në interes edhe të shqiptarëve, edhe të grekëve që mbanin lidhje miqësore të ngushta me shoqi-shoqin. Që të arrihej një qëllim i tillë, vuri në dukje ai, shtypi duhej të jepte kontributin e tij më të madh.

Shtypi, deklaroi Musa Demi, kishte për detyrë të spastronte terrenin nga pengesat, që marrëdhëniet midis dy vendeve e dy popujve të forcoheshin. Ai kërkoi që gazeta “Demokratia” ta hidhte e para këtë hap, pavarësisht nga qëndrimi që mbante shtypi grek. Gjithashtu, ai i kërkoi redaksisë së gazetës gjirokastrite që të zbuste tonet e sulmeve kundër Greqisë pasi, sipas tij, ashpërsimi i këtyre sulmeve sillte ashpërsimin e marrëdhënieve midis vendeve fqinje. Mesazhi i Musa Demit, në atë periudhë të mbarsur me trazira e me veprime të dhunshme ndaj pakicave shqiptare, ishte kumti që dilte nga goja e një patrioti dhe diplomati largpamës. Ai nuk shprehte as frikë dhe as dobësi apo tërheqje nga betimi që kishte bërë bashkë me dhjetëra patriotë të tjerë çamë për mbrojtjen e Çamërisë martire. Këtu nuk duhet harruar se ky mesazh dilte nga goja e një të burgosuri për të disatën herë nga qeveria greke, të një njeriu që ishte fyer me lloj-lloj epitetesh dhe ishte akuzuar si shkatërrues i shtetit grek, madje që i kishin rrëmbyer të gjitha pronat.

Patrioti dhe diplomati i shquar çam do të shihte përtej urrejtjes që qarqet shoviniste e dritëshkurtra greke kishin mbjellë për të armiqësuar dy popujt. Kishte ardhur koha që shtypi i dy vendeve, intelektualët e vërtetë, të jepnin mesazhe të tjera, për të zbutur zemrat e trazuara dhe për të ulur gjakrat dhe ftohur kokat e nxehta të politikanëve. Musa Demi e bëri të tijën: ai kërkonte mirëkuptim midis dy popujve. Pak a shumë, ky ishte realiteti i Çamërisë në prag të luftës italo-greke.

NJË JETË NË BURGJE E INTERNIME

Propaganda fashiste që nxiti qeveria e Metaksait në radhët e të krishterëve kundër myslimanëve, e thelloi edhe më shumë situatën konfliktuale në Çamëri. Kësaj fryme përçarëse i shërbeu dhe internimi i parë i krerëve të Çamërisë më 25 tetor 1940, tri ditë para sulmit të Italisë fashiste kundër Greqisë.

Mes të internuarve në listën e parisë së Filatit ishte edhe Musa Demi. Internimi i krerëve të Çamërisë bëri që të ndërpritej misioni që kishte marrë përsipër atdhetari çam i Filatit dhe mbështetësit e tij kundër propagandës fashiste. Në burimet e kohës thuhet se grekët e mençur nuk u pajtuan me veprimet shoviniste që ndërmerrte qeveria e Metaksait kundër popullsisë çame.

Historiani Jani Sarra nga rrethinat e qytetit të Gumenicës në librin e tij shkruante se Kristo Patuli, kur pa se komandanti i Korofillaqisë së Gumencës, Kardhullaqi, i mblidhte burrat e parisë së fshatit Grikohor për internim, u tha: ”Ju jeni i huaj, sot ju kemi këtu, nesër do të shkoni.

Ne do të rrojmë së bashku me këta dhe ne do t’i paguajmë pjatat e thyera”8 . Dhe ngjarjet rrodhën ashtu siç i parashikoi i ndjeri Kristo Pituli. Internimi i parë u pasua në mesin e nëntorit 1940, nga një valë tjetër e madhe që përfshinte meshkujt çamë të moshës 17-70 vjeç9 .

Ndërkohë “pati dhe të krishterë që ishin vërsulur mbi fshatrat myslimane dhe grabisnin ç’u dilte përpara në shtëpitë dhe në pronat e myslimanëve”. Një vale egërsie e pashembullt dhe mizori çnjerëzore shfrynte mbi gratë, pleqtë dhe fëmijët e pambrojtur. Ishte përmbysur dhe shkelur çdo gjë: besa, buka, miqësia, vëllazëria, kumbaria, rregulli dhe tradita shekullore.

Rregullin e ligjin e vendosnin kokat e nxehta, të huaja dhe vendase, që të verbuar nga propaganda, vrisnin njerëz të pafajshëm, deri pleq, të rinj e fëmijë, plaçkitnin në mes të ditës, thërrisnin gra, vajza e nuse të bukura dhe i përdhunonin. Ishte koha kur shqiptarët myslimanë çamë përjetonin një tragjedi vërtet të denjë për t’u shkruar nga Eskili i lashtë grek. Çamët e internuar përplaseshin nëpër ishujt e Egjeut. Nisja e tyre bëhej natën vonë dhe udhëtimi gjithmonë me det.

Të depotuarit çamë, të mbyllur nëpër hambarë anijesh, ishin nën një mbikëqyrje të rreptë. Cilido që guxonte për të parë pakëz dritë ose për të kërkuar pak ujë, goditej për vdekje nga Korofillakët. Ata dërgoheshin në kampet e përqendrimit që ishin caktuar enkas në Mesollongj, Hio, Metilin etj. Në ato kampe, “robërit e luftës” dhe “armiqtë e Greqisë dhe të popullit grek” vdisnin dalëngadalë prej urisë, torturave e sëmundjeve. Në to kishte mjaft shembuj e fakte që tregonin ku kishte arritur shpirti kriminal i agjentëve të policisë dhe të administratës Jorgos e Metaksait. Atje dergjej edhe Musa Demi, në kampin e të internuarve në Hio, në vitin 1940, që priste nga çasti në çast siç duket në këtë foto që shikonte drejt rrugës së vdekjes.

Ai bashkë me çamët e tjerë që i shpëtuan vdekjes u kthyen në familjet e tyre rreth majit 1941. Në këtë kohë Greqia e kishte humbur luftën, Greqia ishte i pushtuar nga forcat naziste. Ndërkohë, në Çamëri kaosi dhe anarkia tashmë kishte dalë sheshit dhe çdo gjë ishte jashtë kontrollit. Gjendja në Çamëri ishte tensionuar shumë.

Qarqe të caktuara, ekstremet te të dyja komunitetet, nxitnin hakmarrjen dhe urrejtjen. Lufta vëllavrasëse ishte në prag të shpërthimit.

Fshatarët e krishterë në Çamëri ishin të pambrojtur dhe nën një kërcënim të vazhdueshëm nga elementë të veçantë çamë, që kishin strehë dhe inkurajim nga klika fashiste e Nazar Dinos dhe Nuri Dinos që e quanin veten si drejtuesit e fateve te Çamërisë.

Në këto rrethana, Musa Demi organizoi një takim në fshatin Koskë të Filatit. Në takimin e krerëve çamë ishin thirrur dhe të krishterë, që kishin deklaruar që nuk dëshironin armiqësinë në mes tyre dhe myslimanëve, që nxitej nga propaganda fashiste e Italisë dhe Qeveria Greke.

Musa Demi u bëri thirrje të pranishmëve që të ndikonin në frenimin e elementit keqbërës, që ishte me pasoja të rënda për të dy palët. Ai gjeti mbështetje të plotë te të pranishmit për idetë që shtroi. Fill pas mbledhjes së Koskës, ata u shpërndanë në fshatrat dhe qytetet e tyre për të ulur valën e zemërimit, tensionit dhe hakmarrjes.

Musa Demi shkoi vetë në zonën e tensionuar të Margëlliçit për të ulur gjakrat. Ai kishte mësuar se familja e Gjinikasve dhe të afërmit e tij kishin zënë rob djalin e Vasil Ballumit dhe, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të birit të tyre, e mbanin atë të izoluar në shtëpinë e tyre, por pa e keqtrajtuar. Prania e Musa Demit ne Margëlliç gjeti mirëkuptim të plotë, jo vetëm te paria e Margëlliçit, por dhe te familja Gjinika dhe në mënyrë të veçantë te Riza Gjinika dhe e shoqja, që mbanin peng djalin e brishtë në shenjë hakmarrjeje.

Te myslimanët e Margëlliçit ndodhi ajo që nuk e priste as vetë banditi vrasës, Vasil Ballumi: lirimi i djalit të tij. Ky akt i lartë tregoi se çamët në përgjithësi, dhe drejtuesit e tyre në veçanti, nuk ishin as vrasës, as grabitës, as hakmarrës, as kriminelë. Në këtë përfundim ka arritur edhe historian grek Zhang, kur nënvizon: “Sikur shqiptarët çamë të ishin vrasës e kriminelë do të ishin zhdukur të gjithë fshatrat e krishterë të Çamërisë që ishin rreth fshatrave myslimane”.

Vlen të nënvizohet fakti që nismëtar për krijimin e formacionit të parë luftarak antifashist në Çamëri u bë Musa Demi dhe Prokop Shqevi. Çeta fillimisht kishte 20-30 luftëtarë. Anëtarë të çetës ishin myslimanë e të krishterë, mes tyre edhe djali e vajza e Musa Demit. Shtëpia e Musa Demit në Filat priste drejtues të EAM-it, Kosta Palamaku nga Petrovica, Prokop Kalin nga Liveri, Pecalin nga Sidheri… etj.

Musa Demi ishte një nga veteranët më të moshuar të Rilindjes Kombtare, të luftërave ballkanike si dhe një nga përfaqësuesit më të spikatur mbrojtës së çetës çame në vitet 1905-1918. Fill pas luftës, Musa Demi u kthye në Shqipëri, por u zhgënjye se nuk gjeti atë që ëndërronte. Kërkoi nga autoritetet zyrtare të botonte kujtimet e tij me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë, por nuk gjeti mbështetje.

Kërkoi një pension pleqërie, madje takoi dhe Mehmet Shehun, por përgjigjja ishte më shumë se shpërfillëse: “Nuk meriton pension të veçantë”. Me dhimbje, Musa Demi vërente se shqiptarët po humbitnin jo vetëm Çamërinë, por edhe historinë e lavdishme të saj. Musai ynë i madh kishte të drejtë… Po të rronte sot, do të ishte edhe më i revoltuar…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here