Arkitektët në studimin e tyre lidhur me xhamitë e qytetit të Mitrovicës japin të dhëna për ekzistimin e tetë xhamive në qytet gjatë periudhës osmane e gjer në kohën e pushtimit serb.
Në materialin e siguruar nga Instituti për Trashëgimi Kulturore Islame, Planifikim dhe Ndërtim, përkatësisht nga monografia ende e pa botuar “Xhamitë e Republikës së Kosovës – Komuna e Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Monografia nr. 9”, autorë: M.Sc. Sami Isufi arch. dhe MA Esat Ramadani arch., gjejmë të përshkruar në hollësi historinë e xhamisë së Ibrit dhe xhamisë së dytë përtej Ibrit, xhamisë Karagozollu Hasan Aga.
“Qyteti i Mitrovicës u bë i rëndësishëm në shek. XVII, XVIII dhe veçanërisht në shek. XIX. Ndërsa zhvillimi ekonomik filloi me dinamikë të theksuar veçanërisht me ndërtimin e hekurudhës Shkup – Mitrovicë, në vitin 1873. Me aneksimin austro-hungarez të Bosnjës në vitin 1878, por edhe me shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, shumë banorë të Bosnjës dhe Sanxhakut të Nishit marrin rrugën e migrimit për në qytetin e Mitrovicës. Mitrovica nga boshnjakët ishte bërë cak për disa arsye: ishte deri atëherë pjesë e Sanxhakut të Bosnjës, administrohej nga ata,ishte territori më i afërt që gjendej edhe më tutje nën Perandorinë Osmane dhe ndoshta edhe arsyeja më e rëndësishme ishte popullata e atyshme me shumicë i takonte fesë islame, ndonëse nuk i përkisnin të njëjtës etni. Shumë familje muhaxhirë boshnjakë dhe shqiptarë u vendosen në Mitrovicë, në mëhallët ekzistuese dhe shumë sosh formuan edhe mëhallë të reja. Kësisoj qyteti pësoi rritje demografike dhe rrjedhimisht qyteti filloi të zgjerohet dhe të ndërtohet menjë dinamikë të shpejtë. Muhaxhirët nga Sanxhaku i Nishit dhe Bosnja përveç mëhallëve ekzistuese u vendosën edhe në zona të pa banuara deri atëherë,…” thonë në studimin e tyre arkitektët S.Isufi dhe E.Ramadani.
Më tej në studim thuhet: “Me popullimin e pjesës veriore të qytetit, matanë Ibrit, u paraqit nevoja edhe për xhami të reja. Vendosja e muhaxhirëve ishe bërë fillimisht në afërsi të lumit Ibër, përkatësisht urës dhe mullirit që gjendej edhe para ardhjes së tyre. Kësisoj në 2-4 vitet e para, rreth vitit 1880/82, u ndërtua xhamia e parë në pjesën veriore të qytetit. Në këtë xhami sipas të dhënave të KBI-Mitrovicë ka qenë imam/hatib i parë Haxhi Kërxha (1880/82-1918). Xhamia në popull është enjohur me tre emra, si xhamia e Haxhi Kërxhës (Gërxhës), sipas emrit të imamit të parë; xhamia e Ibrit, për shkak të afërsisë me lumin Ibër dhe si xhamia e boshnjakëve, për arsye që u ndërtua në mëhallën me shumicë boshnjake.
Sipas të dhënave të KBI-Mitrovicë, katër imamët të cilët kanë shërbyer në këtë xhami ishin:
- Haxhi Kërxha (Gërxha), i cili ka shërbyer nga fillimi deri në vitin 1918;
- Hafiz Ali Emini, i cili ka shërbyer në mes viteve 1918-1945;
- Hafiz Is’hak Ramaxhiku, i cili ka shërbyer në mes viteve 1945-1972/73;
- Mulla Milazim Jashari, i cili ka shërbyer nga 1972/73 deri në djegien e xhamisë nga forcat serbe me 2 maj të vitit 1999,” thuhet në studimin e tij.
Sipas të dhënave të njëjta, krahas xhamisë ishte ndërtuar edhe mektebi, në krahun e majtë të xhamisë (shikuar nga fasada ballore). Mektebi kishte funksionuar deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Gjë që diç më vonë,në vitin 1950, të mësuarit e fëmijëve nëpër xhami me ligj konsiderohej vepër penale. Pas kësaj gjendjeje mektebi ishte rrënuar dhe në vend të tij ishte ndërtuar një furrë buke dhe dy lokale afariste nga KBI-Mitrovicë. Furra dhe dy lokalet kishin funksionuar deri në luftën e fundit, kur u dogjën dhe u rrënuan me themel nga forcat serbe së bashku me xhaminë…”
Sipas të dhënave të KBI-Mitrovicë, xhamia Karagozollu Hasan Aga ka funksionuar deri në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë kësaj lufte ishte rrënuar minarja dhe pas luftës pushteti e kishte uzurpuar dhe e kishte shndërruar në depo. Ngjashëm me rastin e xhamisë së Banjskës, por edhe shumë xhamive tjera në tërë territorin e Kosovës, si pretekst për rrënimin e saj ishte marrë plani urbanistik.
Postim : Mitropol
Autor: Shkëlzen Rrecaj/Tesheshi
