Çun Mula i lindur në 1818 në Hot, ai vinte nga familja Lucgjonaj e cila e kishte prejardhjen nga familja Junçaj e Hotit. Sipas Kodit të Lekë Dukagjinit, Çun Mula u vu në krye të fiseve nga Malësia. Nisur nga emri i madh që krijoi Çun Mula në atë krahinë, në vitin 1878 paria e Hotit dhe e Malësisë së Madhe e zgjodhi atë si përfaqësues të saj në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit që u mbajt më 10 qershor të atij viti nën kryesinë e Iljaz Pashë Dibrës (Qokut).Në këtë kuvend, Çun Mulës iu caktua edhe funksioni i Komandantit të forcave vullnetare ushtarake për gjithë Malësinë e Madhe. Ai ishte njëri nga 15 delegatët shqiptarë nga Shqipëria veriore të dërguar gjatë bisedimeve të Kongresit te Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878) bashkë me tri roje nga Mirdita.Kur Princ Nikolla I i Malit të Zi hyri në territorin i cili i ishte caktuar atij nga Kongresi i Berlinit, Mula dhe shefat tjerë nga Malësia organizuan një rezistencë kundër Malit të Zi. Një nga betejat më të mëdha që udhëhoqi Çun Mula, ku dhe u shqua për guxim e trimëri të rrallë, ka qenë lufta e Zharnicës, ku ai me malsorët vullnetarë që komandonte i theu keqasi forcat ushtarake të rregullta të Krajl Nikollës së Malit të Zi. Po kështu disa vjet më pas, Çun Mula luftoi përsëri edhe kundra forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, kur ajo doli hapur në favor të Malit të Zi për lëshimin e Hotit, Grudës, Plavës dhe Gucisë. Një nga betejat më të njohura që zhvilloi Çun Mula kundra forcave turke, është ajo e zhvilluar në Bajzë të Kastratit kundra forcave ushtarake të Bedri Pashës. Gjatë asaj beteje Çun Mula kërkoi mbështetjen e kapidan Hodo Beg Sokolit i cili ishte Komandant ushtarak i Veriut të Shqipërisë me qendër në Shkodër dhe ai e furnizoi me armatime të shumta për forcat vullnetare që Çun Mula i mblodhi në Postribë, Shkrel dhe Kastrat. Bedri Pasha, duke e parë të pamundur përplasjen me malsorët e udhëhequr prej të parit të Hotit, të cilët ishin të vendosur të luftonin me çdo kush për të mbrojtur tokat e tyre, iu shmang përpjekjes së armatosur dhe i hapi rrugën Çun Mulës. Çun Mula ndërroi jetë në vitin 1896 në moshën 78 vjeçare dhe u varros me nderime të mëdha në tokat e të parëve të tij në krahinën e Hotit.

E tash Knjazi i Malit t’ Zí
Ká ngrehë top, ká dyndë ushtrí
N’ kto trí dit me rá n’ Malcí:
Thue gjâ e shkretë ka mbetë Malcija,
Thue pa zot se â Shqyptarija.…
Kshtû tha Mashi e Krenët e Hotit
Si t’u ráke ‘i rrfé prej Zotit,
N’ ato fjalë mbetem pa zâ:
Me i pasë pré… gjak s’ kishin bâ.
Kishin ndêjë me sý per dhé,
Pa thânë kush nji fjalë per bé.
Por prap Mashi zên t’ e vona:
Ç’ t’ thomi, burra? Fé e zakona,
Bjeshkë e vrrî e kullat t’ ona
A ‘imend Knjazit pa luftue,
Pa pushkë t’ shtîme kem’ m’ i a lshue?
Pasha, Zotin, kjoftë levdue!
Gjeto Marku zû m’ u idhnue
Hot e Grudë s’ po t’i shklet Nika
Bash me e dijtë se jesim n’ çika:
Se na bân Knjazi faní,
Se na djeg me bjeshkë e vrrî.
S’ i lâm marre Shqyptarís
Kû t’ jetë puna e trimënís;
Perse mbarë Lekët e Malcís
Shk’ â m’ shtatë vjet e shtatdhete vjet,
Dijn me dekë, po, per dhé t’ vet.
Pa m’u njeshë per shtat xhubleta,
S’ i bâj Knjazit t’ u ngjatët jeta!
Por t’ flasë Çuni bajraktari,
Fjalve t’ tija u rrí mâ i pari.
Njaj Çun Mula, si u mendue,
Kshtû po zên me ligjirue:
S’ kemi, burra, mâ shka t’ presim,
Armët besnike, por t’ i njesim:
Hovin Knjazit do t’ i a presim,
Me e dijtë se të tanë do t’ jesim.
Ndoshta pak edhè na jena,
Ndoshta edhè fyshekë nuk kena:
Por anì pse t’ parët e motit,
T” parët e motit, flakë barotit,
Njata ushtarët e Gjergj Kastriotit.
Kurr s’ i njehshin n’ luftë ushtrít:
Njehen dhênt e njehen dhít,
Por jo trimat me armë lé,
Trimat lidhë me besë a fé:
Trimi i mirë edhe sa herë
Me ‘i fyshek dahet me nderë.
Pra, le t’ çohet m’ kamë djelmnija:
Oren çuet pse e ka Shqypnija:
Me tê vetë âsht Perendija.
S’ e ngulë Knjazi n’ Hot bajrakun,
S’ e rritë m’ né, jo, Karadakun,
Pasha armët qi m’i la baba!
Pa na vjerrë kortarë mbí krraba…
T’ rrahim bén si t’ na apë feja,
Kush e thaftë atê e vraftë beja,
Se qindrojm, eh gjofti rrfeja!
Porsi t’ parët na pa’ n qindrue
T’ cillt per t’ gjallë s’ kan me u harrue.
Kshtû tha Çuni Bajraktari,
Edhè m’giûj u ngreh mâ i pari:
Bâni bé, me lot per faqe,
Per qitape e shtatë melaqe,
M’ Orë te bjeshkve e m’ krye te fmís,
E per Emen t’ Perendís,
Se pa dekë e pa hî n’ dhé
Me gjith djalë e me gjith ré,
Pa u robitë me lopë e qé
E pa u djegë me stan e shpí
S’ i bjen n’ dorë kurr Malit t’ Zí.

S’ kan mbetë shkret, jo, armët besnike,
Perse Arbnorja grue fisnike,
Bân se bân fatosa t’ rí,
T’ cillt trimnisht per ket Shqypní
E per besë e t’ bardhen Fé
E bâjn deken si me lé.
A poi shef ti njata burra
Qi kah Brigja neper curra.
Tue hecë naten porsi bisha,
Janë t’ u njitun drejt kah kisha?
Ata janë, po, Krenët e Hotit
Qi m’u lidhë duen me besë t’ Zotit
Per me i dalun zot Shqypnís,
Per me i lânun nderë Malcís.
Po, Çun Mula mbí shpinë t’ kalit,
U a çoi lajmin Krenve t’ malit;
U a çoi lajmin n’ derë t’ konakut,
Per me u mbeledhë n’kuvend t’ bajrakut;
E si rrokull kjenë rreshtue,
Kshtu zên Çuni me ligjrue;
Fol tash, Masho, ç’ po na thue?
Un qe, Krenët t ‘ i kam bashkue,
T’ cillve mundesh me u besue,
Pse armët kryq i kemi vû,
Si na e lanë të parët kanû.
At herë Mashi zên kadalë:
Pa ndigioni, o trima ‘i fjalë,
Qi po u thom me besë te Zotit,
Porsi nipave t’ Kastriotit:
Katerqind e s’ dij sa vjet
Jânë qi i bâjm Mbretit hysmet
Kush ushtrí, kush angrí,
Me armë n’ dorë, me zjarm në gjí,
Me ‘i kamë mbathë me tjetren zdathë,
Buken n’ strajcë e shpí senjurin,
Dushek token, jestek gurin,
T’ mbrame te hika e t’ pare te mbeta:
Trima n’ zâ se â zânun jeta:
Mos me drashtun krajl as Mbret!
Edhè Mbreti ket hysmet
Dér dikû na e ká pelqye,
S’ na ká lânë aj krejt m’ u thye:
Na ka lânë lirín jetike,
Na i ka lânun armët besnike,
Per me ruejtun Fé e zakona,
Per me mprojtë kto malet t’ ona
Per me mbajtë kanú’ n e t’ parve
Me ruejtë erzin e Shqyptarve:
Na ka çilë kishë e xhamí
Per dintarë e kryqelí:
Na ka falun pagë e t’ dheta,
Kanú m’ vedi sa t’ jetë jeta,
E na. veç n’ e paçim çartë
Ket kanú qi na lanë t’ Parët,
Se e kem’ shkue jeten n’ lirí
Si në bjeshkë. ashtû në vrrî,
Si me gjâ. ashtû me bulqí:
Tue punue e tue gjallue,
Tue lutë festat trashigue,
Mort e darsem me kanú,
Sikur t’ parët na pa’ n punue,
Por medèt e treqind halle!
Per kto male e per kto zalle,
Per kto male e zalle t’ ona,
Kû si heret, si n’e vona,
Pat kênë mbajtë kanuja e malit,
Pat kênë rritun pika e djalit,
Pika e djalit, Lekët e Hotit,
N’ zâ kahë pushka e besa e Zotit:
N’ zâ ka’ urtija e bujarija
Qi zanát i ká Shqypnija;

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here