Nga Kristo Floqi (1876-1949)
ATDHEU JUAJ
Po kush është atdheu juaj, o djelm? Atdheu juaj nuk është fusha ose kodra e katundit tuaj, xhamia ose kisha e fshatit, minaretë ose kambanoret kryepërpjeta, oxhaqet e shtëpive, ose kasollet tuaja. Atdheu juaj është Shkodra për korçarin, Korça për Kosovarin, Kosova për Kolonjarin, Kolonja për Hotasin e Grudasin, Hoti e Gruda e Plava e Gusia për Devollasin e Danglliasin, Devolli e Dangllia për Bregdetasin e për Çamin dhe Çamëria e Himara për Dibranin e Lumjanin. Atdheu juaj është gjithë toka shqiptare brenda e jashtë përtej detevet e kudo, ku ka shqiptarë e ku flitet gjuha e lehtë e e bukur, gjuha tingëllore e Shqipërisë. Atdheu është gjaku ynë, i prindëvet, e i të parvet tanë, ai gjak i vlertë që është derdhur mbi altarin e Atdheut për shpëtimin e tij.
Është bashkimi ynë dhe dëshira për një rrojtje të lirë e të panjolltë; është qielli i bukur e i kaltërt që mbulon Shqipërinë, është Dielli i flakët e i ëmbël që ndriçon Shqipërinë, është deti i blertë me tallazet e valët e tij që përlag zallet e Shqipërisë, janë fusha e malet e kodrat e bregoret e pllajat e rripat e liqenjt e lumenjt’ e kulluar të Shqipërisë! Atdheu është kombi ynë i prirë prej flamurit tonë të kuq e të zi dykrenor, që duhet ta duam me mish e me shpirt e ta adhurojmë e ta mbrojmë me gjakun tonë. Ky është, djelm, Atdheu juaj!
(Anton Papleka, Poetë shqiptarë, Nga shek. XII deri në shek. XIX, Tiranë 1999, fq. 288) /InforCulture.info