Adem DEMAÇI


(Fragment nga romani i tij ‘Dashuria kuantike e Filanit’.)


…SI MË GATUAN SHQIPTARËT PËR HAJRIN E VET, E SI MË FARKUAN DHE MË KALITËN ÇETNIKËT SERBË, PËR SHERRIN E VET?…


Ti, e dashur, mos u tremb se nuk do të të marr tepër kohë. Rrëfimi im nuk do të jetë aq i gjatë e aq i mërzitshëm. Unë do të ndalem vetëm nëpër disa nga situatat më të forta të cilat më janë thadruar fuqishëm në shpirtin e zemrën time dhe të cilat spikaten në vazhdën e jetës sime të derisotme…
…plaga e parë në zemër…
Isha vetëm nëntë vjeç, por nuk më shlyhet nga kujtesa ajo ditë e llahtarshme. Ishte një paradite, nja dhjetë ditë pas Shën Mitrit. Oborri i shtëpisë sonë, në mahallën e Çeklikut, bashkë me oborrin e Osman Çaushit, me të cilin nuk kishim gardh, ç’prej një muaji e sa, vlonte nga njerëz nga fshati të ikur nga frika e depërtimit të divizioneve partizane serbe. Aty ishin gratë e dajëve, tezet e reja, djemtë e dajëve me gjithë nuset e tyre dhe plot, plot fëmijë. Daja Murtez, daja Behë, daja Elez e daja Sejdi, kishin qëndruar në fshat kinse për të ruajtur shtëpitë.
Në atë kallaballëk, megjithatë nuk kishte rrëmujë. Gratë, të drejtuara nga nëna ime Nazife, kryenin rëngët e shtëpisë dhe kohën tjetër, të shumtën, grumbulloheshin në mutfak, pranë votrës prore të ndezur, ndërsa burrat të shumtën e kohës e kalonin në dhomën e madhe dhe në gjezëmti duke pirë tepër duhan dhe duke qëndruar rreth koftorrit, herë të ndezur e herë të fikur. Ne, fëmijët, herë shkonim te gratë, herë te burrat. Tërë ditën vetëm gatuhej, hahej bukë e lëng dhe bëheshin lloj- lloj llafesh e muhabetesh. Gratë në mutfak, të gjitha flisnin përnjëherë dhe habitesha pa masë se si ato arrinin të mirreshin vesh me njëra tjetrën duke folur karshi- karshi. Te burrat, në dhomën e madhe, kur fliste njëri të tjerët dëgjonin. Osman Çaushi, sharrëxhi plak i qytetit, shpesh herë vinte e tregonte gjerë e gjatë përjetimet e veta nga koha kur kishte qenë asker e çaush i mbretit!… Unë, kur mërzitesha nga zhurma e llafeve të grave, shkoja te burrat dhe bëhesha “kulaç” në prehrin e dajës Lan, i cili nuk pinte duhan. Por, kur burrat fillonin dhe përsëritnin të njëjtat fjalë e llafe dhe kur tymi i duhanit bëhej i padurueshëm, shkoja në mutfak, te gratë e bëhesha “kulaç” në prehrin e nënës, ose të motrës sime.
Te burrat kisha dëgjuar se kishte plot të atillë që kishin dalur maleve. Kisha dëgjuar se edhe daja Ramë, bashkë me Nazif Revuçin, mikun e tij, paskëshin dalur në mal, në Bjeshkët e Popovës dhe se paskëshin zënë vend në shpellën e Shkrepave të Sokolit…

  • Atje, vetëm dhitë e egra nëse shkojnë se këmba e njeriut nuk shkelë dot! – pati thënë, një ditë prej ditësh, daja Lan.
    Por, atë ditë dimri për të cilën po të flas, papritmas, rraplloi dera e shkallmuar e Osman Çaushit, nga pjesa e oborrit të tij dhe daja Raif, ashtu si ishte, më shumë zbathur se mbathur, me hapa të mëdhej, ashtu si me turr dhe i mbushur frymë, hyri në dhomë…
    Të gjithë gaprruam sytë kah ai. Më në fund, pasi rrotulloi sytë e mëdhej e rrudhi buzët e trasha, tha:
  • Partizanët janë duke bastisur Prishtinën, shtëpi për shtëpi!…
  • Çka, bre?! – thirri daja Lan, ndërsa të gjithë të tjerët u shtangën…
    Të gjithëve u mbetën fjalët në fyt. Të gjithë u zbehën përveç vëllaut tim Maliqit. Ishte ftohtë e pas këtyre fjalëve u bë edhe më ftohtë.
    Daja Nezir pyeti:
  • Po, a po marrshin kend? Daja Raif tha:
  • Po, po marrshin dikë-dikë. Pas këtyre fjalëve, ai përsëri u flug për të dalur jashtë, por kësaj here jo kah dera e shkallmuar e Osman Çaushit, por kah dyert e çelura hap e krah të oborrit tonë. U fluga pas tij dhe e thirra:
  • Daja Hush, ku po shkon?
  • Po shkon daja të marrë vesh se nga sa po shkon pasuli në qytet!… – tha dhe rraplloi dyert para hundës sime.
    Daja Raif ishte trim e fucak i madh. Ai sa dilte nëpër dyert e oborrit tonë që dilnin në rrugën e madhe të mahallës e sa kthehej nëpër derën e shkallmur të oborrit të Osman Çaushit që kishte daljen në një rrugicë të vogël që lidhte përroin Vellusha me rrugën tonë të madhe. Ai sillte lajme për atë se çfarë po ndodhte në mahallët e Prishtinës. Unë shkova te gratë dhe u ula në prehrin e motrës. I thashë në vesh:
  • Aba, a ta fshehim gavetën sa s’kanë ardhur partizanët të bastisin?
  • Kush të tha more se po bastiskan partizanët? – pyeti Aba me zë të lartë.
    Gratë e tezet i ndalën llafet si të ishin prerë në fyt. Frika hyri edhe në mutfak…
  • A ta fshehim gavetën, sa nuk kanë ardhë? – prapë i thashë Abës në vesh. Ajo m’i nguli sytë dhe pasi hezitoi paksa, më tha:
  • Hajt se po e fshehim…
    Aba dhe unë u ngritëm e dolëm në oborr.
    Ajo gavetë ishte nga alumini dhe kishte formën e rrumbullakët. Ishte fringo e re dhe kush e di se si kishte mbetur në oborrin tonë. Me buzët e gavetës dhe me duart tona hapëm rrëzë mollës së madhe një gropëz të vogël dhe e futëm gavetën në dhe. Dhe, shkelëm e rrafshuam dheun me këmbë kinse të humbnim gjurmët. Të gjithë sa ishin në oborr na shikonin dhe qeshnin me ndërmarrjen tonë fëminore.
    Porsa ne u larguam nga vendi i “krimit”, papritmas, me shungullimë të madhe u hap dera e shkallmuar e Osman Çaushit dhe sakaq oborri i madh u mbush me partizanë të armatosur. Buzë pragut të derës së Osman Çaushit, njeri nga partizanët u shtri në rrugë dhe kurdisi mitralozin me grykë të kthyer kah ne. U dëgjua një zë i thekshëm:
  • Stroj! Bërzo!…
    Gratë e fëmijët, shpejt e shpejt u futëm në mutfak dhe kinse u rreshtuam disi. Burrat u rreshtuan në oborr. Nëna më qiti para vetes e më mbështolli me kanacin e vet të kuq e me vija të zeza. Më mbeti vetëm koka jashtë sa të shikoja nëpër dritaren e vogël se ç’po ndodhte në oborr…
    Komandanti i tyre, me titovkë e me yll të kuq në ballë, nxori revolen me çark nga brezi dhe pyeti serbisht:
  • Cili është zoti i shtëpisë?
    Vëllau im, Maliqi, foli pa ndrojtje:
  • Unë jam.
  • Eja këtu! – tha partizani me revole në dorë.
    Vëllau im iu afrua.
  • Qëndro gatitu! – klithi partizani duke vringlluar revolen. Mirëpo, vëllau im nuk mori qëndrim gatitu.
  • Qëndro gatitu, po të them! – klithi partizani përsëri dhe përsëri vringëlloi revolen. Vëllau im përsëri nuk përfilli komandën. Partizani hëngri buzën me dhëmbë e pyeti me të njëjtin zë:
  • Ku i keni fshehur armët?
  • Nuk kemi armë. – i tha vëllau me mospërfillje.
  • Keni, keni! – tundi kokën partizani dhe duke vringëlluar revolen shkoi te vendi ku kishim gropuar, pak më parë, unë e motra ime gavetën dhe i mëshoi vendit me këmbë.
  • Çfarë ka këtu?
  • Asgjë. – tha vëllau im me mospërfillje.
  • Merre atë kazmën atje dhe eja e rrëmo këtu!
    Vëllau shkoi te plehu, mori kazmën dhe i ra vendit ku tha partizani. U dëgjua kërkëllima e gavetës së goditur. Mua dhe nënën na kapën drithmat. Vëllau u skuq paksa. Goditi dhe një herë me kazëm dhe kapi gavetën e bardhë të aluminit. Partizani, kapi me rrëmbim gavetën nga dora e vëllaut e dheun nga gaveta ia hodhi vëllaut tim këmbëve e tha:
  • Ç’është kjo? Kur keni fshehur gavetat ju keni fshehur edhe armët. Rrëmo më tutje!
    Vëllau nisi të rrëmonte sa andej, sa këndej. Nuk dilte asgjë, por ai kokulur vazhdonte të rrëmonte sa djathtas, sa majtas. Në një moment, partizani kapi revolen për gryke, iu afrua vëllaut dhe me myllin e saj goditi vëllaun në kokë. Nëna lëshoi një zë të mbytur dhe më shtrëngoi fort. Vëllaut, iu shprishën flokët e krehura dhe i ranë fytyrës, por ai nuk ndali veprimin e vet. Goditjet mbi kokën e vëllaut nuk pushonin, por ai vazhdonte rrëmimin pa thënë asnjë fjalë. Gjysma e oborrit u bë lavër. Partizani shikoi orën.
  • Mjaft!- tha dhe, duke futur revolen në brez, shtoi – Ti, – iu drejtua vëllaut- do të vijsh me ne në komandë! Kupton!
  • Po. – tha vllau. Lëshoi kazmën dhe u vu para partizanëve…
    Nëna ofshau thellë dhe për një çast më harroi mua. Unë, çpështolla kanacin dhe u fluga pas vëllaut. E zura disa hapa larg dyerve. Partizanët i shkonin prapa. Iu afrova vëllaut e i thashë:
  • Abej, ku po të çojnë këta?
    Ai, u kthye, më buzëqeshi, m’i ledhatoi flokët dhe më tha:
  • Largohu, abejit se shpejt do të kthehem!- dhe vazhdoi rrugën para partizanëve të armatosur.
    Në këto fjalë e sipër, motra ime që më kishte ndjekur nga pas, më kapi hopa si të isha ndonjë zog pule dhe më tha në vesh”Hajde, ti, me Abën tënde”…
    Për habinë time partizanët nuk thanë asnjë fjalë dhe nuk bënë asnjë veprim gjatë ndërhyrjes sime.
    U kthyem brenda. Oborri u bë ferr. Përveç kalamajve e bebave që nuk dinin se ç’po ndodhte, askush nuk bënte piu me gojë. Para shtëpisë së vet, që ishte në të njëjtin oborr, doli Osman Çaushi e pyeti me zë të lartë:
  • A e morën Maliqin,a?
    Asnjeri nuk iu përgjegj. Osman Çaushi hyri brenda duke tundur kokën i merakosur dhe qetësia e padurueshme, përsëri, pllakosi oborrin tonë. Pastaj, burrat e djelmoshat u futën në dhomën e madhe e në gjezëmti, ndërsa gratë, nuset me djepa, tezet e reja dhe ne fëmijët u futëm në mutfak. Nëna u ul te guri i votrës, kurse të tjerat si mundën e ku mundën. Aba ime u fut në këndin kah votra, kurse mua më vuri në prehër. Unë bëhesha se po flija, ndërsa, në të vërtetë, me bisht të syrit shikoja, një nga një, nënën dhe të gjitha ato plaka, gra, nuse e vajza. Përgjoja se mos thoshte ndonjëra ndonjë fjalë, po përveç ding- dangeve të djepave nuk dëgjohej gjë tjetër.Të gjitha kishin ulur kokat dhe ishin mbështetur te njëra tjetra dhe u ngjanin pulave të prekura nga dergja. Nënën time e shikoja më shpesh. Ajo, kishte mbështetur brrylat mbi gjunjët e mbuluar me dimi e kanac dhe kishte futur fytyrën e vet të zbehtë midis dy pëllëmbëve. Shikoja tinzisht dhe pyesja veten time: vallë a ishte ajo nëna ime? A ishte ajo nëna ime e netëve të dimërit, me furkë e me shtëllungën e leshit përbrezi, me boshtin që tirte pa pushim ose me vekun që thurte pëlhura e kanaca dhe që gjithmonë e mbante kokën lart. Prisja që dikush prej grave a burrave të më qortonte për gavetën e fshehur, por as kjo nuk ndodhte. Prisja që kjo heshtje e padurueshme të zhdukej, por kot. Skena me Abejin e me partizanin me revole më sillej para sysh si në makth. Ngrohtësia e dorës së Abejit me të cilën më përkëdheli flokët ende më përcillte. O, sa kisha dashur që në vend të përkëdheljes ai të ma kishte pallangjeshur një shpullë të nxehtë!…
    Më duket se ajo gjendje zgjati sa krejt jeta ime. Por, në një çast, nëna ime brofi në këmbë duke thirrë:
  • Hajde, ndihmo, i madhi Zot!
    Gjithë sa ishin, me gra, me nuse e me teze brofën në këmbë. Vetëm Aba ime me mua në prehër dhe djepat mbetëm në tokë. Shikova nënën time. Ajo më nuk ishte ajo gruaja e butë si ndonjë pulë e kotur. Ajo, sakaq u shndërrua në atë pulën- nënë e cila, duke parë rrezikun për zogjët e vet, kërleshet e bëhet trimëreshë. Në ato çaste njoha prapë nënën time. Ajo vazhdoi me zë të sigurt:
  • O, gra! O, motra! Të gjithë jemi në dorë të Zotit! Edhe Maliqi është në dorë të Zotit. E di se biri i nënës nuk do të koritet me ata dushmanë. Do të bëhet ashtu si do të jetë dëshira e Zotit. Burrat i kanë punët e veta, por edhe ne gratë duhet t’i kryejmë punët tona. Prandaj, si përditë, çdonjëra prej jush e di detyrën e vet. Kapni fshisat, kapni kaciat. Ti Tahire, të lutem, shko te cungu e shkurto dru për zjarr! Ti Nefise dheze zjarrin! Ti Isme, bashkë me Ajshen, lani e grini purrit! Si për gëzim, si për hidhërim duhet të jemi të gatshme. Sot do të gatuajmë purranikë. Maliqi i do fort purranikët…
    Ajo, përvoli mëngët e xhaketës dhe hapi magjen. Mërzia e pamasë, që deri pak më parë, na ngulfaste të gjithëve, plasi si fluskë uji. Të gjithave sa ishin në mutfak u qeshi fytyra. Nusja e dajës Behë, Nefisja, foli e para:
  • Oj Nazë, të lumtë ajo zemër, se na çlirove!
    Nga ngazëllimi se nëna ime, me qëndrimin e vet, na shpëtoi nga ajo gjendje mbytëse, më lindi një dëshirë e flaktë që të fluturoja. Më erdhi një forcë e paspjegueshme dhe kërceva nga prehëri i Abës si ndonjë karkalec e mora drejt nënës duke e imituar atë me thirrjen:
  • Hajde, ndihmo i madhi Zot!…
    Të gjitha gratë, nuset e tezet shpërthyen në një gaz të çfrenuar. Nëna ime, u kthye vrik kah unë dhe më kapi hopa. Ajo pëshpëriti me zë të ulët:
  • Evladi i nënës…
    Sa çel e mbyll sytë, daja Lan u gjet te dera e mutfakut. Ai, buzagaz pyeti:
  • O, gra! A bën ta di se çka jeni hallakatë dhe se çka ishte ai gaz aq i mdh?
    Nëna, paksa e skuqur në fytyrë, iu përgjegj:
  • Paj, o vëlla, çka s’po çmiston ky djalë…- dhe më lëshoi në tokë. Unë vrik kërceva e u hodha në përqafimin e dajës Lan. Ai më mori hopa dhe shkuam në dhomën e madhe te burrat. Atje u tregova fije e për pe se çfarë kishte ndodhur në mutfak dhe çfarë kisha bërë unë. Edhe burrat qeshën me të madhe. Disa herë më bënë që të përsërisja atë “hajde, ndihmo, i madhi Zot”! Pasi që u bë boll, daja Lan tha:
  • Nga të gjitha bijat e Lahajve, Naza është e dalluar për vim e për trimëri. Tregon nëna ime Hamide, vetëm nëntë vjet i kishte pasur, kur familja Lahaj kishte qenë bashkë. Meqë nëna e saj kishte pas vdekur atë vit, kjo kishte pas qitur rendin e gatimit për njëzetë e pesë robë. Nëna tregon se ishte aq e vogël saqë për të arritur magjen detyrohej të rrotullonte kutllën e të hypte mbi të për të gatuar…
  • Paj, shih çfarë djemsh ka rritë! – tha daja Behxhet me zë të lartë e vazhdoi,- A e patë se çfarë bëri Maliqi? Nuk ia mori në dorë atij çetnikut me yll në ballë. Nuk ia pranoi komandën shkaut. Ne na dridheshin pulpat e këmbëve, kurse ai para “parabellit” pesë pare nuk i jepte…
  • Vërtet, Naza i ka dhënë gji,- ndërhyri daja Nezir, – por ai i ka edhe rrënjët e gjyshit të vet, Maliqit. Mesele tregojnë për gjyshin e tij…
  • Rahushi hyri në mutfak, te gratë.- tha daja Lan që ishte me fytyrë kah dritaret e dhomës. Unë shpejt u shkëputa nga prehëri i dajës- Lan dhe u fluga te gratë, në mutfak. Gratë pushuan fjalët, daja Rahush, iu afrua nënës Nazife, e shikoi me ata sy të zi e të mëdhej filxhan dhe me atë zërin e tij të trashë i tha:
  • Motra Nazë, Maliqi, vetë i dyti, po vjen…
  • Oh, të lumtë ajo gojë, o vëlla!
    Të gjitha gratë, nuset e tezet uruan njëzëri.
  • Po, ai i dyti kush ish, o vllau i motrës?
    Dajës Rahush, iu përvodhën buzët e trasha paksa në gaz e tha:
  • E shihni vetë. – dhe shkoi te burrat, në dhomën e madhe. Në mutfak, të gjitha gratë, nuset e tezet i kallën llafet të gjitha përnjëherë. Dola në oborr dhe u nisa kah dyert. N’ata shungulluan dyert dhe një dash i bardhë vrap hyri brenda e pas tij Abeji. Sakaq, oborri u mbush me burra, gra e fëmijë. Burrat e gratë u mblodhën rreth Abejit, ndërsa fëmijët u dhamë pas dashit të bardhë…
  • Marrë nga Agim Morina, profili në FaceBook. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here