Në oborrin e kishës së fshatit Bajzë, në Malësi të Madhe, një grup të rinjsh po ekspozojnë veshjet tradicionale të zonës, ku bie në sy xhubleta – veshja tipike e grave të zonës së veriut, nga Malësia e Madhe deri në Dukagjin dhe më gjerë, që vlerësohet si një prej kostumeve më të rralla të kulturës popullore shqiptare.
Për shkak të vlerave të saj dhe rrezikut të zhdukjes, rreth dy vjet më parë në Shqipëri nisi puna për përgatitjen e dosjes për në UNESCO, si një trashëgimi në rrezik.
E reja Ema Shabaj thotë se ka mësuar nga gjyshja e saj të gjithë elementet që përbëjnë xhubletën dhe se ndjehet krenare me këtë veshje.
“Kjo xhubletë është e gjyshes time. Ka 50 vjet që e ka punuar dhe jam shumë e nderuar që e mbaj veshur dhe trashëgoj traditën e saj. Është xhubletë e lashtë, është punim dore dhe e kanë punuar në atë kohë me shumë sakrifica. Çdo punim është me fije sermi”, thotë ajo.
E ardhur nga thellësia e shekujve, xhubleta, deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar ishte veshje e përditshme e grave të malësisë, por me krijimin e kooperativave bujqësore ajo u shndërrua në një veshje ceremoniale.
Vajzat shprehin shqetësimin se xhubletat rrezikojnë të zhduken me kalimin e viteve.
Shqetësimi për fatin e xhubletës e ka shtyrë Rita Shkurtajn të formojë shoqatën “Xhubleta e Alpeve të Shqipërisë”, shoqatë që synon mbrojtjen dhe përcjelljen ndër breza të kësaj pasurie shpirtërore dhe materiale të kombit.
“Vërehet tendenca që një xhubletë nusja ta marrë në pajë. Dhe kjo është një pasuri më vete, sepse kudo ku vajza shkon, ndoshta deri në Amerikë, ka tendencë të marrë një xhubletë origjinale”, thotë ajo.
Mësuesja Florina Laçaj thotë se, pavarësisht se prej gati 70 vitesh xhubleta ka dalë nga përdorimi i përditshëm, vazhdon të jetë pjesë e trashëgimisë shpirtërore të grave dhe vajzave të malësisë.
Duke dashur të përshkruajë Shkurtaj, thotë se për të ndërtuar një shtëpi në malësi duhen rreth gjashtë muaj, ndërsa të krijosh një xhubletë duhen pak më shumë se nëntë muaj.
“Ne kemi mendu që xhubleta është në zhdukje, por në malësi të Madhe ka plot xhubleta, një fond mjaft të madh xhubletash të paekspozuara meqë i kanë si suvenire, ashtu si unë që kam xhubletën e nënës time e cila mund të jetë afër 70 vjeçare”, thekson ajo.
Pavarësisht të përbashkëtës së tyre, çdo xhubletë është unike. Në muzeun e Shkodrës ruhen disa ekzemplarë të xhubletave. Specialisti i këtij muzeu, Ndriçim Mlika, thotë se xhubleta është tipar dallues i etnosit shqiptar.
“Dalja me shpejtësi prej përdorimit në vitet 1960-‘70 ka bërë që praktikisht sot të kemi vetëm një njeri që di me i prodhua. Problemi i këtyre veshjeve është se janë punuar me material organik, lesh, dhe materiali organik ka prirje me u dekompozu. Sado që t’i ruajmë, mund t’i kemi vetëm për një periudhë të caktuar kohe dhe pastaj do të shpërbëhen. Problemi është që me e ruajt teknikën si me i ndërtu edhe një herë, me konservu mënyrën se si ato janë krijuar. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, thotë ai.
Xhubleta vazhdon të rrezikohet bashkë me teknikat e prodhimit. Ndaj, specialisti Mlika thotë se është e rëndësishme të konservohet dijebërja, gjë që mundësohet me përfshirjen e saj në UNESCO si pasuri në rrezik. /VoA/