Për herë të parë sonda e NASA-s “Parker” arrin të fotografojë imazhet e dritës që lëshon planeti Venus. Rrjeti i satelitëve “Starlink” dëmtohet rëndë pas një stuhie gjeomagnetike dhe një pjesë e harruar e historisë së hapësirës zë vendin që i takon.
Në vazhdim, disa nga zhvillimet kryesore të javës në fushën e hapësirës .Lajme jo të mira këtë javë për “Starlink”, rrjetin satelitor që ofron internet, degë e kompanisë private SpaceX. Kompania thotë se ka humbur rreth 40 nga 49 satelitët e hedhur në hapësirë kohët e fundit pasi një stuhi diellore i nxori ata jashtë orbitës.
Një video, që duket se tregon satelitët që futen në atmosferën e tokës, është filmuar nga Shoqata e Astronomisë së Karaibeve në Porto Riko.
SpaceX thotë se një stuhi gjeomagnetike në fund të javës së kaluar bëri që satelitët të dilnin jashtë orbite dhe të shkatërroheshin në atmosferën e tokës.
Specialistët u përpoqën të kontrollonin rënien e satelitëve por tërheqja ishte shumë e madhe. Kompania thotë se rënia e satelitëve nuk përbën kërcënim për tokën.
Në lajme të tjera, ky vit shënon 50 vjetorin e misionit Apollo 16, misioni i pestë për të dërguar astronautët në hënë dhe kthyer ata në Tokë.https://www.zeriamerikes.com/embed/player/0/6439266.html?type=video
Apollo 16 ishte misioni i dytë që kishte një mjet robotik, që njihet ndryshe si roveri hënor. Astronautët mblodhën mostra, bënë foto dhe kryen eksperimentet e para duke përdorur në hënë një kamera ultravjollcë.
Sot kapsula Apollo 16, që transportonte tre astronautë gjysmë shekulli më parë, ndodhet në Qendrën Hapësinore dhe Raketore të Shteteve të Bashkuara në Huntsville të Alabamës. Pas vonesave të shkaktuara nga pandemia, tani kapsulës po i bëhen sherbimet e duhura.
“Kjo është një pjesë e historisë që qeniet njerëzore duhet të jenë në gjendje ta shijojnë mijëra vite nga sot, jo vetëm pas disa dekadash apo shekujsh. Ndaj duhet mirëmbajtur sepse përfaqëson një nga arritjet më të mëdha hapësinore të njerëzimit”, thotë Richard B. Hoover që dikur ka punuar si astrobiolog në NASA.
Duke marrë parasysh vjetërsinë e saj, drejtuesit e projektit thonë se kapsula është në “formë mjaft të mirë”, pasi më parë nuk ka qënë brenda një kutie xhami dhe vizitorët mund të ngjiteshin dhe ta preknin atë.
“Kutia nuk është e mbyllur hermetikisht, që në fakt është një gjë e rëndësishme. Nuk duhet bllokuar qarkullimi i ajrit. Me kalimin e kohës depërtojnë insekte, pluhura dhe gjëra të tjera nga vizitorët”, thotë specialisti Ed Stewart.
Punonjësit po e mirëmbajnë kapsulën në të cilën në shumë raste kanë gjetur sende të lëna nga vizitorët si para, lapsa e të tjera. Specialistët thonë se anija hapësinore do të duket mjaft mirë në 50 vjetorin e fluturimit të saj që zhvilloi më 16 prill të vitit 1972.
Ndërkohë, këtë javë sonda diellore Parker e NASA-s kapi imazhet e para me dritë të dukshme të planetit Afërditë, që njihet edhe si planeti Venus. Imazhet e tjetërsuara në video tregojnë karakteristika të planetit, si rajonet kontinentale, rrafshnalta dhe kurorën e oksigjenit që rrethon planetin.
Pajisja speciale e sondës realizoi imazhet në të njëjtën gjatësi drite që shikon syri i njeriut. Shkencëtarët thonë se studimi i Venusit mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë se si Toka e mbështet jetën dhe pse nuk ndodh kjo në planetin Afërditë.