“Jeta jonë nuk është prapa nesh, as përpara, as këtë çast, ajo është brenda nesh”.

Modestia e tij shoqërohej nga ndrojtja dhe të jepte imazhin e një artisti disi të turpshëm, disi të fshehtë. Mirëpo, mbi të gjitha Zhak Preveri ishte miku i pakrahasueshëm, i dashuruari i përzemërt, poeti qesëndisës dhe pijanec, përtaci ëndërrimtar, nxënësi i përjetshëm në fund të klasës që u bë shkrimtar. Certifikata e shkollës e marrë në moshën 14-vjeç, do të jetë diploma e tij e vetme në jetë. Mësimet e vërteta i mori nga librat (Rëmbo, Apoliner, Conrad, Dyma, Oktav Mirabo, Loti), që lexoi veçanërisht gjatë shërbimit ushtarak në Kostandinopojë. Ushtari dhe klasikët letrarë, një formacion kureshtar kur merr parasysh atë çfarë pasoi, këtë ekzistencë të paqartë boheme që udhëhoqi në Paris me avangardën surealiste./Konica.al

Zhak Preveri ishte një tregimtar i jashtëzakonshëm. Ai prodhoi, mbi një shprehje thuajse uniforme, por asnjëherë monotone, mijëra fjali plot ide, imazhe, maksima komike, vëzhgime depërtuese, pirueta dhe gjykime të thella. Kjo na bën të ndjehemi sa të magjepsur, aq edhe të verbuar nga elokuenca e mrekullueshme, vezulluese dhe e pasionante, dinake dhe bujare. Frymëzimi është mbrojtja e klasës punëtore kundër shfrytëzuesve, shpresa për një shoqëri të drejtë dhe vëllazërore. Ai shpreh dhimbjen dhe gëzimin, mjerimin dhe shpresën, me forcë dhe bindje, por disi më të shpenguar. Ai nuk harton një strategji revolucioni, nuk propozon zgjidhje të zbatueshme menjëherë, me udhëzime për përdorim. Padyshim, kjo vjen nga fakti që Preveri është një poet, domethënë një njeri i emocioneve, por jo i ideologjisë. Gjuha e poezive luan me mjaft mjeshtëri në dy regjistra: një gjuhë e thjeshtë dhe e lirë, shumë e afërt me të folurën e përditshme, që i përket më shumë atij të “popullit”, sesa atij të të gjithëve dhe një përdorim i zakonshëm i lojërave të fjalës në të gjitha format, qasje thuajse e sofistikuar e një retoriku të shkathët. E tëra përbën një mjet poetik shumë efektiv, i cili në mënyrë të alternuar favorizon lirikën dhe sarkazmin dhe vetë paqartësia e të cilit mund të prekë një audiencë shumë të madhe./Konica.al

I pasionuar pas teatrit, i cili do ta ndjekë gjithmonë me zell, edhe në kohë vështirësish ekonomike, duke ndjekur traditën dhe pasionin atëror, Zhak Prever do të miqësohet me artistët parisianë të lidhur me avangardën letrare e teatrale dhe do të bëhet pjesë e lëvizjeve që kanë bëri histori në letërsi dhe teatrin bashkëkohor. Nëpërmjet poezive, Zhak Prever tregon dhe rrëfen botën e kohës, duke kaluar nga episodet që lidhen me skenarët e përkushtuar mbi të cilat po punon, në ngjarje që lidhen me protestën politike militante. Një shkrim dhe një mënyrë ndjesie e jetës kushtuar çlirimit të botës nga marrëzia e saj, që synon rikuperimin e ndjenjave dhe pasioneve që e ndihmojnë njeriun të gjejë veten dhe të rifitojë dinjitetin e tij. “Duhet të përpiqemi të jemi të lumtur, vetëm për të dhënë një shembull”, i pëlqente të përsëriste Zhak Prever. Ai ishte ironik, entuziast, sentimental dhe i sinqertë dhe mbi të gjitha besonte në dashuri, në atë ndjenjë gërryese dhe njëkohësisht i aftë për të gjeneruar jetë dhe shpresë.

Zhak Prever pa në dashuri mjetet për të shpëtuar botën dhe veten, një mjet i vlefshëm kërkimi, megjithatë, vetëm nëse ishte spontan dhe pa modele e rregulla të paracaktuara. Një ndjenjë për t’u jetuar këtu dhe tani, për shkak se jeta reale nuk mund të mbahet larg dhe në distancë, ajo nuk ka kohë për t’u shtyrë./Konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here