Coca-Cola është kompania më e madhe e pijeve joalkoolike në botë, e shtrirë në 200 vende dhe territore. Prodhimi i saj filloi në një farmaci amerikane në vitin 1886, kur kimisti John Stith Pemberton krijoi një pije medicinale me një shije “speciale”- siç e përshkruanin shijuesit e saj të parë.
Ndër këta shijues, edhe politikani Asa Griggs Candler i cili i impresionuar, vendosi ta blejë recetën origjinale të Pemberton duke themeluar “Coca-Cola Company” në vitin 1892.
Në krye të sipërmarrjes së suksesshme, Candler ndërtoi Candler Building në Atlanta- asokohe më e larta ndërtesë në kryeqytetin e Georgia-s-; një ndërtesë në Kansas City, e cila u bë e njohur si Western Auto Building; Candler Building në New York City si edhe një në atë që tani njihet si Zona e Portit të Brendshëm të Baltimore, Maryland.
Në 1919-ën, The Coca-Cola Company nënshkroi marrëveshjen për hapjen e fabrikës së parë për mbushjen e Coca-Cola në Europë, duke e nisur në Francë për t’u ndjekur më pas nga fabrika në Belgjikë dhe në Itali.
Për të mbërritur në Shqipëri, u deshën së paku 7 dekada, e kjo edhe për shkak të zhvillimeve të forta e rrethanave politike në të cilën gjendej Shqipëria.
Por në fakt, Coca-Cola është më shqiptare nga ç’e mendonim!
Edhe pse në tregun shqiptar Coca-Cola erdhi në fund të viteve ’80 informalisht dhe zyrtarisht në fillimin e viteve ’90, gjurmët e kompanisë i gjejmë që në vitin 1931.
Në këtë dokument që publikohet për herë të parë, Coca-Cola autorizon si përfaqësues të sajin në Shqipëri një nga personalitetet më të njohura të historisë së Shqipërisë, arbereshin Terenc Toçi.
Toçi ishte një jurist, botues, publicist, shkrimtar dhe nëpunës i shtetit shqiptar. Në vitin 1911 ai drejtoi lëvizjen për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, madje duke u shpallur edhe president.
Gjatë periudhës së Ahmet Zogut, ai ushtroi profesionin e juristit duke kontribuar në hartimin e legjislacionit të parë modern shqiptar dhe duke arritur edhe të bëhej ministër i Ekonomisë.
Në vitet ’20 dhe ’30 ai ishte personi përgjegjës për regjistrimin e markave dhe patentave të huaja në Shqipëri, në cilësinë e avokatit.
Në këtë kontekst, ai bëhet përfaqësuesi zyrtar i Coca Cola në Shqipëri, përmes një shkresë noteriale që mban firmën e zëvëndëspresidentit të kompanisë me bazë në Atlanta, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht prezencës juridike, nuk ka të dhëna që në këtë kohë në Shqipëri të jetë konsumuar pija, e famshme deri në ditët e sotme. Në atë kohë, në Shqipëri konsumoheshin pije joalkoolike që prodhoheshin në vend, por që ishin përfaqësi nga Gjermania.