NGA: GJEKË GJONAJ

Ditën e Pashkëve, tepasnesër, do të mbushen 72 vjet nga arrestimi i Martin Bacit Gjokaj, 18 vjeç nga fshati Muzheçk-Triesh nga ana e policisë sekrete jugosllave, dhe nuk u kthye më nga burgu i tmerrshëm në Goli Otok ( Ishulli i Zhveshur), që ndodhet në brigjet e Dalmacisë veriore në mes të detit Adriatik, si një kështjellë natyrore me një bukuri të frikshme. Në Arkivin Shtetëror të Kroacisë gjendet lista me emrat e të gjithë të burgosurve të internuar sipas Byrosë Informative, të cilën e ka bërë “UDB-ja” federale. Në atë listë ( Dosja nr.3975, data 2.07.1963) nënshkruar nga ndihmësshefi i Administratës së II-të , Jure Koshutiq gjenden emrat e 16.101 të burgosurve dhe të paraburgosurve. Sipas listës, në të gjitha kampet e “Informbyro-së”, kanë vdekur 413 njerëz të popujve dhe kombësive të ndryshme, mes të cilëve edhe shqiptarë. Aty figuron edhe emri i të riut shqiptar-malësor , Martin Gjokaj. Sipas hulumtimeve të bëra dhe në bazë të dokumenteve që kamë pasur në dorë , ky djalë në moshën e pjekurisë, në lulen e rinisë, u burgos më 22 prill 1949 dhe vdiq më 12 tetor 1949, pas diç më pak se 6 muaj qëndrimi në burgun famëzi Golli Otok, apo “Ferrin komunist” siç e kishin quajtur të burgosurit, këtë vend ( ishull). Ky i burgosur për motive politike, si shumë shqiptarë të tjerë, akuzohet dhe ndëshkohet me burg, pa asnjë fakt e dëshmi të dokumentuar, mbi bazën e supozimeve se mund të ishte mbështetës i fshehtë i Bashkimit Sovjetik, ose ndonjë shteti satelit të tij. Martini sipas dokumenteve arkivore kroate ishte ndër katër të ndëshkuarit e parë që vdiq në rrethana të pasqaruara e të panjohura deri në ditët e sotme, për arsye se e shpallin “ armik të popullit jugosllav”. Bazuar në këto dokumente rezulton se ai ishte shqiptari i parë që vdiq në Goli Otok. Në këto dokumente nuk sqarohet ( thuhet) arsyeja e vdekjes, e as vendvarrimi i tij. Familja e tij nuk mori kurrë asnjë lajm për kufomën ose për vendin e varrosjes së Martin Gjokajt: vetëm një lajm të vonuar që vërtetonte se ka vdekur. Asgjë më shumë se kaq. Ai është viktimë e pafajshme e një krimi më monstruoz të shtetit jugosllav në burgun e tmerrshëm në Goli Otok

Gjokaj lindi më 21 .o1.1931 në fshatin Muzheçk, Triesh. Ai ishte djali i vetëm i Baca Nikë Gjeloshit, bajraktar e burrë i respektuar në Triesh e krahina të tjera shqiptare, i cili dallohej me të gjitha virtytet pozitive të malësorit të ndershëm, fisnik, trim e atdhetar. Edukatën e mori nga i ati, por edhe nga axha i tij Tomë Nikë Gjeloshi, bashkëluftëtar i udhëheqësit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe në Deçiq dhe mbrojtësit fisnik të trojeve shqiptare Dedë Gjo’ Lulit, të cilin me Dekretin nr. 547 të presidentit të Shqipërisë Dr. Sali Berisha, më 3.06 1993, nderohet me Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasës të Dytë, me motivacion “ Luftëtar i shquar në mbrojtjen e qytetit të Shkodrës nga pushtuesit serbo-malazezë në vitet 1912-1913 “. U rrit dhe u edukua në frymën e dashurisë për mbrojtjen e atdheut dhe çlirimin e tij nga pushtuesit e kohës. Trashëgoi edhe shumë veti të mira njerëzore nga i ati dhe burrat e tjerë të shquar të kësaj familje e cila për veprimtarinë e saj kombëtare ishte në vrojtim të vazhdueshëm të pushtetit sllavo-komunist. Rritet me ngjarjet e mëdha që kalonte kombi ynë, në periudhën e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët pas rënies së mbretit Ahmet Zogut, morën kontrollin në Jugosllavi dhe Shqipëri. Këto ngjarje, ndryshime e pushtime nga sundues shekullorë , lanë vragë të pashlyeshme në edukimin e tij dhe përcaktuan edhe fatin e tij të hidhur ( tragjik) jetësor. Ardhja e komunistëve në pushtet ia shkëputi rininë e hershme dhe ia mori jetën, duke ua thyer zemrën dhe shpirtin e lënduar përgjithmonë babait Tomës dhe nënës , Lulë Perkaj nga fshati Luhar – Fundna.

Ishte kjo periudha e përplasjes së Byrosë Informative Komuniste dhe Partisë Komuniste të Jugosllavisë, respektivisht konfliktit të Bashkimit Sovjetik dhe RSFJ-së, e cila filloi në vitin 1948, që më vonë u vlerësua si ngjarja, më vendimtare për shtetin dhe shoqërinë jugosllave dhe kapitulli më dramatik në historinë e ish-bashkësive të kombeve jugosllave. Regjimi komunist nën drejtimin e Titos burgosi njerëz të dyshuar, të ashtuquajtur “ Inforbirovca- Inforbyroistë”, se mbështesnin ende liderin sovjetik Stalinin. Pikërisht për këtë arsye regjimi komunist ngriti llogorin e Goli Otokut me qëllim të grumbullimit të armiqve politikë të Jugosllavisë, në veçanti për ata që kishin rënë ndesh me politikën e Jugosllavisë përballë kampit socialist të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Nga kjo politikë antishqiptare, e UDB-ës jugosllave, e ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorët vendas për privilegje të vogla, u burgos edhe Martin Gjokaj. Ky djalë i bukur e njerëzor i cili gëzonte autoritet sikur të burgosurit e tjerë që nuk “ riedukoheshin- përmirësoheshin, përjetoi vuajtje personale fizike e psiqike, tortura, rrahje, shkelmime, flakaresha, etjen që të përvëlonte shpirtin, bartjen e gurëve mbi supe, fshikullimën e kamxhikut e tmerre tjera të komunizmit titist.

Për këtë tragjedi të familjes Gjokaj dhe për vuajtjet e saj për herë të parë fletë hapur Zef Kola, kushëriri i personazhit të këtij shkrimi përkujtimor, me rastin 72 –vjetorit të vdekjes së tij në kampin e Goli Otokut ku edhe i la eshtrat përgjithmonë , i cili synon të zbardhë fakte të panjohura deri më sot për këtë viktimë të pafajshme të një krimi më monstruoz të shtetit jugosllav, këtij biri të shquar të kësaj familje me traditë të virtytshme dhe atdhetarie. Ja rrëfimi rrënqethës i Zef Gjokajt:

“ Ishte Dita e Pashkëve, më 22 prill 1949. Milicia ( policia) e shtetit atë mëngjes troket në derën e shtëpisë së Baca Nikës. Ai e hapi derën dhe kur i shef policët u thotë: “ Urdhëroni brenda në shtëpi! Ata nxjerrin nga xhepi autorizimin për arrestimin e djalit të tij të vetëm Martinit. Baci, edhe pse e kuptoi arsyen e “ vizitës” së tyre të papritur u drejtohet me këto fjalë: “ Hyni brenda! Sot festojmë Pashkët. Pini nga një gotë raki dhe hani nga një vezë të kuqe. E pastaj kryeni detyrën tuaj shtetërore. “Policët i përgjigjen: “ Ne kemi urdhrin të arrestojmë Martinin , edhe pse e dimë se nuk keni tjetër djalë, po ne jemi të detyruar ta zbatojmë atë. Na vjen shumë keq se ne para tre muajsh arrestuam edhe anëtarin tjetër të familjes suaj, Kolë Gjonin”. Policia nuk e prangos Martinin në sytë e prindërve e familjarëve të tjerë, sepse njëri prej policëve nga dhimbja kishte thënë se edhe unë kam vetëm një djalë .

Ndarja e familjes, veçmas e prindërve nga Martini ishte tepër e dhimbshme. Secili anëtarë i familjes me lot në sy u përqafuan, duke e zënë grykë, me të birin e tyre të zemrës, dritën e vetme të syve të prindërve të tij. Ndërsa, Martini edhe pse i ri, qëndroi stoikisht duke i thënë familjes mos qani se përsëri do kthehem në mesin tuaj. Mirëpo, për fatin e kobshëm të tij dhe të familjes Martini u nis dhe nuk u kthye më. I la eshtrat në këtë gurishte përvëluese që e quanin Goli Otokun. Babai i tij Baci ishte shumë i mërzitur. Nuk e mbanin këmbët. I mbështetur për qoshen e kullës së vjetër i thotë të birit: “ Biro, udha e mbarë! Sytë e mi dhe të tuaj nuk do të shihen më!” Pas këtyre fjalëve Martini largohet për herë të fundit nga kjo shtëpi-kullë dhe dërgohet në burgun e Podgoricës, në një qeli afër qelisë ku ishte burgosur më parë djali i axhës së tij Kolë Gjon Nika, mësues. Të nesërmen, siç më ka treguar babai im Kola, Martinin e dërgojnë në burgun famëzi në Goli Otok, ku përjetoi torturat më çnjerëzore të regjimit komunist. Për gjashtë muaj e gjithë familja ishim në ankth e të trishtuar për jetën e tij. Gjatë kësaj periudhë kohore nuk kishim asnjë lajm për gjendjen e tij shëndetësore. Lajmi i parë ishte i kobshëm. Në Zyrën e Vendit të Trieshit kishte mbërritur telegrami për vdekjen e tij. Për këtë lajm paraprakisht kishte dëgjuar, Pjetër Gjon Nika, djali i axhës së Martinit, nga turma e trieshjanëve që udhëtonin për në Titograd ( sot Podgoricë) . Pjetri kthehet nga rruga e nisur. Shkon në Zyrën e Vendit në Stjepoh, ku edhe ia konfirmojnë lajmin e keq. Vjen në shtëpi. Njofton familjen. Të gjithë qajnë e bërtasin. Nuk mund ta ndalin vajin e zëshëm për lajmin e zi. Pas pak vjen në shtëpi Baci , babai i Martinit. Askush nga familjarët nuk ka guximin t’i tregojë Bacit për këtë tragjedi familjare. Ai e vëren se ka ndodhur diçka dhe i pyet: Mos ka ndonjë lajm të ri? – Jo, jo, asgjë, i përgjigjen. -Mos fshihni nga unë, se sikur mos të kishte ndodhur diçka e re do të kishit shtruar sofrën për të ngrënë bukë. Më tregoni ! Pas këtyre fjalëve të Bacit, Pjetër Gjoni merr guximin dhe i thotë atij se na ka gjuajt rrufeja dhe se Martinin e kanë pushkatuar. – Mos ka ndodhur diçka tjetër se sa për Martinin e kamë ditur se do ta vrasin ditën kur jam ndarë nga ai në oborrin e shtëpisë? – u përgjigjet Baci dhe u lutet familjarëve të qetësohen e të qëndrojnë me krenari se shteti ka fuqinë e vet dhe s’kanë çfarë të bëjmë”, thotë Zefi. Ai tregon se lajmi i zi për vdekjen e Martin Bacit u prit me keqardhje e dhimbje në Triesh. Shton se tre vëllezërit e fshatit : Gjokajt , Gjonajt dhe Nikollajt për një vit u kthyen në zi dhe nuk organizuan këngë e kremte familjare.

Kjo histori e veçantë e kësaj familje , për të cilën nuk është guxuar të flasin me vite të tëra, është e ngjashme me shumë histori të tjera të hidhura shqiptare që kanë përjetuar krimet , vuajtjet dhe dënimet në burgun e tmerrshëm Goli Otok.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here