KUSHTIM

..nga Fausti

Sërish m’afrohi, hije luhatore,
Që në rini iu shfaqët syrit tim.

A të përpiqem tash t’ju ndal përdore?

Prap më qan zemra për atë vegim?
Po grahni! Mirë! Me fore urdhrore
Rreth meje çohi tymit n’agullim;
Dhe ma trondit si në kërthi krahrorin
Fryma magjike që ju ndriçon korin.

Sillni fytyra motesh të gëzuar,
Hije të dhëmshura me çmallin synë;
Si një përrallë e vjetër gjysmë e shuar,
Vjen dashuri e parë me miqësinë.
Përtrihet dhimbja, ngjallet gjëmë e shkuar
E jetës nëpër shteg plot labirinte
Dhe grish të mirët që, për aq orë hareje
Të rrejtur fatit, vanë para meje.

Shpirtrat, q’u kam kënduar më së pari,
Këngët e ra s’po m’i dëgjojnë dot;
Sa miq që pata tash i mbulon varri,
Jehonë e tyre ushton e mekur sot;
Turmës së huaj i ligjëroj së qari,
Edhe lëvdat’ e saj më duket kot;
Dhe sish që kënga m’i gëzoi më parë,
Ndë rrojnë, harbojnë botës së përndarë.

Një mall që e pata zvjerdhur më zë prapë
Për shpirtrat që po heshtin n’amëshim,
Piptimë e këngës sime, si nga nj’arpë
Eljane, e shkretëz endet pa caktim.
Më rrjedhin lot’ e drithma më ka kapë,
E rrepta zemër rreh me mallëngjim:
Atë q’e kam e shoh si në përrallë,
Dhe ç’ishte e zhdukur po më del e gjallë.

– Poezi nga Goethe /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here