Dje njëlloj si sot, vaksinat mbartnin një vandak polemikash: hera e parë kundër praktikave të vaksinimit të lisë, në shekullin e 18-të./Konica.al

Në ditët e sotme  nuk vaksinohemi kundër lisë, sepse nuk është më e nevojshme: në vitin 1980, OBSH-ja e shpalli të zhdukur sëmundjen, falë shpërndarjes së vaksinës në të gjithë botën. Mirëpo, gjatë shekujve, virusi ishte përhapur tashmë në Evropë të paktën që nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë, sëmundja ishte një fatkeqësi: qindra milionë viktima vlerësohen vetëm në shekullin XX, një numër pesë herë më i lartë se vdekjet e Luftës së Dytë Botërore.

Pionierët ”no vax” (kundër vaksinimit)

Për t’i dhënë fund “asgjësimit të murtajës më të tmerrshme të llojit njerëzor”, siç përkufizohet nga Edward Jenner (1749-1823), mjeku që shpiku vaksinën, nuk mjaftonte vetëm shpërndarja e ilaçit, por nevojitej kapërcimi i rezistencës dhe propagandës kundër vaksinimit, e cila u përhap në të gjithë Evropën, midis ‘800 dhe ‘900, pas detyrimit gradual të profilaksisë së vaksinimit. Lëvizja, duke iu drejtuar kërkesës për lirinë e zgjedhjes dhe etikës së përgjegjësisë individuale, të kufizuar nga shteti në emër të shëndetit publik, mundi të mobilizonte masat, veçanërisht në qytetet e mëdha, duke zgjuar një valë protestash. Por le të hedhim një sy në të kaluarën, sepse kemi të bëjmë me variolacionin (praktikë empirike, paraardhësi i vaksinimit kundër lisë), që përfaqëson parahistorinë e hezitimit të sotëm të vaksinimit, duke parashikuar arsyet: skepticizmi, mosbesimi, dyshimet për efikasitetin dhe sigurinë.

Iluminizmi përballë obskurantizmit

Në shekullin XVII debati ishte midis “iluministëve”, të cilët e konsideronin praktikën një mbrojtje kundër injorancës së verbër dhe midis “obskurantistëve”, të cilët kundërshtonin atë që ata e konsideronin një ofendim kundër krijuesit. Në ndryshim nga obskurantizmi fetar, në Itali, në qarqet aristokratike dhe të larta borgjeze, u konsolidua një lëvizje me përkrahjen e intelektualëve si Giuseppe Parini, Cesare Beccaria dhe Pietro Verri, për të mbështetur mjekët që praktikonin variolacionin. Ç’është e vërteta, no vax-ët e kohës nuk ishin krejt të gabuar: praktika e futjes së qelbit të marrë nga lezionet e një pacienti me një prerje në lëkurën e një pacienti të shëndetshëm, në përdorim që nga shekulli X në Kinë, nëse shkonte mirë, shkaktonte një formë të lehtë të lisë (sepse mënyra më agresive e transmetimit të mikrobit ishte ajo pulmonare), por mund të ishte edhe shumë e rrezikshme: përhapte infeksionin duke përdorur një virus të gjallë njerëzor, të dobësuar në mënyrë rudimentare dhe në disa raste ajo bartet në një formë virulente të sëmundjes që çon në vdekje.

Intuitë e shkëlqyer

Hapi i parë ishte vetëm shpikja e një vaksine vërtet të sigurt, e zbuluar nga mjeku anglez, Edward Jenner, i cili, në vitin 1796, mori një kampion lezioni të lisë së lopës nga një grua dhe e injektoi atë tek një fëmijë tetë vjeç, duke e bërë atë imun drejt shërimit nga plaga e lisë. Në 1853, në Angli u shpall akti i vaksinimit, i cili parashikonte vaksinimin e detyruar kundër lisë për të gjithë fëmijët e lindur pas 1 gushtit 1853. Në fund të shekullit XVIII, në Londër, lija ishte përgjegjëse për 9% të të gjitha vdekjeve, në gjysmën e dytë të nëntëmbëdhjetës përqindja u reduktua në 1%./Konica.al

Risk – Përfitim

Në shekullin XX, entuziazmi i elitave politike dhe kulturore dhe pranimi gradual i vaksinimit në sferën fetare nuk korrespondonte me një pritje po aq të mirë nga njerëzit. “Përbërësi i kafshëve” në fakt shihej me dyshim: frika më e përhapur ishte, se ai do të prodhonte efekte anësore, ose do të nxiste për sëmundje të tjera, me pak fjalë, se rreziqet ishin më të mëdha se përfitimet. Në të vërtetë, edhe në këtë rast, frika nuk ishte krejtësisht e pabazë. “Rreziqet, të mohuara me këmbëngulje nga vaksinuesit dhe nga drejtuesit e strukturave dhe komisioneve publike të vaksinimit, ekzistonin, megjithëse praktika ishte pafundësisht më pak e rrezikshme se sa variolacioni. Para standardizimit të prodhimit të vaksinës “qelbi i lisë” nuk ishte gjithmonë i një cilësie të mirë për arsye të ndryshme (kryesisht magazinimi dhe transporti) dhe mund të kontaminohej me baktere. Me kalimin e kohës, ngjarjet negative u shumëfishuan, si transmetimi i sifilizit në kalimin e limfës së vaksinës krah më krah”, – shpjegon Eugenia Tognotti, profesoreshë e Historisë së Mjekësisë në Universitetin e Sassarit. Ndërkohë, dalëngadalë doli në dritë një tjetër kufizim: “materiali imunizues e humbi efektivitetin në mënyrë progresive dhe nuk mbronte për gjithë jetën kundër lisë, siç kishte pohuar në mënyrë “të pakundërshtueshme” Jenner, ndaj ishte e nevojshme të rivaksinohej”, – përfundon Tognotti.

…Për të shfarosur fëmijët…

Në fund të shekullit, pavarësisht përparimeve të arritura në sigurinë e trajtimit të imunizimit, lindi liga e parë italiane kundër vaksinimit, e themeluar nga Carlo Rauta, profesor i Materia medica në Universitetin e Peruxhias. “Pionerët e no vax”, në vitin 1898, në apelet e paraqitura Ministrit të Brendshëm kundërshtuan natyrën e detyrueshme të vaksinimit kundër lisë. Gjatë pranverës së vitit 1917, që përkoi me përhapjen e një epidemie të re, ndërkohë që protestat kundër luftës dhe mungesës së ushqimit tashmë ishin ndezur, u përhap një thashethem konspirativ nga veriu në jug: vaksina përmbante helm dhe ishte një mjet i përdorur nga qeveria për të shfarosur fëmijët, në mënyrë që të reduktohen subvencionet ushqimore për familjet e ushtarëve të thirrur në front. Nënat e shtresave të ulëta i hoqën fëmijët nga shkollat ​​dhe kopshtet, për të mos i rivaksinuar. Trazirat morën një hov të atillë sa në shkurt 1918, Ministri i Brendshëm Vittorio Emanuele Orlando urdhëroi prefektët të kryenin “një aksion shumë aktiv dhe të ndritur për të luftuar propagandën e çmendur”.

Aleanca mes shkencës dhe politikës

Pas përsëritjes së shpërthimeve të ndryshme në mbarë botën, në vitin 1966, OBSH u detyrua t’u bënte sërish apel të gjitha shteteve që të përpiqeshin për të çrrënjosur sëmundjen: ishte rasti i vetëm i bashkëpunimit midis SHBA-së dhe BRSS-së, gjatë Luftës së Ftohtë. Të dy shtetet dërguan mbi 140 milionë doza në vit secili, plus konsulentë dhe pajisje në njëzet shtete të Afrikës Perëndimore. Dhe brenda tre vjet e gjysmë sëmundja u zhduk në këtë zonë të botës. Detyrimi i vaksinimit të lisë mbeti në fuqi për një dekadë, derisa në vitin 1977 në Itali u paraqit një projektligj për “pezullimin e vaksinimit kundër lisë”, që u shfuqizua së fundmi edhe nga OBSH-ja më 1981./Konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here