Ahmet Pashë Dukagjini hyri në sarajin osman në kohën e Bejazidit II, ku u arsimua, dhe doli prej andej me ofiqin e timarjotit. Në vitin 1511 u caktua në postin e Bejlerbeut të Anadollit. Në konfliktin midis djemve të sulltan Bejazidit mbajti anën e Selimit. Në luftën e sulltan Javuz Selimit, kundër Shah Ismailit, në ekspeditën ushtarake të Iranit, arriti suksese të rëndësishme. Kur ushtria osmane u tërhoq dhe ngriti shtabin në Amasja, pati një revoltë nga ana e jeniçerëve. Mbas kësaj revolte më 18.12.1514 Ahmet pasha emërohet veziriazam [veziri i madh]. Por dy muaj më pas, në një revoltë tjetër të jeniçerëve, gjendet i implikuar edhe Ahmet Pasha. Kjo solli edhe shkarkimin dhe ndërshkimin nga ana e sulltan Javuz Selimi (4 mars 1515).