Për shekuj me radhë Muri i Madh Kinez e ka ngacmuar imagjinatën e njerëzve në mbarë botën. I klasifikuar si një ndër mrekullitë e vjetra të ndërtuara nga dora e njeriut, ai mbetet ndërtesa më e madhe e të gjitha kohërave e ndërtuar nga njeriu. Rrjedhimisht, ekzistenca e tij është dëshmi e aftësive krijuese të njeriut. Në vijim po ua prezantojmë disa fakte interesante për këtë mrekulli që i ka bërë ballë kohës.
Kur filloi ndërtimi i Murit të Madh?
Muri i Madh kinez filloi të ndërtohej në Periudhën e Pranverës dhe Vjeshtës (770 – 476 p.e.s.). Gjatë kësaj periudhe, zona lindore dhe qendrore e asaj që sot njihet si Kina, përbëhej nga shumë shtete të vogla. Për të mbrojtur shtetet e tyre, prijësit e tyre urdhëruan ndërtimin e mureve të pavarura. Kur të gjitha këto shtete u bashkuan nën sundimin e Dinastisë Qin, perandori i parë kinez Qin Shi Huang (220-206 p.e.s.) urdhëroi që disa pjesë të mureve ekzistuese të bashkoheshin në një mur të vetëm si vijë mbrojtëse nga fiset mongole.
Muri me gjatësi 10.000 Li
Në ndërtimin e Murit të Parë të Madh punuan një milion punëtorë për nëntë vjet dhe në përfundimin e tij ai ishte 5.000 kilometra i gjatë. Për këtë arsye, ai u bë i njohur si Muri me gjatësi 10.000 Li. Li ishte njësi kineze për matjen e gjatësisë dhe një Li ishte 0,5 kilometra i gjatë.
Kur përfundoi ndërtimi i Murit të Madh
Të gjitha dinastitë që erdhën pas dinastisë së parë Qin (2020-206 p.e.s.) vazhduan që ta fortifikonin dhe zgjeronin shtrirjen e Murit të Madh. Dinastia e fundit që e vazhdoi ndërtimin e tij ishte dinastia Ming, e cila sundoi nga viti 1368-1644. Gjatë kësaj periudhe Muri i Madh u rindërtua sistematikisht në një projekt që zgjati 100 vjet. Për këtë arsye pjesa më e madhe e mbetjeve të sotme të Murit të madh janë ndërtuar gjatë sundimit të Dinastisë Ming. Ndërtimi i Murit të Madh përfundoi në vitin 1644 kur trupat mançuriane e depërtuan atë pranë Ngushticës Shanhai, gjë që edhe e shënon fillimin e sundimit të dinastisë së fundit kineze Dinastisë Qing (1644-1911).
Arsyeja për ndërtimin e Murit të Madh
Ndërtimi i Murit të Madh i kishte disa arsye. Mirëpo, siç është cekur më sipër, kryesorja ishte mbrojtja e kufijve historik verior të Perandorisë Kineze nga grupet e ndryshme nomade nga Stepat Euro-Aziatike dhe posaçërisht mongolët. Krahas mbrojtjes, Muri i Madh Kinez e mundësoi kontrollimin e kufijve dhe vjeljen e taksave ndaj mallrave të transportuara në Rrugën e Mëndafshit, rregullimin e tregtisë si dhe kontrollimin e imigrimit dhe emigrimit të popullsisë. Për më tepër, tiparet mbrojtëse të Murit të Madh u përforcuan me ndërtimin e kullave vrojtuese, kazermave të trupave, stacioneve të garnizoneve, aftësitë sinjalizuese me zjarre dhe tym, si dhe fakti se ai shërbente edhe si korridor për transport.
Pika më e lartë dhe më e ulët e Murit të Madh
Duke qenë se ky mur u ndërtua përgjatë kufirit verior të Kinës, është e qartë që edhe terreni ku ai është ndërtuar ka lartësi të ndryshme mbidetare pasi që ai është përshtatur me reliefin e tokës. Kështu që pika më e lartë, e njohur si Seksioni Huanglouyuan, është ndërtuar në 1.439,3 metra mbi nivelin e detit, ndërsa pika e tij më e ulët është në nivel me detin në Seksionin Laolongtou në Detin e Verdhë. Përndryshe, Laolongtou do të thotë Koka e Dragoit të Moçëm pasi që në këtë pjesë muri duket si një dragua i madh me kokën e shtrirë në plazh.
Lartësia e Murit të Madh
Lartësia e Murit të Madh nuk është e njëjtë. Pasi që pjesë të ndryshme kanë edhe lartësi të ndryshme, duke filluar nga 5 metra për të arritur deri 14 metra në disa pjesë. Rrjedhimisht lartësia mesatare e llogaritur e këtij muri është 6-7 metra.
Gjatësia e Murit të Madh
Sipas një studimi preliminar të vitit 2009, vlerësohej se Muri i Madh ishte 8.851 kilometra i gjatë. Sidoqoftë, në vitin 2011, Administrata Shtetërore për Trashëgiminë Kulturore e Kinës bëri të ditur se në bazë të rezultateve nga një vëzhgim arkeologjik, të filluar që nga viti 2007, gjatësia e plotë e Murit të Madh është 21.196,18 kilometra. Sipas këtyre rezultateve, gjatë këtij vëzhgimi arkeologjik janë gjetur 43.721 lokacione të cilat përmbajnë pjesë të Murit të Madh. Duhet theksuar se vetëm 8,2 për qind e murit origjinal kanë mbetur të paprekura, përderisa pjesa tjetër është në gjendje të keqe. Në vitin 1987 UNESCO e ka futur Murin e Madh Kinez në listën e trashëgimisë botërore.
A shihet Muri i Madh nga gjithësia?
Tani që e diskutuam lartësinë dhe gjatësinë e tij është koha të flasim për një prej miteve në lidhje me Murin e Madh. Përkundër përmasave gjigande, dhe besimit të gabuar, ky pohim nuk është i vërtetë. Përndryshe, pohimi që Muri i Madh shihet nga gjithësia, daton që nga shekulli i XVIII, dhe të gjithë e dimë që asokohe gjithësia ishte një fushë jo shumë e njohur. Kështu, ky mit u trashëgua nga një gjeneratë në tjetrën. Madje, duhet theksuar që nuk ekziston një distancë e tillë nga ku mund të shihet Muri i Madh dhe të mos shihet diçka tjetër. Nga gjithësia mund të shihet sfera e Tokës, retë, oqeanet, por nuk është e mundur që të shihet asnjë ndërtesë.
Si ka ndikuar natyra në Murin e Madh
Si në çdo rast tjetër, ndryshimet klimatike dhe tektonike nuk kanë qenë të buta as ndaj Murit të Madh. Sot, ai kërcënohet nga erozioni, por edhe nga faktori njeri. Inxhinierët e ndërtimtarisë vlerësojnë që një seksion i tërë i murit në Provincën Gansu është në rrezik. Madje, mund të ndodh që pas 20 vjetëve ai të zhduket tërësisht për shkak të erozionit. Për të parandaluar këtë, është përgatitur një projekt i posaçëm për mbrojtje, i cili do të ndikojë në përmirësimin e situatës.
Me çfarë materiali është ndërtuar Muri i Madh
Muri i Madh është ndërtuar kryesisht me gurë, tulla, gëlqere dhe drunj. Siç e kemi cekur më sipër Muri i Madh shtrihet në terrene të ndryshme dhe materialet e përdorura në ndërtimin e tij janë përshtatur me burimet lokale. Kështu, në zonat malore janë përdorur gurët dhe drunjtë e maleve. Në zonat e ulëta, materiali i përdorur është kryesisht dheu, gjegjësisht tullat dhe gëlqerja.