“Excelsior” ka botuar, të hënën e 17 prillit 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me medaljen e veçantë ku gjenden figura e Napoleon Bonapartit dhe emblema e lashtë e Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për lexuesit.

Në Paris, kabineti i medaljeve ka medaljen e Napoleonit me emblemën e Shqipërisë
Kabineti i medaljeve, një nga ilustrimet e Bibliotekës Kombëtare, ka një medalje që ka një vlerë historike, atë që Napoleoni kishte gdhendur në 1809, pas paqes së Amiens-it që lidhte provincat ilire me Perandorinë. Midis këtyre provincave : Shqipëria; dhe medalja, me figurën e Napoleonit, perandor dhe mbret, në të cilën është riprodhuar emblema e lashtë e monedhave shqiptare : një lopë që nuhat një viç duke e ushqyer atë me gji; më lart, topuzi i Herkulit.

Kopjet e këtyre monedhave të kohës kur Durrësi ishte grek, para se të bëhej romak, njëzet e katër shekuj më parë, gjenden në koleksionin që z. Jameson, numizmatisti i famshëm parizian, ka mbledhur në apartamentet e bukura të tij “Avenue Velasquez”, një koleksion unik në botë. 

Medalja e Napoleonit që përkujton marrjen e Ilirisë ngjall kujtime kurioze. Viti 1809, kur Napoleoni e krijoi, është edhe viti ku, pas fitores së Eckmüll-it, ndaloi “Urdhrin Teutonik (Gjermanik)” që u festua në vitin 1934, në Marienburg, nga Koch, kancelar i Prusisë Lindore, ku në një fjalim të famshëm tha: “Populli gjerman përsëri shikon në Lindje!” Dhe, është po ashtu viti kur, nga Madridi në Talavera, francezët dhe anglezët luftuan në Spanjë.

Koha konfirmon ose përafron. Dhe, ndonjëherë, medalje mijëvjeçare ndriçohen me një reflektim të ri mbi ngjarjet e ditës. Medalja shqiptare e Napoleonit është e rrallë, por ekziston një medalje akoma më e rrallë, është ajo që u zbulua, mes monedhave të tjera romake, në shtator 1922, në Beaurains-les-Arras në Artois.

Gjatë gërmimeve, në një terren të shkatërruar nga lufta, punëtorët zbuluan një thesar të shekullit të tretë : bizhuteri dhe gjashtë medalione të mëdha e të arta, të gjetura për herë të parë; bustet e Dioklecianit, Maksimimit, Konstandinit dhe, një pjesë unike, një medalje që përkujton ekspeditën e Constance Chlore (Caius Flavius Julius Constantius, i lindur në Dardani, me origjinë ilire) në Bretanjë (Bretagne) dhe hyrjen e tij në Londër në pranverën e vitit 296. Perandori romak kishte përqendruar dy flota, njërën në Gesoriacum (Boulogne-sur-Mer), tjetrën në grykën e Seines. I ndihmuar nga mjegulla, ai hyri në krahinën e Kent-it, u ngjit nëpërmjet Tamizës, dhe pushtoi Londrën para 1600 viteve.

…dhe qyteti i Arras-it ka medaljen “Constance Chlore” që përkujton marrjen e Londrës nga Roma, e cila vlen rreth dy milionë. Anglia ofroi dhjetë mijë paund, tani gati dy milionë, për të marrë këtë medalje, në të cilën shohim perandorin romak duke ngritur Bretanjën e gjunjëzuar par tij, ndërsa një fitore e kurorëzon atë.

Përfundimisht, kjo pjesë e artit dhe historisë shkoi në muzeun e qytetit të Arras. Napoleoni, mbizotërues i Shqipërisë, ndërsa Constance Chlore, i Londrës : këtu janë dy medalje që përfshijnë në to, më 1939, më shumë subjekte meditimi sesa shumë libra të Historisë. Njëqind vjet pas Constance Chlore në Londër, Alaric dhe barbarët pushtuan Romën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here