Në cilësinë e sypamësit që njohu për së afërmi bashkëluftëtarë të Skënderbeut, Marin Barleti, në fillim të shekullit të gjashtëmbëdhjetë sipërfaqësoi dëshminë e parë të shkruar për atë që ishte paraardhësi i flamurit kombëtar të shqiptarëve: “Rubea vexilla nigris et bicipitibus distincta aquilis gerebat Scanderbegus” (Skënderbeu mbante flamur të kuq me shqiponjë dykrerëshe). Me zanafillë perandorake në Bizant, oxhaqe fisnike arbërore, si Kastriotët, Muzakajt e Dukagjinët, e përdorën atë si baner shques, sqimë soji e krenari prejardhjeje. Eksodi biblik, që i shkuli mijëra shqiptarë dhe i katandisi në Italinë e përtejdetit, fill pas vdekjes së Skënderbeut e çoi atje si simbol edhe shkabën dykrerëshe, që u ruajt prej lastarësh mbasardhës të familjeve të mërguara. I rigjetur në kohën e Rilindjes Kombëtare, me këtë simbol u përjetësua edhe Akti i Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. I tillë, me statusin e flamurit, ishte edhe në Shqipërinë e Wiedit, Zogut dhe Enverit dhe i tillë u përvetësua edhe nga popullata shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë
Titulli simpatik “Byzance après Byzance” (Bizant pas Bizanti), që historiani e medievisti rumun, Nicolae Iorga, zgjodhi për të emërzuar librin e tij më 1935 sikur e gjen një simëthënie kjarisht të bukur në vetë flamurin me sfond të kuq e me shkabën dykrerëshe: sot baneri zyrtar i Republikës së Shqipërisë dhe jozyrtar i Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Trashëgimia bizantine, mbi të cilën u farëzua edhe një rremb i fortë i shqiptarëve mesjetarë, nuk u bymye në kalvarin e ikanakëve, që morën botën në sy me rënien e Kostandinopojës më 1453. Në të rrëmbyerin shekull të katërmbëdhjetë, Ballkani pasbizantin e gjeti veten në një gjendje boshe makthi, ambiciesh e ëndrrash.
Vetë identiteti arbënor, njësoj sikur edhe ai helen, ishte organikisht i lidhur me “de-bizantizimin” konspicioz të popujve vartës të Konstandinopojës. Ndaj nuk është çudi që edhe vetë autori bizantin, Johan Kantakuzeni IV, i cili vitet e fundit të jetës i zbardhi në ereminë e jetës monastike, ndërmendtë vitet kur Bizanti u përçap për të fundit herë të vinte rend midis arbënish të hakërryer.
Sipas perandorit bizantin, arbënit banonin (κατωκισμένους) në largësitë (εσχατιαῖς) e Perandorisë Bizantine (τῆς ‘Ρωμαίων ἡγεμονίας). Është pikërisht ky nocion i vegullt si ἔσχατα (eskhata) ai që përudh lidhjen arbëno-bizantine: dy botë tashmë të fytyrëzuara ndryshe-ndryshe, një largësi e tejme e megjithatë një përbashkësi perandorake, që më shumë evokonte një të kaluar, sesa një të ardhme.
Do të mbetet mbase një pikëpyetje kozmike se si merreshin vesh perandorakë e kurorëshkelës në rastin në fjalë, veçse Kantakuzeni ende mbante mend thekshëm se krerët arbënorë kandisën përmes letrash të fillonin bisedimet pajtuese në Selanik (γράμματα ἐκαλει Βασιλικαι προς Θεσσαλονην ἐλθεῖν).
Si mund të kenë qenë këto letra (γράμματα), përveçse në greqishten bizantine, koineja me të cilën Konstandinopoja hierarkisht e shkallëzonte raportin e saj me vartësit e saj rajonalë.
Nga hiri perandorak
Është mbase po ky kazan shkrirës shtresimesh të llojeve të ndryshme, po ta citonim J.R.R. Tolkien, mbi të cilin edhe dyert bujare arbënore në mesjetë nisën ta përvijëzonin identitetin e tyre. Gjuha përbuzëse e iluminizmit dhe romantizmit evropian kundrejt Bizantit dhe “obskurantizmit” të tij intrinsik mund të ketë bërë që të mos kuptohen për kohë të gjatë pohimet edhe të dikujt si Voltaire, që te Skënderbeu shihte të mbramin “mohikan” të bizantizmës (“Had the Greek emperors acted like Scanderbeg, the empire of the East might still have been preserved”, në The Ëorks of M. de Voltaire: The ancient and modern history, 1761, f. 97).
Duke e tagentuar vetëm kalimthi heraldikën e veksillogjinë, motivi i shkabës dykrerëshe atestohet qysh në të parin entititet të mëvetësishëm mesjetar arbënor më 1190, te dinastia e Progonatëve, ashtu sikurse kjo përshenjë (insignia) zuri vend edhe ndër dyer të njohura feudale arbënore të shekullit të 15-të, si Kastriotët, Muzakajt e Dukagjinët.
Shqipja me dy krena
Megjithëse rikonstruktimi me përpikëri i banerëve mesjetarë ngjan si rravgim për të lexuar shenja në një ranishte deti, në një biografi për Skënderbeun, të botuar nga Aldo Manuzio më 1541, thuhet që “…me të ardhur Skënderbeu në qytetin e Krujës hoqi flamurin turk dhe shpalosi flamurin e tij me shqiponjën e zezë me dy koka në një fushë të kuqe”. Sipas një përshkrimi kazual të dhënë nga Marin Barleti, kalorësia shqiptare, gjatë fushatës kundër mtonjësve anzhuinë të fronit napolitana, mbante flamuj të kuq e me shqiponjën dykrerëshe në mes.
Image
Flamuri i Kongresit të Lushnjës i restauruar në vitin 2020 nga Frederik Stamati
Për dallim nga Kastriotët, Muzakajt këta rivalë të heshtur, patën një “zë” të tyrin për t’u bërë pjesë e narrativës së posterioritetit. Gjon Muzaka, që shkruante testamentalisht në mërgim, më e motshmja emblemë e familjes ishte një gurrë uji në formën e dy pishtarëve, “por më vonë bëmë emblemë tonë shqiponjën me dy krerë, të kurorëzuar në mes me një yll” (në origjinal: “ma dopoi ch’havemo havuto l’aquila con due teste coronate con la stella in mezzo”).
Në Mesanjë, qytet në anëdetin jonik të krahinës së Barit, pasardhësit e Muzakajve me sa duket kishin fituar pëlqimin e Karlit V për të përdorur heraldikën e tyre me “shqiponjën me dy koka”.
“I ëndërruar dhe i dashur”
Dhe shi ky simbol heraldesk e pa vetën të ngjallmë pikërisht mes arbëreshëve: Zef Skiroi do ta përdorte atë në një nga të përmuajshmet kulturore.
Me flamurin në sfondin e kuq e me shqiponjën e zezë dykrerëshe, delegatët e Kuvendit Kombëtar në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, nënshkruan dokumentin ku thuhej: “…Shqipëria më sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”.
Në fjalimin lapidar të mbajtur nga Ismal Qemali, ai theksoi se mbledhja e ngarkoi atë që të bënte “ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur”. Sapo e nxori një flamur të vogël, të cilin e vendosi në një nga shtyllat e ballkonit, të pranishmit kishin shpërthyer me thirrje galdimi e ovacione.
“Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë”, kishte vazhduar gjithunji patos plaku vlonjat me 68 vjet mbi supe.
“Armura e Shqipëniës”
Ende pa u vendosur në fronin e principatës në shpërgëj të Shqipërisë, princi riosh e flegmetik prusian, Wilhelmi i Wiedit, kishte shfaqur interesim për të skicuar “armurën e Shqipëniës”, siç përcillte gazeta zyrtare e Qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipëniës”.
“…një nga kujdeset mâ të para të Princit wied ka për të qenë ay që t’i bêjë armët shtetit të ri. Këto armë a kjo armaturë do të jetë shqiponja e Skanderbegut me dy krena që do të kenë në parzëm armët e Princit Wied, që janë nji pavon pallua që ka të përshtjellun bishtin në shtresën e florinjt”, shkruante organi qeveritar i Vlorës në fillim të vitit 1914.
Motërzime kryesisht të njëjta do të përdoreshin edhe nga Republika shqiptare e Korçës, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe Kongresi i Lushnjës. Një i tillë duhet të jetë përdorur edhe në Kosovë me rastin e vendosjes së trupave ushtarake austro-hungareze në fillim të vitit 1916.
Në zonën që i ra hise Vjenës (ku përfshihej Mitrovica, Vushtrria, Drenica e poshtme, Peja, Istogu, Gjakova, Plava, Gucia dhe Ulqini), shqiptarëve iu njoh e drejta e vetadministrimit lokal, arsimit në gjuhën amtare si dhe përdorimi i flamurit dhe simboleve kombëtare.
Duke rivalizuar me “bajrakë”
Por në kohën kur plasën trazimet turkofile në Shqipëri të Mesme, që për pak muaj e zhbënë “principatën” e Wiedit, rebelët islamikë të rretheve të Durrësit, Shijakut, Tiranës e Kavajës përdorën si bajrak një cohë të jeshilët me hënë. Po kështu, edhe forcat e Esad pashë Toptanit do të përdornin krye në vete një bajrak, që përbëhej nga një bez i kuq me një yll të bardhë në cepin e djathtë të tij.
Por dizajni i simbolit të flamurit kuqezi do të merrte pak a shumë formën që ka sot më 1928, koha kur Shqipëria u shpall Mbretni: ky flamur me sfond të kuq kishte në epiqendër shqiponjën e zezë dykrerëshe, sipër të cilës ishte vendosur përkrenarja e Skënderbeut, me numër të njëjtë pendlash në të dy krahët e hapur (9), si dhe me bishtin me shtatë pendë.
Nga Tutini deri në Follorinë
23 vjet pas ripushtimit të Kosovës dhe trevave shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, 28 Nëntori për herë të parë fitoi statusin e një kremteje kombëtare. Pas shkatërrimit të Jugosllavisë nga Gjermania dhe Italia me 1941 dhe duke pasuar marrëveshjen e Vjenës të nënshkruar mes ministrit të Jashtëm gjerman, Ribentrop, dhe atij italian, Ciano, pjesa më e madhe e Kosovës, një porcion i Maqedonisë perëndimore, si dhe pjesë të Malit të Zi hynë nën administrimin e Romës.
dekretin mbretëror të 7 gushtit të po atij viti, kjo hapësirë iu bashkua “Mbretnisë së Shqipnisë”, me ç’rast u vendos administrata me nëpunës shqiptarë, u hapën shkolla shqipe si dhe nisi përdorimi i flamurit kombëtar në të gjitha prefekturat e sapokrijuara. Kështu, shqipja dykrenare u pa të valëvitej në të gjitha prefekturat e nënprefekturat prej Tutinit e Rozhajës në veri e deri në Prespë e Follorinë në jug.
“Bashkimi me nanën Shqipni”
Edhe në viset shqiptare, që mbetën jashtë kufijve të “Mbretnisë së Shqipnisë”, u vu re asokohe një ringjallje e kërkesave për përdorimin e flamurit kuqezi. E tillë ishte edhe një kërkesë e përfaqësuesve të Podgoricës dhe rrethepërqarkut të saj që më 14 maj 1942 ia adresuan Tiranës zyrtare. Në letrën e gjatë, që mbante nënshkrimet e përfaqësuesve shqiptarë të Podgoricës, si: Haxhi Hafiz Sulejman Begaj, Omer Beg Haveri, Hysejn Brati, Jusif Lumani, Mustafa Dervani e M. Berira, përkujtohej se “shumica dërmuese e popullit të qytetit të Podgoricës invokon, nëpërmjet nesh, nxehtësisht bashkimin e saj me atdheun e përbashkët: me nanën Shqipni”.
“Koha e gjatë që e ka nda Shqipninë nga një bijë e saja kreshnike: nga Podgorica, duket se ka zgjue, aty këtu, një përshtypje të pathemeltë: atë se Podgorica asht, tashma një qytet i sllavizuem. Kjo përshtypje, përkundra, nuk i përgjigjet aspak së vërtetës. Ja se pse: Popullsija e Podgoricës asht e përbame prej një sasie trembëdhjetë mijë banorë. Kjo popullsi ndahet kështu: katër mijë myslimanë dhe katolikë dhe tetë mijë të besimit ortodoks. Shumica ortodokse e popullsisë ban shumëkënd me ra në gabim: mendojnë se mbasi shumica asht e besimit ortodoks, don me thanë se shumica e popullsisë asht malazeze. Prej gabimi në gabim: as kjo përshtypje nuk asht e vërtetë. Ja se pse: të tetë mijë banorët, ndonëse janë ortodoksë, janë shqiptarë e, me të vërtetë kryekëput shqiptarë. Popullsia ortodokse e Podgoricës asht e përbame nga shqiptarë t’ardhun prej viseve të ndyshme shqiptare: nga Kuçi, nga Pipri, nga Leshanji, nga Bjelopaliqi, origjina e të cilëve rrjedh, ç’e thonë dhe e pohojnë edhe vetë ata, nga Dukagjini. Të drejtat shqiptare pra mbi Podgoricë, mbeten krejt të paprekuna dhe si të tilla, kryekëput të revendikueshme”, thuhej në këtë letër. “Përveç kësaj, Podgorica, edhe sikur të lihet padrejtësisht në Malin e Zi, nuk do të mundej me jetue. Arsyeja asht e thjeshtë: krejt hinterlandi i saja: Gruda, Hoti, Triepshi, Dinosha, Omerbozhjaj, Koça, Ledina dhe Fudna, Vranje, Vllana, Matagushi e të tjera janë thjesht shqiptare dhe të mbetuna ose të destinueme për të mbetun Shqipni. Jeta e Podgoricës, pra, pa këtë hinterland, që asht ai i natyrshmi i këtij qyteti, asht kryekëput e pamundshme, arsye për të cilën edhe sikur të dëshirohet me u lanë jashtë kufijve të Shqipnisë, tue folun ekonomikisht, ajo nuk do të mundej me jetue. Ekonomija asht, siç dihet, boshti që rrgullon jetën e popujve e, nga kjo pikëpamje, Podgorica nuk mund të mbetet veçse mbrenda kufijve të Shqipnisë. N’anë tjetër, edhe hinterlandi, nuk mundet me jetue pa Podgoricë e, edhe tregtija e kësaj qendre, asht ba e bahet gjithnjë në Shkodër. Përfundimi që zbërthen nga këto konstatime asht sa logjik dhe i natyrshëm: Podgorica nuk mund të jetojë pa qarkun e vet të natyrshëm e, qarku i vet nuk mund të jetojë pa qendrën e vet”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Nga Salih Mehmeti