I biri i Kadmit, Iliri, duke vijuar traditën legjendare, i dha emrin e tij Ilirisë, Shqipërisë [Albania] së ashpër. I ati i Kadmit, e kishte dërguar këtë të fundit në kërkim të së motrës, Evropës, emrin e së cilës e mban i gjithë kontinenti.
Thënie për shqiptarët
________
Titulli: Lebanon in History from the Earliest Times to the Present
Autori: Philip Khuri Hitti
Botues: Macmillan, 1957

***

Ilirët ishin një grup fisesh që banonin në Ballkanin perëndimor dhe territori që fiset mbuluan u njoh si Iliri, nga autorët grekë dhe romakë, që korrespondonte afërsisht me zonën midis Detit Adriatik në perëndim, lumit Drava në veri, lumit Morava në lindje dhe grykës së lumit Vjosë në jug.

Rrëfimi i parë i popujve ilirë vjen nga Pasazhi Bregdetar që përmbahet në një periplus, një tekst i lashtë Grek i mesit të shekullit IV para Krishtit.

Disa fise ilire që banonin në rajonin e Shqipërisë ishin Ardiaei, Taulantii dhe Albanoi në Shqipërinë e mesme, Parthini, Abri dhe Caviii në veri, Enchelei në lindje, Bylliones në jug dhe disa të tjerë. Në pjesët më perëndimore të territorit të Shqipërisë, së bashku me fiset ilire, jetonin Bryges, një popull frigjian dhe në jug jetonte fisi grek i Chaonëve.

Në shekullin e 4 para Krishtit, mbreti ilir Bardylis bashkoi disa fise ilire dhe u përfshi në konflikte me Maqedoninë në juglindje, por u mund. Bardyllis u pasua nga Grabos, më pas nga Bardylis II dhe më pas nga Cleitus, Iliri, i cili u mund nga Aleksandri i Madh.

Rreth vitit 230 para Krishtit, Ardiaei arriti për pak kohë forcën ushtarake nën sundimin e mbretit Agron. Agroni e shtriu sundimin e tij edhe mbi fiset e tjera fqinje. Ai bastisi pjesë të Epirit, Epidamnus dhe ishujt Corcyra dhe Pharos.

Shteti i tij shtrihej nga Narona në Dalmaci në jug deri në lumin Aoos dhe Corcyra. Gjatë mbretërimit të tij, Mbretëria Ardiaean arriti kulmin e fuqia e saj. Ushtria dhe flota e bënë atë një fuqi të madhe rajonale në Ballkan dhe Adriatikun Jugor. Mbreti rimori kontrollin e Adriatikut me anijet e tij luftarake (lembi), një dominim që dikur gëzonin Liburnët. Askush nga fqinjët e tij nuk ishte gati aq i fuqishëm. Agroni u divorcua nga gruaja e tij (e parë). Agroni vdiq papritmas, rreth vitit 231 pes, pas triumfit të tij mbi etolët. Gruaja (e dytë) e Agronit ishte Mbretëresha Teuta, e cila veproi si regjente pas vdekjes së Agronit. Sipas Polibit, ajo sundonte “nga arsyetimi i grave”. Teuta filloi t’u drejtohet me keqdashje shteteve fqinje, duke mbështetur sulmet piratike të nënshtetasve të saj. Pasi pushtuan Dyrrhachium dhe Phoenice, forcat e Teuta shtrinë operacionet e tyre më në jug në detin Jon, duke mundur flotën e kombinuar Akease dhe Etoliane në Betejën e Paxos dhe duke kapur ishullin e Corcyra.

Më vonë, në 229 pes, ajo u përlesh me Romakët dhe iniciuan Luftërat Ilire. Këto luftëra, të cilat u përhapën gjatë 60 viteve, përfundimisht rezultuan në disfatë për Ilirët nga 168 pes dhe në fund të pavarësisë Ilire kur mbreti Gentius u mund nga një ushtri romake pas përplasjeve të mëdha me Romën dhe qytetet aleate romake si Apollonia dhe Dyrrhachium nën Anicius Gallus. Pas disfatës së tij, romakët e ndanë rajonin në tre ndarje administrative, të quajtura meris.

Kultura ilire
Kultura ilire u formua me tiparet e saj karakteristike që e dallojnë nga kulturat e popujve fqinjë në periudhën e zhvilluar të epokës së hekurit. Ajo ishte një kulturë autoktone që u krijua në truallin historik të ilirëve. Në procesin e formimit të vetë etnosit ilir, mbi bazën e zhvillimit të brendshëm social-ekonomik të shoqërisë ilire dhe pa dyshim edhe të marrëdhënieve me popujt fqinjë. Tiparet themelore të saj janë shprehur në arritjet më të rëndësishme të ilirëve në fushën e zhvillimit të tyre ekonomik e shoqëror, në mënyrën e të jetuarit dhe të kuptuarit të botës që i rrethonte, në mënyrën e të pasqyruarit të kësaj bote në artin e botëkuptimin e tyre.

Krahas tipareve themelore të përbashkëta të kësaj kulture, që janë karakteristike për gjithë truallin ilir, vihen re edhe veçanti lokale. Në kushtet e një territori të gjerë, me larmi të theksuara fiziko-gjeografike, siç ishte pjesa perëndimore e Gadishullit të Ballkanit, me lidhje fqinjësie e marrëdhënie me krahina që i karakterizonte një zhvillim i ndryshëm social-kulturor, sidomos i theksuar midis veriut të prapambetur qendror evropian dhe jugut më të përparuar egjeo-mesdhetar, këto ndryshime lokale në kulturë janë po aq të kuptueshme sa edhe zhvillimi jo i njëjtë social-ekonomik që njohën ilirët e kësaj kohe. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë për ndryshime lokale edhe në aspekte të veçanta të jetës dhe të krijimtarisë së ilirëve, ndryshime të cilat janë thjesht të karakterit etnografik.

Sipas të dhënave arkeologjike, në truallin ilir dallohen në epokën e hekurit disa grupe kulturore: grupi jonik ose epirot, që përfshin krahinën e banuar nga kaonët, thesprotët, molosët dhe fiset e tjera më të vogla të viseve më jugore; grupi adriatik-jugor ose taulanto-ardian, që shtrihet në gjithë ultësirën bregdetare nga Vjosa në Naretva dhe që banohej nga këto dy fise të mëdha si dhe fise të tjera më të vogla rreth tyre; grupi devollit ose dasaret në krahinën juglindore të Shqipërisë me qendër pellgun e Korçës; grupi pelagon në Maqedoninë Perëndimore dhe ai paion në atë lindore, grupi i Matit ose pirust, që përfshin krahinat e brendshme të Shqipërisë Verilindore (Mat, Dibër Kukës) dhe ai dardan në Kosovë; grupi i Glasinacit me qendër rrafshnaltën me të njëjtin emër në lindje të Sarajevës dhe rreth saj, që i përgjigjet krahinës së banuar nga autariatët; grupi dalmatin, që përfshin krahinën midis lumenjve Naretva e Krka; grupi japod në territorin e sotëm të Likës dhe grupi verior-adriatik ose liburn, që shtrihej në territorin midis lumenjve Krka e Zrmanje.

Çdo njeri nga këto grupe kulturore i përgjigjet kryesisht territoreve të banuara nga fiset ose bashkimet e mëdha fisnore ilire. Sa më të afërta gjeografikisht ishin këto grupe, aq më të mëdha ishin ngjashmëritë kulturore midis tyre. Kështu, p.sh., grupi japod paraqet mjaft paralele me atë fqinjë liburn. Në Ilirinë Qendrore grupi i Matit lidhet aq ngushtë me atë të Glasinacit dhe atë dardan saqë inkuadrohen me një kompleks të gjerë kulturor Mat-Glasinac; ndërsa në Ilirinë e Jugut grupi devollit afron në shumë aspekte me atë pelagon dhe epirot.

Këto ndryshime dhe ngjashmëri lokale, që burojnë nga baza e përbashkët etnike, kushtet herë të përafërta e herë të ndryshme të zhvillimit social-ekonomik dhe marrëdhëniet ndërkrahinore, shkrihen në tërësinë e bashkësisë kulturore ilire, të cilën e vërejmë si në gjuhë, ashtu dhe në kulturën materiale (vendbanimet, veglat e punës, armët, qeramikën, stolitë etj.) e atë shpirtërore (artin e botëkuptimin) të saj, pa kërkuar një unitet të plotë për këtë shkallë të zhvillimit të ilirëve. Veçoritë lokale etnografike në kulturë, ashtu sikurse dhe ato dialektore në gjuhë, nuk cenojnë unitetin e kulturës ilire dhe të bartësve të saj, ato janë shprehje e larmisë dhe e ndryshimeve brenda së njëjtës kulturë.

Gjuha
Ilirët flisnin një gjuhë që dallohej nga gjuhët e popujve të tjerë të kohës së lashtë të Ballkanit. Ajo ishte një gjuhë e veçantë indoevropiane, që kishte lidhje afërie ku më të largët e ku më të afërt me gjuhë të tjera të gadishullit dhe jashtë tij. Janë konstatuar elemente të përbashkëta sidomos me trakishten. Lidhur me vendin e ilirishtes në mes të gjuhëve indoevropiane është diskutuar mjaft dhe janë dhënë mendime të ndryshme.

Një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore për origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sintezën më të plotë, të shoqëruar me vështrimin kritik të mendimeve për origjinën e gjuhës shqipe, e ka dhënë gjuhëtari i shquar prof. Eqrem Çabej, i cili ka sjellë dhe argumentet e tij shkencore, në mbështetje të tezës ilire. Disa nga argumentet e parashtruara prej tij janë këto:

Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike kanë banuar popullsi ilire; nga ana tjetër, në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera në trojet e sotme; një pjesë e elementeve gjuhësore: emra vendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe. Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato janë zhvilluar sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, d.m.th. kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse; marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja është formuar dhe është zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit; të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm.

Nga të gjitha këto argumente, del si përfundim se teza e origjinës ilire të gjuhës shqipe, është teza më e mbështetur nga ana historike dhe gjuhësore. Nga ilirishtja e Ballkanit gjer tani nuk është gjetur gjë e shkruar dhe është menduar se nuk ka qenë e shkruar. Dëshmohet e shkruar mesapishtja e Italisë Jugore, që është mbajtur e mbahet përgjithësisht si një degë e ilirishtes, në njëfarë mase si një dialekt i saj i zhvilluar më tej në kushtet e një veçimi prej disa shekujsh nga trungu i saj gjuhësor kryesor. Prej saj kemi rreth 2 000 mbishkrime të shkruara në një alfabet grek (dorik) me disa ndryshime për të riprodhuar disa tinguj të posaçëm të gjuhës së tyre. Një mbishkrim i Kalasë së Dalmaces afër Pukës, që për dekada të tëra qe mbajtur si i vetmi mbishkrim ilir, u provua nga gjuhësia e re shqiptare se nuk ishte tjetër veçse një mbishkrim greqisht i shek. VI-VII. Nëse do të kurorëzohen me sukses përpjekjet që po bëhen për leximin e një mbishkrimi të Muzeut të Shkodrës me prejardhje nga Dobraçi, shkruar me një alfabet të panjohur dhe të një mbishkrimi të gjetur në Bugojë të Bosnjës Perëndimore, mund të sillen të dhëna të reja e të hapen perspektiva. Zbulimet e mëtejshme arkeologjike mund të japin ndonjë tekst ilir të shkruar me alfabet të veçantë ose me alfabet grek a latin. Gjuhët greke dhe latine që hynë më parë në Iliri si gjuhë kulture, tregtare ose si gjuhë zyrtare administrative, nuk u bënë kurrë gjuhë të të gjithë popullit, i cili vazhdoi të ruajë në jetën e tij të përditshme të folmen amtare. Njoftimi i historianit grek të shek. II p.e.sonë, Polibit, për bisedimet e mbretit Gent me delegatët maqedonas përmes përkthyesit që njihte ilirishten, dëshmon se kjo gjuhë u praktikua edhe si gjuhë zyrtare deri në fund të jetës së pavarur politike të ilirëve.

Nga gjuha e ilirëve kanë mbetur disa materiale, por që nuk janë të mjaftueshme: elemente leksikore shumë të pakta të së folmes së përditshme përbërë nga disa glosa ilire, dhe sidomos një numër i madh (rreth 1 000) emrash të përveçëm, emra personash, perëndish, fisesh, vendesh dhe disa emra lumenjsh e malesh. Fjalët ilire i kemi në formën që na janë dhënë prej autorëve grekë e latinë, jo në formën autentike të tyre. Ndër ato fjalë mund të përmenden rhinos = mjegull, sabaia = birrë meli etj. Emrat e përveçëm ilirë që na janë transmetuar në burimet e shkruara antike (autorë grekë e latinë, mbishkrime greke e latine, monedha të territorit ilir) përbëjnë materialin kryesor që kemi prej ilirishtes së Ballkanit. Ato lejojnë që të nxirren disa elemente të fjalëformimit emëror të ilirishtes e ndonjë tipar fonetik i saj, ndonjë element i leksikut të saj dhe material krahasimi me gjuhët e tjera indoevropiane, po nuk japin mundësi të njihen gramatika dhe leksiku i saj.

Studiues të ndryshëm kanë përcaktuar si ilire edhe një numër fjalësh të ndeshura në gjuhët e tjera të lashta ose në gjuhët e sotme të Evropës, duke i marrë ato si huazime nga ilirishtja ose si të trashëguara prej saj. Shumica e tyre janë të diskutueshme, po disa kanë gjasa vërtetësie. Ndër to përmendim: lat. mannus = kalë i vogël, krhs. shqipen maz/mëz; gr. balios = i bardhë, me pulla të bardha, krhs. shqipen balë; gr. kalibe = kasollë; disa fjalë pararomane etj.

Material më të pasur jep mesapishtja e Italisë Jugore. Prej saj kanë ardhur një numër mbishkrimesh zakonisht të shkurtra e shpesh fragmentare të shek. VI-I p.e.sonë, që japin edhe fjalë, trajta e ndonjë frazë, përveç emrave të përveçëm që përmenden në to, por që janë kuptuar dhe shpjeguar deri më sot në një masë të vogël. Kemi disa glosa si brendon = bri, bilia = bilë, bijë etj., dhe shumë emra të përveçëm njerëzish, fisesh e vendesh.

Janë vënë re gjithashtu edhe bashkëpërkime të rëndësishme midis mesapishtes dhe shqipes në sistemin fonetik dhe gramatikor, si p.sh. reflektimi i |o|-së së shkurtër indoevropiane në |a|, evolucioni ?|-m|>|-n| i mbaresës së rasës kallëzore njëjës të emrave në të dyja këto gjuhë etj.

Arti dhe botëkuptimi
Arti ilir në periudhën e hershme të hekurit karakterizohet me stilin e tij dekorativ të theksuar të epokës së bronzit, por lulëzimin e arrin në fillim të epokës së plotë të hekurit, d.m.th. rreth shek. VIII-VII p.e.sonë në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror të ilirëve. Kjo vihet re qartë sidomos në grupin e kulturës së Devollit, në atë të Mat-Glasinacit etj. Ky stil zbukurimi, i aplikuar jo vetëm në objektet e veçanta metalike, kryesisht prej bronzi dhe në qeramikë, por edhe në materialet që nuk i rezistuan kohës si në dru, kockë etj., përfaqësohet nga një gamë e pasur figurash gjeometrike, si rrathë të veçantë e bashkëqendrorë, rombe e trekëndësha me fusha të zbrazura ose të mbushura me vija paralele etj., të kompozuara me një fantazi të zhvilluar dhe në një sistem rigorozisht simetrik.

Ky stil do të jetojë në të gjitha periudhat e veçanta të zhvillimit dhe të dobësimit të tij, deri në fund të periudhës së hershme të hekurit, duke përbërë kështu bazën kryesore dhe më të qëndrueshme të koncepteve estetike të ilirëve në përgjithësi. Arti figurativ në Iliri u zhvillua më vonë; atë e shohim të përfaqësuar në figura njerëzish dhe kafshësh të trajtuara skematikisht ose në mënyrë të stilizuar si dhe në objekte të tjera, si art dekorativ i ndërthurur me motive gjeometrike.

Nga shek.VI p.e.sonë tek fiset e Ilirisë së Veriut nën ndikimin e fuqishëm të kulturave mesdhetare dhe në kornizën e lidhjeve të shumëfishta të popullsive përreth Adriatikut Verior, lindi një art i pasur figurativ, shprehjen më të lartë të të cilit e gjejmë tek situlat liburne e tek urnat japode. Në një stil të pjekur arkaik të kohës janë paraqitur në këto monumente pamje nga jeta e përditshme e ilirëve, në mënyrë të veçantë e shtresave të pasura të shoqërisë së tyre, midis të cilave skena argëtimesh, siç është rasti i një valleje grash lidhur dorë për dore, apo i një procesioni funeral, ku përcjellja është dhënë nëpërmjet një vargu të gjatë kurorash luftarake dhe kalorësish që marrin pjesë në ceremoninë solemne. Në raste të tjera paraqiten skena luftimesh, gjuetie, mundjeje etj. Këto manifestime artistike, megjithëse të ndikuara nga pikëpamja e stilit dhe e karakterit tregimtar të ornamentit prej artit arkaik grek dhe ai etniko-italik përsa i përket paraqitjes së figurave, motiveve reale dhe përmbajtjes së tregimit, kanë mjaft elemente vendëse, që tregojnë për natyrën vendore të prodhimit të shumë prej tyre. Në këtë drejtim përveç vlerave artistike, këto monumente përbëjnë edhe një burim historik të dorës së parë për njohjen e jetës dhe të koncepteve të shoqërisë ilire në shek. VI-V p.e.sonë.

Përsa u përket besimeve të ilirëve të epokës së hekurit, ato nuk ndryshonin prej atyre të epokës së bronzit. Një rol të madh vazhdon të luajë kulti i tokës mëmë i lidhur me pjellorinë e saj dhe me zhvillimin e bujqësisë në përgjithësi. Shumë e përhapur tek ilirët ishte heliolatria (adhurimi i diellit). Gjurmët e shumta të saj shprehen përmes motiveve të ndryshme, që zbukuronin objektet e veçanta dhe që në mënyrë grafike simbolizonin diellin. Të tilla ishin, p.sh.: rrathët bashkëqendrorë, svastikat, spiralja etj. Ky kult diellor tek ilirët shprehej dhe përmes varëseve të ndryshme në formë kali, kaprolli, zogu etj.

Një kult tjetër shumë i zhvilluar tek ilirët, sidomos tek ata të krahinave jugore, ishte dhe gjarpri si simbol i pjellorisë si totem, si qenie mbrojtëse nga syri i keq (apotropeike) etj.

Vendosja e varreve në tuma përreth një varri më të hershëm të pasur dhe qendror, si dhe shoqërimi i të vdekurit në varr me objekte të ndryshme, tregon se tek ilirët e periudhës së hershme të hekurit ishte i zhvilluar dhe kulti i të parëve, si edhe besimi mbi jetën e përtej varrit.

Ilirët besonin edhe në ekzistencën e fuqive mistike, që rronin midis tyre dhe u shkaktonin njerëzve sëmundjet dhe fatkeqësitë e tjera shoqërore. Për t’i larguar këto të këqija, ilirët sajuan forma të ndryshme varësesh (amuleta), me karakter apotropeik etj.

Themelimi i kolonive helene në bregdetin ilir
Vendosja e kolonive helene në bregdetin ilir është pjesë e drejtimit të lëvizjes kolonizuese helene, në të cilën më aktiv u tregua Korinthi. Kjo dukuri u zhvillua, nga njëra anë, me shtytjen e faktorëve ekonomikë e shoqërorë të metropoleve dhe, nga ana tjetër, qe një hap i mëtejshëm në përfshirjen e zonave ilire në sferën e ekonomisë së Mesdheut. Kolonitë më të hershme u vendosën në tokat e Ilirisë së Jugut. Këto zona të banuara nga ilirët kishin marrëdhënie tregtare me vendet e Greqisë që nga epoka kreto-mikene. Kjo tregti fitoi një bazë më të gjerë në kushtet e shthurjes së rendit fisnor tek ilirët. Vendosja dhe zhvillimi i mëtejshëm i kolonive ka qenë pasojë e këtij procesi. Në fillim u vendosën pranë vendbanimeve ilire pikat tregtare, të cilat me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me brendatokën ilire u populluan nga grupe kolonistësh helenë dhe u kthyen në qendra të shpërngulurish (apoike) të metropoleve greke.

Kolonia më e hershme u vendos në vitin 737 në ishullin e Korkyrës, që banohej atëhere nga liburnët. Nga këtej një valë kolonistësh u vendosën në Dyrrah (627 p.e.sonë, ka shumë gjasë edhe më herët). Apolonia, e cila u themelua në vitin 588, ngjan të ketë qenë populluar nga kolonistë të ardhur nga Dyrrahu. Për gjithë kohën antike midis dy qyteteve u mbajtën lidhje të ngushta ekonomike dhe politike, që janë karakteristike për marrëdhëniet midis metropoleve dhe apoikeve. Në të njëjtën kohë me Apoloninë u formua nga banorët të ardhur nga Eubea edhe kolonia helene në Orik, e cila për vetë mundësitë e kufizuara të kontakteve me prapatokën ilire nuk arriti kurrë rëndësinë ekonomike, as edhe famën e dy kolonive të tjera. Kaluan edhe dy shekuj të tjerë derisa kolonistët helenë të ardhur nga Parosi, Sirakuza e Sicilisë dhe Knidi të vendoseshin në ishujt e Ilirisë së Veriut, ku themeluan Faron (sot Hvar), Isën (sot Vish) dhe Korkyrën e Zezë (sot Korculla).

Në fillimet e veprimtarisë së kolonive peshën kryesore në ekonomi e zinte tregtia tranzite. Nga tokat ilire merreshin prodhime bujqësore, lëndë druri dhe minerale për nevojat e metropoleve, kundrejt shkëmbimit mall me mall me prodhime të zejtarisë. Por në shek.V p.e.sonë kolonitë e bregdetit ilir nuk janë më shtojca të ekonomisë e furnizuese të thjeshta lëndësh të para të qyteteve mëma. Prodhimi vendor, i mbështetur kryesisht në shfrytëzimin e punës së skllevërve, arrin në këtë periudhë një shkallë të tillë zhvillimi saqë ishte në gjendje të mbulonte jo vetëm kërkesat e popullsisë së këtyre qyteteve, por edhe të botës ilire përreth, gjallëruese dhe nxitëse e drejtpërdrejtë e këtij zhvillimi. Importimet nga qytetet mëma dhe Greqia u kufizuan kryesisht në sendet e luksit dhe në veprat e artit. Dyrrahu dhe Apolonia vepronin tani si njësi ekonomike krejt të pavarura, duke e shprehur këtë edhe në prerjen e monedhave të tyre të veçanta.

Zejtaria u orientua nga prodhimi i sendeve të konsumit të gjerë: qeramika, veglat e punës, armët që hidheshin në tregun e brendshëm dhe në atë të prapatokës. Punishtet e prodhimit të gjerë të enëve prej balte, të tjegullave e të tullave, të punimit të gurit etj., ishin prona të skllavopronarëve dhe kishin karakterin e ergasterive antike.

Në marrëdhëniet tregtare me botën ilire, veç prodhimeve bujqësore e blegtorale, lëndës së drurit për ndërtimin e anijeve dhe skllevërve, për të cilat tregu grek kishte mungesë, vëmendja e kolonistëve u përqendrua në pasuritë minerale të Ilirisë së Jugut. Në shkrirjen dhe në përpunimin e hekurit, të bakrit dhe të argjendit, ilirët kishin një përvojë shekullore, nga e cila përfituan edhe kolonistët. Veçanërisht eksportimi i argjendit që nxirrej nga minierat e pirustëve dhe të Dardanisë, u bë një nga burimet kryesore të pasurimit e të lulëzimit të dy kolonive të mëdha, Dyrrahut dhe Apolonisë. Ai eksportohej kryesisht në formën e monedhave, të cilat gjetën një përkrahje të gjerë në krahinat e afërta dhe të largëta ilire.

Për të nxjerrë fitime sa më të mëdha nga marrëdhëniet tregtare me ilirët, sidomos nga tregtia me shumicë e lëndëve të para, e gjithë kjo veprimtari kryhej nëpërmjet një përfaqësuesi të veçantë të kolonive, të quajtur poleti. Duke qenë se Dyrrahu dhe Apolonia ishin qendra zejtare e tregtare, bujqësia e blegtoria zinte në to një vend të dorës së dytë. Në rrethet e afërta të qytetit pronarët e pasur kishin tokat e kullotat e tyre me sipërfaqe e prodhim të kufizuar, sepse kufiri me ilirët nuk shtrihej shumë larg mureve të qytetit. /konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here