Nga Albert Vataj

Epitete dhe përkufizime të ndryshme janë përpjekur ta kumtojnë në mënyrë të përmbledhur gjithësinë e komunikimit dhe krijimit shkencor. Ishte padyshim më i madhi i të mëdhenjve. Isak Njutoni së bashku me Gaussin dhe Arkimedin bëjnë pjesë në të ashtuquajturën “treshe të artë” të matematikës. Ai ka formuluar tri ligjet kryesore të mekanikës: Ligjin e inercisë. Ligjin veprimit dhe kundërveprimit. Ligjin e forcës.

Isak Njutoni lindi në fshatin Woolstrop Linkolnshir në Angli. Shkollimin e filloi në The King’s school, në Grantham. Libri i tij Philosophiæ Naturalis Principia Mathematica i publikuar në 1687, konsiderohet të jetë libri më me ndikim në historinë e shkencës. Në këtë punim, Njutoni përshkroi gravitacionin universal dhe tre ligjet e lëvizjes, ku vuri bazat e mekanikës klasike. Në mekanikë, Njutoni formuloi parimin e inercisë.

Kur u bë më i rritur, nëna e tij e çregjistroi nga shkolla, me shpresë, se në bujqësi do të jetë më i suksesshëm. Fatmirësisht u zbulua se ai kishte prirje për punë të tjera, kështu që në moshën 18 vjeçare u regjisirua në Universitetin e Kembrixhit. Atje shumë shpejt mësoi shkencën e atëhershme dhe matematikën, dhe pas një kohe të shkurtër i filloi hulumtimet e veta. Në moshën 21-27 vjeçare, Njutoni i vuri bazat e teorive shkencore, të cilat më vonë mundësuan ndryshimet rrënjësore në botë.

Mesi i shekullit XVII është kohë e ngritjes së paparë shkencore. Zbulimi i teleskopit në fillim të shekullit, në mënyrë rrënjësore i ndryshoi hulumtimet astronomike. Filozofi, Frensis Bekon dhe dijetari francez Rene Dekart u apelonin shkencëtarëve të mbarë Evropës që më të mos mbështeteshin në autoritetin e Aristotelit, por të fillojnë me hulumtime dhe gjurmime vetjake. Njutoni madhështor në praktikë e arriti atë për të cilën angazhoheshin Bekoni dhe Dekarti. Studimet e tij në astronomi dhe shfrytëzimi i teleskopit të posazbuluar, kushtëzojnë ndryshime rrënjësore në këtë shkencë, ndërkaq eksperimentet në mekanikë sollën deri te formulimi i Ligjit të parë (të Njutnit) për lëvizjen.

Shkencëtarë të tjerë si Uilijam Harvi (zbuloi qarkullimin e gjakut) dhe Johanes Kepler (formuloi ligjet e lëvizjes së planeteve rreth Diellit), gjithashtu futën informacione thelbësore në rrethet shkencore. Megjithatë shkenca e mirëfilltë edhe më tej ishte preokupim i njerëzve, të cilët u morën me punët mendore andaj edhe nuk ka pasur fakte për pohimet e Frensis Bekonit se e shkrirë në teknikë, ajo rrënjësisht mund t’i ndryshojë kushtet reale të jetës së njerëzve. Edhe pse Koperniku dhe Galileu kundërshtuan disa nga botëkuptimet e gabuara të shkencës së lashtë duke kontribuar me këtë në të kuptuarit më të mirë të Gjithësisë, akoma nuk ishin të formuluara parimet, të cilat të gjitha faktet do t’i sintetizonin në një teori të veçantë me qëllim që parashikimet shkencore të bëhen të mundshme e reale. Isak Njutni është ai, i cili e përpiloi atë teori të veçantë dhe e orientoi shkencën moderne drejt rrugës, të cilën ajo e ndjek që atëherë e sot e kësaj dite.

Njutni asnjëherë nuk ka pasur ndonjë dëshirë të veçantë që t’i shpallë rezultatet e arritura, edhe pse në vitin 1669 tanimë i formuloi idetë themelore të zbulimeve të tij, një numër i madh i teorive janë bërë të njohura tepër vonë. Zbulimi i parë i shpallur i tij është punimi themelvënës për natyrën e dritës. Pas një varg eksperimentesh të ndërlikuara Njutoni zbuloi se drita e thjeshtë e bardhë është e përbërë nga të gjitha ngjyrat e ylberit. Krahas kësaj ai me kujdes të madh i studionte ligjet e reflektimit dhe të përthyerjes së dritës. Kështu në vitin 1668 ai e krijoi dhe praktikisht e ndërtoi teleskopin e parë me pasqyrë, teleskopin reflektues, i cili edhe sot përdoret në më shumë observatoriume astronomike. Në moshën 29 vjeçare, Njutoni, para Shoqërisë mbretërore britanike i prezantoi këto zbulime së bashku me eksperimentet tjera të tij në lëmin e optikës.

Vetëm këto zbulime janë të mjaftueshme që t’i sigurojnë vend në këtë listë treguese, por janë të shumta edhe të arriturat e tij në matematikën e mirëfilltë dhe në mekanikë. Kontributi i tij kryesor në matematikë është zbulimi i llogaritjeve integrale, të cilat arriti t’i zbulojë që në moshën 23-24 vjeçare. Kjo arritje më e rëndësishme në matematikën moderne s’është vetëm kokërr nga e cila lindet një pjesë e madhe e teorisë bashkëkohore matematikore, por edhe instrumenti i jashtëzakonshëm pa ekzistimin e të cilit përparimi i mëtejshëm i shkencës moderne do të ishte i pamundshëm. Edhe po qe se të mos zbulonte asgjë tjetër, pos llogaritjeve integrale, ajo do t’i siguronte Njutnit njërën nga pozitat parësore në ketë vepër.

Megjithatë, sukseset më të rëndësishme të Njutonit janë në lëmin e mekanikës-shkencë, e cila e sqaron lëvizjen e trupave fizikë. Galileu zbuloi ligjin e parë të lëvizjes me të cilin sqarohet lëvizja e trupave nën ndikimin e forcave të jashtme. Në praktikë, është e qartë se të gjitha trupat u nënshtrohen ndikimeve, por, çështje thelbësore në mekanikë është se si lëvizin trupat nën ndikimin e forcave të jashtme. Këto problem Njutoni e zgjidhi me Ligjin e tij të dytë të lëvizjes, i cili me të drejtë konsiderohet si bazament në fizikën klasike. Ligji i dytë (formula matematikore e të cilit është F = ma) thotë: rritja e shpejtësisë së një trupi është e barabartë me forcën ndikuese ndaj tij e pjesëtuar me masën e tij. Më vonë këtyre dy ligjeve Njutoni ua ndajshtoi edhe Ligjin e tretë famoz për lëvizjen (ai thotë: çdo ndikim apo forcë fizike ka edhe kundërndikimin e barabartë në kahje të kundërt) dhe Ligjin më të njohur për gravitacionin kozmik. Këto katër ligje, marrë në tërësi, paraqesin një sistem të veçantë nëpërmjet të të cilit praktikisht të gjitha sistemet mekanike makroskopike-prej lëvizjes së lavjerrësit e deri te lëvizja e planetëve nëpër orbitat rreth Diellit mund të hulumtohen e të parashihen veprimet e tyre. Njutoni jo vetëm që i formuloi ligjet themelore të mekanikës, por duke i shfrytëzuar llogaritjet integrale, personalisht tregoi se si mund të aplikohen ato në zgjidhjen e problemeve aktuale.

Ligjet e Njutonit shfrytëzohen në zgjidhjen e një rrethi të gjerë të problemeve shkencore e teknike. Derisa ai ishte gjallë, këto ligje aplikim më evident kishin në astronomi. Edhe këtu Njutoni fitoi një vend të lartë. Në vitin 1687 ai botoi veprën e rëndësishme ”Parimet matematikore të filozofisë së natyrës” (shkurtimisht e njohur si “PRINCIPIA”), në të cilën janë të eksplikuar Ligji i gravitacionit dhe ligjet e lëvizjes. Ai tregoi se si duhet të aplikohen ato ligje që të caktohet me saktësi të madhe lëvizja e planeteve rreth Diellit. Detyrën themelore të astronomisë dinamike gjegjësisht me saktësi të parashihen pozitat dhe lëvizjet e yjeve dhe planeteve Njutoni e zgjidhi në mënyrë të shkëlqyeshme, vetëm me një lëvizje. Pikërisht për këtë pothuajse të gjithë e konsiderojnë si më të madhin ndër astronomët.

Atëherë çfarë është vlerësimi ynë për rëndësinë shkencore të Njutonit? Gjatë shqyrtimit të regjistrit të çfarëdo qoftë enciklopedie shkencore, hasim në më shumë udhëzime (dy-tri herë më shumë) nga njësitë për Njutonin dhe për ligjet e zbulimet e tij, se sa për cilindo shkencëtar tjetër. Përveç kësaj duhet t’u kushtohet kujdes edhe thënieve të shkencëtarëve të tjerë për Njutonin! Shkencëtari gjerman Gotfrid Lajbnic (1646-1716), i cili nuk ishte mik i Njutonit, dhe me të cilin ka pasur polemika të rrepta shkruan; “Nëse e marrim matematikën që nga themelimi i saj e deri në kohën e Njutonit, pjesa më e madhe e saj është vepër e Njutonit!”. Shkencëtari i madh francez Pjer Laplas (1749-1827) ka shkruar: “Principia i kapërcen të gjitha veprat tjera të gjeniut njerëzor”. Matematikani francez Lui Lagranzh (1736-1813) shpeshherë përsëriste se Njutoni është gjeniu më i madh që ka pasur bota, ndërsa Ernest Maks (1838-1916) fizikan austriak, në vitin 1901 shkroi: “Gjithçka që është arritur pas kohës së tij është përpunim deduktiv formal matematikor i mekanikës në bazë të ligjeve të Njutonit”. Kontributi i madh i Njutonit eksplikohet me këtë: ai ndërlidhet me shumicën e fakteve dhe ligjeve, të cilat mund të sqarojnë disa dukuri, por nuk janë në gjendje të parashohin diçka; shkencëtari na la sistemin e veçantë të ligjeve që mund të aplikohen te një numër i madh i dukurive fizike dhe të shërbejë nëpër parashikime të sakta.

Isak Njutni më 31 mars 1727 dhe u varros në Manastirin ministror me çka edhe u bë shkencëtari i parë që u nderua me një respekt të këtillë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here