Amaneti që i la Visarjon Xhuvani Viktor Martinit, në oborrin e burgut të Burrelit. Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, një ndër të burgosurit politik si intelektual i shquar i kohës, po e ngarkonte të riun 18-vjeçar, me misionin për të rrëfyer krimet e komunizmit, brenda birucave të Burrelit

Viktor Martini ishte i mitur kur u arrestua nga diktatura komuniste, me akuzën për tentativë arratisje, i katërti prej vëllezërve të familjes Martini, të gjithë në burg. Ishte viti 1956 kur u arrestua Viktori, në moshën 16 vjeç. Ndërkohë, i ati kishte vdekur në burgun e Burrelit. Viktor Martini u arrestua në Shkodër, ku dhe kaloi disa kohë si i burgosur, më pas, u transferua në burgun e Rinasit, dhe në moshën 18-vjeçare, u transferua në burgun e Burrelit, atje ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e intelektualëve shqiptarë, që regjimi komunist i kishte shpallur armiq të popullit. Natyrisht që burgu është një ndër “ëndrrat” më të këqija të jetës së tij, por atje ka diçka pozitive për të kujtuar, dhe e thotë me shumë krenari, dijet e mirësinë që mori nga ata intelektualë shqiptarë që u dënuan padrejtësisht nga regjimi komunist. “Nëpërmjet nji akuze false, më arrestuen për tentativë arratisjeje, dhe më dënuen me 7 vjet burg. Por kjo fatkeqësi më krijoi mundësinë të bashkohem me atë pjesë krenare të kombit, prej të cilëve mora mësimet e para intelektuale e morale. Njeni nga këta mësues asht Fisniku i pashoq, intelektuali e i papërkuluni Ali Mena. Kanë kalu 60 vite, por falenderoj Zotin që më ka ruejtun memorien të freskët. Jo vetëm për mos me i harru këta heronj, por dhe për t’ia ba të njohun pjesës ma të randësishme, rinisë shqiptare, të cilët nuk kanë pasë rastin të ndigjojnë historitë e antikomunistëve”, rrëfen Viktor Martini, në intervistën e dhënë për Dritan Kolgjinin, pak kohë më parë.

Një ndër detajet më interesante të jetës së Viktor Martinit në burg, është amaneti që i ka lënë Visarjon Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, në oborrin e burgut të Burrelit.

“Unë ndihem tepër i kënaqun që po kryej nji amanet që me la Visarjon Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, kur në oborrin e burgut të Burrelit me tha: “Në emën të Zotit, të ngarkoj të jesh dëshmitar i vuejtjeve të tona, kur nji ditë ne s’kemi për të qenë.” Isha 18 vjeçar e unë do vazhdoj të jem dëshmitari i vuejtjeve të njerëzve të ndershëm, që sakrifikuen për lirinë e dinjitetin e popullit shqiptar”, rrëfen Viktor Martini, në intervistën dhënë Dritan Kolgjinit, botuar në gazetën Dielli, në mars të vitit 2015.

Kujto.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here