Kronika në fjalë na dëshmon, se: “Famullia e Tuzit” rrjedh nga famullia e Vuksanlekajve, e shkatërrueme (kisha e qela) në vjetin 1918, nga komitet serbo-malazeze, ashtu si dhe kisha e Traboinit.
Me themelimin e famullisë së Tuzit në vjetin 1929, pader Marjan Prelaj erdhi prej Traboinit në Tuz, dhe iu përvesh punës. Pader Marjani ka shkrue në dorëshkrim nji kronologji / historiat / për famullinë e Tuzit, prej të cilës në mes tjerash vlerësoj të shënohet: “Se këto vise kanë kënë të tana të besimit romak – katolik, nuk asht farë dyshimit, tue kenë enè sot gjallë gojëdhânat e popullit, rrenimet e kishave të moçme: Kisha e Sh. Mhillit në Dinoshë, Kisha e Ploçës buzë liqenit, Kishza afer Sukrugjës, Kisha afër Zharnicës në Rrogath, Kisha në Qafë të Kishës, e sa tjera Kishë, që sot nuk njifen.
Më 20.05.1930, u bekue gurthemeli i Kishës kushtue Shna Ndout, me ç’rast ju dergue telegrami Papës Pio XI.
Më 13.06.1931, u organizue proçesioni i parë kushtue Shna Ndout, nëpër Tuz.
Më 13.06.1932, gjatë Meshës ,,Agnus Dei”, në praninë e 1600 vetëve, erdhi kufitari serb që rrinte në karaudhen e Bozhajvet, z. Aleksander Jeremiq, e hyni në kishë. Iu afrue famullitarit, që ishte tue çue Meshë, e nxjerrë pistoletën me e vra, por z. Pjetër Prëtashi Berishaj, nga Gurreci, me nji shpejtsi dhe shkathtsi të madhe, ia kap pistoletën në dorë, e e shtrin për tokë, dhe me ndihmen e tjervet e qesin perjashta. Në nji shkresë të veten, në formë të amanetit, Pjetri, në lidhje me ketë rast, thotë, për vete: “Kjesh i xhdritun prej Zotit e ia kapa levoren pa e ndezë. Mbas apelit të pader Marjanit, populli qetësohet dhe fillon proçesioni, nëpër Tuz.
Me urdhën të Ministrisë së Mbrendshme, nr. 41767, më 15.11.1932, pader Marjanit, i duhet që deri më 21.11.1932, me dalë prej toket jugosllave.
Më 21.11.1932, famullitari pader Marjan Prelaj del prej toket të ish Jugosllavisë për në Shqipni, i percjellun me mall e me vaj prej popullit.
Mbasi që nuk ia mbrrijnë me e vra, e largojnë veç si me pengue që mos të përfundohet ndërtimi i kishës, tue mendue se kur të shkojë ai, s’ka me pasë kush me u ra mrapa punëve.
Mirëpo, mbas largimit të pader Marjanit, për me vazhdue punën në kishë angazhohet maksimalisht z. Pjetër P. Berishaj, i cili për 8 muej rrin në Beograd për me rregullue dokumentata e nevojshme. Pjetri, i cili për ketë kishë qysh në fillim ka dhanë 12.000 dinarë të atëhershëm, punoj 4 vjet me rradhë, në amanetin e tij, veten e quen: “I dyti pader Marjan, për me goditë kishën”.
Duhet theksue se Pader Marjani, përsa i përket Famullisë së Tuzit, ka merita të mëdha: themeloi famullinë, filloi me ndertimin e kishës dhe të kompanjelit, bleu tokë, dhe ngriti nivelin e përshpirtnisë të besimtarëve.
Sot, Malsia nuk mund të paramendohet pa famullinë e Tuzit. Ajo asht qendra e Misionit, famullia ma e madhe në krejt Dioçezin e Tivarit.
Shkruan: P. Pashko Gojçaj, në Monografia e Argjipeshkvisë së Tivarit, Tivar 2017.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here