“Nuk mund të la pa treguar historinë e këngës “PËR TY ATDHE” …kishim dalë për nji udhëtim pune ndër malet Kacinarit në Pukë ku malësorët me nderim e respekt po na pregaditshin ca gatime tradicionale që më mrekulluan”, tregon Tamara Gaci. Pjetri kishte hypë mbi një shkëmb të naltë ku shihej krejt lugina dhe po shijonte pamjen madhështore që i hapej përpara.
…Eja – i thashë, – se dona me hanger drekën. – Knaqnju ju tuj hangër speca të mbushun. Se unë e kam gjetë vendin me u knaqë. Prej ktu ku jam shoh tanë Shqipninë.

Unë me të tjerët u ulem në tryezën e shtruar për drekë. Ndërsa Pjetri mbasi ndenji një copë herë i fiksuar nga pamja mahnitëse. U zhduk në dhomën e hotelit për 4 orë rresht. Unë e dija, ai po shkruante diçka.

Më vonë, ai doli nga dhoma duke tundur në duar shënimet e kompozimit të këngës Për Ty Atdhe e duke më thënë i gzuem:… ky do të jetë hymni që i kam kushtue atdheut. Ka për të pasë jetën gjatë… (ka treguar zonja Tamara, në një intervistë më herët, për bashkëshortin muzikant).

Akademia e Shkencave zhvilloi kohë më parë një konferencë jubilare në 90-vjetorin e lindjes. Si dhe promovoi librin në nderim të tij, “Pjetër Gaci. Kemi muzikën, që të mos vdesim”.

Kompozitorë dhe muzikologë, si Vasil Tole, Eno Koço, Lorenc Radovani. Mikaela Minga dhe Zija Vuka, nën moderimin e Stefan Çapaliku, referuan mbi krijimtarinë muzikore edhe jetën e artistit shkodran.

Në referimin me temë “Kompozitorët shkodranë, pionierë të krijimit të gjinive të mëdha muzikore: simfonia – Zadeja, opera – Jakova, baleti – Daija dhe koncerti instrumental – Pjetër Gaci” akademiku Vasil Tole rrëfeu kontributin e këtyre artistëve në muzikën tonë.

“Duhet të dimë, se në kohën që Gaci, Daija, Jakova dhe Zadeja hynë në muzikën shqiptare. Muzika jonë ishte ende në fillesat e krijimit. Krijimtaria jonë e kultivuar kishte nxjerr disa emra. Por ende nuk ishte thënë fjalën përfundimtare për themelimin këtyre gjinive, por edhe për konsolidimin e rrënjëve etnike”, – shprehet ndër të tjera Vasil Tole.
Bashkëshortja e kompozitorit me origjinë ruse, Tamara Kudrickaja-Gaci, që tërë jetën e kaloi pranë tij, duke qenë dëgjuesja e parë e veprave që artisti realizoi, rrëfen se këto ditë kujtimet e saj janë të dyzuara, sa të ëmbla aq edhe të trishta. Sepse dita e lindjes së artistit përkon dhe me atë të ndarjes nga jeta

“Jam dyzuar, vendi im nuk e di se cili është më, derisa kam zgjedhur që të jem këtu deri me vdekë. Unë këtu kam jetuar pjesën më të arsyeshme të jetës sime këtu. Më shumë vite kam këtu. Por, jam e emocionuar që ende kujtohet emri i tij. Emri i krijuesit rron sa rron vepra e tij. Por shyqyr që vepra e tij rron dhe kujtohet emri. Ky fakt më ka emocionuar. Unë për vete jam dyzuar në këto kujtime, sepse data 27 mars është dita e lindjes edhe vdekjes”, shprehet bashkëshortja Tamara Gaci.

Ajo e kishte të vështirë të ndalet te një nga krijimet e tij më të arrira të tij. Pasi për të çdo vepër ka shpirtin e artistit në to. Megjithatë, mes operave “Toka jonë” apo “Përtej mjegullës” apo këngës “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, zgjedh këngën “Për ty atdhe”.
“Si krijues ai ka thënë, ‘të gjitha veprat janë si fëmijët e mi, secila prej tyre, edhe më vogla. Të gjitha i donte, ndoshta “Për ty atdhe” e ka veçuar. Unë kam mundësinë që të isha pranë tij, kur krijoheshin veprat e tij, të gjitha më mallëngjejnë dhe të gjitha i dua”, – rrëfeu ajo, transmeton ‘konica.al’.

Pjetër Gaci (27 mars, 1931 – 27 mars, 1995) u lind në fshatin Shtiraj të Shkodrës. Kreu studimet e larta në konservatorin “P. I. Çajkovski” të Moskës. Ka kompozuar koncert e parë për violinë në historinë e muzikës shqiptare dhe baladën e parë për violinë dhe piano. Ka kompozuar rreth 500 krijime muzikore, 7 prej tyre janë vlerësuar me çmime edhe është vlerësuar me titullin “Artist i popullit”./

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here