Shohim me të math trishtim mosdashjen e disa shqipëtarëve të ndërtojnë e të zbukurojnë gjuhën e tyre. Është nevojë të mos e lëshojmë Shqipen si ka qenë, se ashtu s’munt të quhet gjuhë.

Kemi për të shpallur më tutje ca mendime mbi këtë çështje. Le të bëjmë sot vetëm dy lutje: fjalët ‘gaj’ e ‘jake’ mos i përdorni, se janë fjalë leskoviqare. Forma e tyre e qëruar është nga ‘eja’. ‘Jake’ është foshnjërisht për ‘eja këtu’, sa për ‘gaj’ e kam dëgjuar veç prej Evgjitëve. Le të thomi, duke shkuar, edhe rrënjën e të dy fjalëve; ‘nga’ vjen nga Greqishtja e vjetër ‘eneka’, ‘eja’ vjen nga latinishtja ‘eja’ që do me thënë-afro si në shqipen-haide.

E zgjata ca për këto dy fjalët se shoh disa shkronjëtorë toskë që i përdorin pa kursim megjithë që e dinë mirë gjuhën.

Më 1497, domethënë 30 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, udhëtoi nëpër Shqipëri një Flamand (nga Belgia) që ia thonin Arnalt van Harff. Kish udhëtuar edhe në shumë vise të tjera të Lindesit e la një libër me të madhe rëndësi në të cilën ndodhet edhe një mbledhje fjalësh shqip; po e shpallim më tutje. Libri i Arnaldit van Harff është më i vjetri te i cili shkruhet gjuha shqipe.

Kombësia

Sot për sot në Shqipëri nukë ka Shqipëtarë; ka vetëm ‘Turq’ edhe ‘Kaurë’ do me thënë Shqiptarë që e kanë turp ta thonë veten Shqiptarë. Por, a ka qenë gjithherë kështu?

Nuk ka qenë një kohë kur edhe Shqiptarët e ndjenin në funt të shpirtit se ç’është kombësia?

Shkronjëtori ingledhetar Hobhouse, i cili kish udhëtuar nëpër Shqipëri bashkë me lordin Byron në 1809 thotë këto fjalë: kur pyet njerëzit e të tjerë viseve të Turqisë se ç’janë të përgjigjen ‘jemi turq’ e ‘jemi të krishterë’; po një njeri i Shqipërisë të përgjigjet vetëm ‘jam Shqipëtar’. Se mendimi kombëtar është shumë i shkëlqyer në Shqipëri.” Do me thënë Shqiptarët ishin mëmëdhetarë që një shekull më parë; sot na u bënë ‘Turq’ edhe “Kaurë’!

Kur kërkon më në thellësi njeriu shkakun e kësaj prapësie, i duket që kombësia jonë zu të humbasë kur u ngjall Greqia.

Gjer atëherë Shqiptarët e krishterë rronin vëllazërisht me të tjerë; po si u bë e veçantë Greqia, nga një anë shqiptarët muhamedanë u shtrënguan t’i lidhen më fort Turqisë, nga ana tjetër të krishterët shqiptarë iu qasnë të voglit shtet të krishterë gjersa u bënë fare fare Grekër.

Me këtë mënyrë, Greqia e ngjallur prej Shqiptarëve u bë shkak për vdekjen e tyre

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here