Daut Dauti

Puna e parë që bënë komunistët kur erdhën në pushtet, ishte elimimi i Gjergj Fishtës. Arsyeja ka qenë e thjeshtë: të zëvendësohet pan-shqiptarizmi me pan-sllavizëm. Kështu e donte alenca e komunistëve shqiptarë me Moskën dhe Beogradin. Shkatërrimi i varrit të Fishtës dhe hudhja e eshtarve të tij në lumë, ishte shenjë se regjimi i ri nuk do ta toleronte patriotizmin shqiptar që kishte krijuar Rilindja dhe të cilën ide Fishta e forconte gjithnjë e më shumë.
Fishta ka qenë diga kryesore në mesin e intelektualëve shqiptarë kundër pan-sllavizmit. Tërë jetën Fishta e kaloi duke e luftuar këtë rrezik të madh të drejtuar kundër shqiptarëve dhe kjo dëshmi gjendet në të gjitha veprat e tija, përfshirë Lahutën e Malsisë. Fishta nuk u luftua pse ishte prift. Ai u hoq nga skena për shkak se ideja e tij e fuqishme pan-shqiptare nuk e lejonte depërtimin e komunizmit dhe pan-sllavizmit te shqiptarët.
Regjimi komunist e krijoi ‘shqiptarin’ që mahnitej nga kultura sllave dhe u orientua për të shpërndarë urrejtje për ‘pushtimin turk’ që kishte përfunduar dhe nga i cili më nuk kishte asnjë rrezik. Kjo u bë me qëllim që e kaluara të mbahej gjallë dhe të harrohej e tashmja. Ky nuk ishte qëndrimi i Fishtës dhe i asnjë intelektuali shqiptar të deri atëhershëm.
“Intelektuali” i ri shqiptar, i krijuar në kornizën pan-sllave, e shpalli Fishtën armik. Intelektualit kryesor ia ndaloi veprat dhe e cilësoi si “poet minor klerik”. Janë ende gjallë “intelektualët” që e kanë sharë e poshtëruar Fishtën, kolosin e shqiptarizmës. Madje, shumë edhe përbetohen në emrin e këtyre “intelektualëve”.
Tragjedia kombëtare që ka ndodhur me Fishtën, vazhdon ende. Fishta nuk është prezent askund dhe injorimi ndaj tij vazhdon. Injorimi i Fishtës bënë me dije për një gjë: Derisa Fishta nuk kthehet aty ku e ka vendin, pan-sllavizmi rri këmbëkryq te shqiptarët. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here