Daut Dauti

Kur bënim gjysmën e rrugës për te lumi, në anën e majtë shiheshin disa gurë të mëdhenj që janë pjesë e një shkëmbi masiv të mbuluar aty-këtu me kaçube mbi të cilat shpesh shiheshin disa dhi duke kullotur. Nëse nuk i shihnim, e dinim se ku ishin në bazë të cingërrimave që lëshonin cingaret e tyre kur e lëviznin kokën. Kaçubetë tashti janë rritur kurse vendi është bërë mal dhe më nuk kullotet nga asnjë lloj bagëtie. Në mesin e gurëve gjendet Shpella e Kaçakëve. Shpella është aq e maskuar sa që gjendet vetëm nga ata që kanë shkuar shpesh aty. Hyrja është një hapësirë e vogël, rrafsh me tokë, në të cilën mezi mund të përbiroj njeriu me trup mesatar. Shtrirazi, duke u zhagitur me duar e këmbë, pas dy-tri metrave, pjerrtazi mbërrinë në fund të këtij lloj tuneli dhe pastaj duhet bërë një kthesë në të majtë për të hyrë në kthinën e shpellës.
Në hapësirën e saj, me formë gati të një dhome të vogël dhe deri diku të rrumbullakët, shpella ka vend për të qëndruar katër apo pesë fëmijë nëse ulen përballë njëri tjetrit apo nëse shtrihen përtokë. Pjesa vertikale është e ulët dhe nuk lejon të ngritesh në këmbë. E tërë hapësira është brenda një guri të vetëm dhe duket sikur që është gdhendur me daltë e çekiç nga ndonjë artist i zoti i cili më në fund i ka lëmuar muret me kujdes. Në fund të shpellës është oxhaku si një legen i gërryer mbi të cilin shihet një qarje sikur t’i kishte rënë reja për të shërbyer për daljen e tymit kur ndizet zjarri. Tymi del disa dhjetëra metra larg, në anën e djathtë të shpellës. Vend ideal për t’u fshehur nëse ik nga dikush. Ky ka qenë qëllimi i shpellës dhe për këtë arsye e ka këtë emër.
Gati çdo herë që shkonim te lumi, shpella ka qenë stacioni ynë i domosdoshëm. Hynim brenda dhe ndiznim zjarr me krande dhe dushk të thatë. Vetëm kur flaka e zjarrit e mundte errësirën mund të shihej shpella në tërësi. Gjatë kohës sa qëndroja aty ndjehesha sikur të isha brenda një veze gjigante. Pas disa minutave dilnim jashtë për t’u mahnitur me tymin i cili depërtonte në një vend të papritur. Pastaj, vazhdonim rrugën e cila nën shpellë merrte një kthese të madhe nga ku shihej pjesa që na mbetej për t’u zhdjergë. Në këtë pikë, pjerrtësia e shpatit shtohet aq shumë, sa që zigzaget e rrugës janë të shpeshta. Mu aty hipnim në një rrasë nga ku paraqitet pamja e një pjese të lumit. Nga këtu fillon të dëgjohet edhe zhurma e ujit që vjen gëzueshëm dhe me rrëmbim. Në mesditë, kur dielli qëndron në mes të qiellit, e bënë ujin të shkëlqej sikur pasqyrën. Pjerrtësia e rrugës është aq e madhe sa që duhet ecur me kujdes dhe shpesh duke u mbajtur për degë të lajthive dhe thanave që dominojnë në këtë pjesë të shpatit. Kjo është rruga e mullirit.
Kanë kaluar disa dekada që nuk kam qenë te kjo shpellë dhe me siguri po kaq kohë nuk ka hyrë kush në të. Mezi e gjetëm me një kusheri timin gjatë vjeshtës që shkoi. Nuk na e mori mendja të hynim brenda dhe t’i përtrinim ndjenjat e lumtura të fëmijërisë sonë që tashti duket e largët. Distanca kohore është rritur shpejt dhe në mënyrë tinzare e të pabesueshme mëton t’i mbuloj gjurmët e kujtimeve. Për ne kjo shpellë ka qenë vend argëtimi ku shkonim me gëzim gati çdo ditë të verës. Tashti, pothuaj nuk e di askush ku gjendet ky vend. Kaq shumë ka ndryshuar bota ime e fëmijërisë. Kam dro se sot përjetimet e fëmijërisë time përngjajnë në përralla apo tregime të trillura. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here