Poezi nga: Ndre Mjeda

I MBETUNI

Edhè shtâza po gazmohet,
Edhè bari mungullon ;
N’shênd natyra gjith po çohet,
Veç ti, i mjeri, po gjimon.

Kâng’ e valle tui bashkue
Shênd prei gojet gjithkush qet;
Veç i vorfni tui dertue
Porsi i huej â n’gjiní t’vet.

Tui ankue për t’zeza t’veta
Për gjith derë tui lyp’ kërset;
Për ‘tê t’dhimtun kërkund s’gjeta:
Porsi i huej â n’katund t’vet.

Lodh’ e ûnshem, kúr vjen nata,
N’prêhën t’nanës me shkue kujton;
Edhè nana i diq e ngrata,
E kush t’vorfnin s’e ngushllon.

Bab’, oh! babë! sa herë ndo‘j trimit
Do me i thanë tui derdhun lot;
Po për têne â fjalë trishtimit,
 nji fjalë qi permênd kot.

Për dhé t’vet tui dalë n’ushtríe
Rrebtë qindroj i jati e diq;
Sot i vorfni askund nji shpíe,
Nji copë buk s’e gjên nder miq.

Ah! ti njomë, o njomë e mjera,
Dit’ e natë qi po vajton;
Kund nder miq nuk t’çilet dera,
Kërkush vajin s’ta pajton.

Dit’ e natë pá buk e shpíe
Shkote i vorfni andej e këndej,
E prei t’pasunish zotníe
Nji fjalë t’mirë kërkush s’ja kthej.

Kû ké baben me t’ ndimue?
Kû ké nanen me derdhë lot?
Tý gjith robi t’ká harrue,
Kërkush s’do me t’dalun zot.

Tui rá bór, tui frye murrlani,
Mjet dý vorreve si‘j lis,
Afër gropës qi vet’ e bâni,
Djali i vorfën u molis.

Afër nanës u shtrue me fjetun,
Afër babës kërkoj pushim;
Kurrgjâ t’ngritin s’ká me e gjetun,
T’xét e t’ ftoftë s’kan me pasë ndrrim.

Me njatà qi veç e doshin
Trupi i t’vocërrit pushoj;
E n’lumní qi atà po gzoshin
Shpírti i njomës fluturoj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here