Nga: Abdurahim Ashiku

Meditime me një pikë loti rrudhave të jetës Në 15-vjetorin e IKJES

Të dielën, 11 tetor, me nismë të shoqatës “Vëllazërimi” në Athinë, në mjediset e Federatës së Shoqatave Shqiptare të Greqisë, u mblodhën ata që e kishin njohur nga afër Aristidh Kolën e madh të shqiptarisë, që kishin pirë kafe e kishin ngritë me Të gota të mbushura me raki Shqipërie, ata që e kishin parë me ngazëllim e krenari në ekranet e vegjël të televizioneve greke atëherë kur ai luftonte “I vetëm-trim në luftë” me fjalën peshëplumbi në mbrojtje të luftës së madhe shqiptare të fundshekullit të kaluar e fillimshekullit të ri, betejës historike të UÇK-së që i dha liri e pavarësi Kosovës martire…

Tubimin e hapi Vasilika Sako, këngëtarja bilbil e këngës labe në mërgim, anëtare kryesisë së shoqatës “Vëllazërimi” për ta përcjellë fjalën në Zërat e Panorea Gjolikut, Anila Kilës, arvanitasit Stefanos Petros, Arqile Gjatës, Robert Goros, Mihal Dushos, Edmond Gurit…
Ndërsa ata flisnin me mall, dashuri e respekt për Aristidh Kolën mendja më shkoi tek 9 shkurti i vitit 2000, ditës ku kam qenë më afër se kurrë me arvanitasin e madh.

Atë ditë njërës prej pyetjeve të mija Ai do t’i përgjigjej

“…Që në vitin 1991 kisha parashikuar zhvillimin e ngjarjeve të lidhura me Kosovën, lëvizjet e Millosheviçit dhe të qarqeve nacionaliste të Beogradit. Shqetësohesha sepse në planet e tij të çmendura donte të ngatërronte edhe Greqinë me qëllim që të gjejë mbështetje për zgjidhjen e problemit shqiptar. Kërkonte nga Greqia që ta ndihmojë në çastin e përshtatshëm me një kundërgoditje në Jug të Shqipërisë. Po ashtu kërkonte edhe nga Gligorovi të përgatitej për një përballim të përbashkët të problemit sepse edhe në atë shtet, shpejt apo vonë do të ngrihej problemi i shqiptarëve.
Siç e dini, çdo veprim politik ose ushtarak, që të ketë sukses, kërkon një parashtrim teorik për të bindë aleatët dhe popullin. Millosheviçi foli si ortodoks i krishterë në Kishën greke e cila është me ndikim të madh në popull, foli si komunist në Partinë Komuniste Greke dhe si socialist popullor në PASOK. Ai me nacionalizmin dhe serbomadhizmin e tij arriti të mallëngjente nacionalistët dhe shovinistët e këtushëm. Ai mundi të rrëmbejë dhe të ngatërrojë shumicën e botës politike greke dhe si rrjedhojë edhe të popullit. Unë më duket se isha i vetmi që kisha theksuar dhe paralajmëruar se propaganda filoserbe dhe antishqiptare, e cila asokohe sapo kishte filluar, ishin dy anë të së njëjtës monedhe.

Atëherë ishte shumë e vështirë të shkruaje e denoncoje për këto sepse e gjithë bota politike dhe Kisha qenë viktima të një mashtrimi dhe të një aventure me rrezik të madh. Nuk ishte fjala se kisha frikë për jetën time, por se nuk do të më dëgjonte askush. Shikoja se Millosheviçi, Karaxhiçi, Shesheli, Arkani dhe bandat e tyre kriminale prisnin të lanin hesapet me Bosnjën dhe me Kroacinë dhe pastaj të lajnë duart një herë e mirë me Kosovën. Atëherë, për herë të parë, ndonëse kisha qenë antiamerikan, thashë: “Nuk ka shpresë tjetër veç Amerikës !“ Jeta luan role të çuditshme; shumë herë mbytesh nga miqtë dhe shpëtohesh nga armiqtë.

Në qoftë se nuk ndërhynte Amerika dhe Evropa do të kishim probleme shumë të mëdha, të cilat u përpoqa t’i tregoj dhe t’i theksoj në libër (“Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit“ A.A.). U përpoqa të lajmëroj udhëheqjen politike se po luan haptazi me zjarrin duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën dhe tërësinë e shtetit grek. Mjerisht ai libër u varros krejtësisht në Greqi. Nuk pati asnjë jehonë e popullaritet në vitin 1995 kur u botua.
Në vitin 1999 kur shpërtheu kriza e Kosovës ua dërgova librin disa politikanëve me horizonte të hapura dhe e rivendosa në librari, ku ndonëse u shit, nuk iu dha përsëri asnjë popullaritet. Një vello heshtjeje ! Ekzistonin njerëz këtu që kujtonin se Greqisë i leverdiste një “Serbi e Madhe“. Për fat të mirë grekët kurrë nuk do të mësojnë se çdo të thoshte për Greqinë një “Serbi e Madhe“. Këtu nuk mungon vetëm njohja e historisë. Mungon edhe fantazia…

Për sa i përket “Betejës së Kanaleve“, e dija se shkoja në gojë të ujkut. Më kishin ngritur kudo kurthe, nuk më linin të flas kur shikonin se po ndikoja në opinionin publik me mendimet e mija. Shkoja i ndërgjegjshëm për të gjitha ato vështirësi dhe bashkë me mua shkuan edhe miq e bashkëpunëtorë të tjerë si J. Miha dhe J. Korizis dhe njerëz të tjerë të ndershëm me të cilët nuk kisha kontakt dhe bashkëpunim deri atëherë si R. Sumeritis, Xhanetakos, Theodhoraqis (jo kompozitori), Dhimu e të tjerë. Bëmë një betejë krejt të pabarabartë, një betejë ama që e kishim detyrë ta bënim. Ekzistonin sigurisht rreziqe të mëdha, por kur vendos të bësh diçka të rëndësishme në jetën tënde patjetër duhet të kesh parasysh gjënë më të keqe dhe të vesh “kokën në torbë“…

Tek bisedonim për një vepër të re pas asaj “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit“ Ai me vështrim ëndërrues më tha…

“Është një joshje e madhe të shkruaj një pjesë të dytë me brendi ngjarjet e fundit në Kosovë. Por, si ka thënë Gëte , “Ndërsa arti është i pafund, jeta është e shkurtër.” Nuk kam kohë. Po përpiqem të botoj veprën time “Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane“, ku përcjell materiale dhe të dhëna shumë të rëndësishme për periudhën parahistorike dhe kryesisht paraardhësit e kosovarëve, Dardanët. Nga ana tjetër shumë gjëra i kam shkruar në revistën “Arvanon“ me të cilën merrja pjesë në betejë bashkë me kosovarët. Dhe së fundi: problemi kosovar mori një fund fatlum…”

Aristidh Kola 246 ditë më vonë, më 13 tetor 2000, IKU me gëzimin njerëzor se… problemi kosovar mori një fund fatlum….

I zhytur në kujtime ku përziheshin gëzimi dhe trishtimi, një melodi e njohur labe jehoi aq fort sa dukej sikur do të çante muret e dhomës ku ishim mbledhë për ti thënë botës se Aristidh Kola rron e do të rrojë sa të ketë mbi tokë shqiptarë…

Zëri brilant i këngëtares Vasilika Saka, shoqëruar nga isoja e grupit të saj do të përcillte vargjet e poetit popullor në mërgim Kastriot Lekdushi…
Nuk mund të rrija pa i shënuar dhe përcjellë me dëshirën që këngën për Aristidh Kolën ta këndojnë grupe me iso e duete me çifteli…

LISI ME RRËNJË SHEKULLORE

-Kushtuar studiuesit arvanitas në Greqi Aristidh Kola

Lisi me rrënjë shekullore,
Aristir Kola fanari,
Gjak i Shqipes Arbërore,
Ylli, që feksi mbi male!


Refreni


Bijtë e shqipes Arbërore,
Luftëtar të Skënderbeut
Besa juaj shekullore,
Krenari e mëmëdheut !
Shpirti yt madem floriri,
Kombësia Ideal,
Shqiponja në Suferinë,
Gjuhën Shqipe mbajte gjallë!
Historia përsëritet,
Gjaku i kombit s’bëhet ujë,
Zgjate duart dhe i prite,
Mërgimtarët në furtunë!
Të nderoi Shqipëria
Me “Naim Frashërin e Artë”
Lart më lart ngrihet lavdia,
Nga vëllezërit emigrantë!
U largove shpejt nga jeta,
Po për neve mbete gjallë.
Thesar për historinë,
Penë e artë e dijetar!

U largova nga ai tubim i thjeshtë me mall e dashuri për “Lisin me rrënjë shekullore”, arvanitasin e Madh Aristidh Kola.

U largova edhe me respekt për organizatorët, Shoqatën Shqiptare “Vëllazërimi” dhe Federatën e Shoqatave Shqiptare në Greqi që megjithëse në një “Qendër kulturore njëqind metro katrore”, kryen veprimtari që nuk do t’i kryente as edhe një “Qendër kulturore njëmijë metro katrore”, “Qendër kulturore” e premtuar nga të gjithë kryeministrat dhe presidentët në “Week end”-et e tyre tash më se dy dekada në Athinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here