Krateri i zjarrtë i gazit Darvaza në shkretëtirën Karakum në Turkmenistan, njihet ndryshe si “Porta e Ferrit”, që pështyn “frymën e Djallit” prej dekadash.
Vendi është një fushë gazi natyror dhe gropa është shembur nën vete duke krijuar shpellën e frikshme të zjarrit pranë fshatit Darvanza.
Megjithse nuk ka të dhëna të sakta se kur është krijuar saktësisht, teoritë më të besueshme thonë se gropa e zjarrtë është shfaqur në 1971, kur Turkmenistani ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Teoria thotë se gjeologët kishin zbuluar një “xhep” gazi natyror teksa shponin për naftë, dhe kjo solli shembjen e tokës.
Me qëllim të ndalonin shpërndarjen e gazit helmues metan, ata i vunë zjarrin, dhe gropa nuk shuhet prej atëherë.
Krateri është shfaqur në një episod të programeve të natyrës në rrjetin National Geographic në 2013.
Eksploruesi kanadez George Kourounis ishte i pari që zbriti në fundin e gropës 30 metra të thellë, për të hetuar mbi origjinën e saj.
Ai thoshte asokohe se vendi dukej si një vullkan në mes të shkretëtirës.
“Digjet me flakë të shumta, ditë e natë. Nëse qëndron pranë saj dëgjon uturimën e flakëve, ndërsa nxehtësia e saj është e padurueshme nëse i qëndron pranë. Brenda saj ka mijëra gjuhë të vogla flake që prej anëve deri në qendër”, thotë ai.
Gjeologët vendas në Turkmenistan besojnë se krateri është formuar në vitet 1960-të dhe është ndezur më pas në vitet 1980.
Në vitin 2013, presidenti i Turkmenistanit, Gurbanguly Berdimuhamedow, e shpalli shkretëtirën me gropën e gazit rezervat natyror.
Lajmi vjen teksa një tjetër vendndodhje e ngjashme është eksploruar për herë të parë së fundmi.
Një grup i guximshëm alpinistësh zbritën për herë të parë edhe në gropën gati 100 metra të thellë në Jemen, për të cilën vendasit besonin se ishte “burg për djajtë”.
Por megjithë gojëdhënat e shpirtrave të ligë, grupi i eksploruesve nga Omani zbuloi brenda saj vetëm gjarpërinj, kafshë të ngordhura dhe perla shpelle. /tch/