Në materialin e titulluar „Barbarizmat serbe“ më 23 dimenuer (dhjetor) 1913, Sotir Koleja shkruan: ”Gjakësijat dhe ligësijat të panumërta që punoj ushtrj’ e Serbisë në rrethet’ të Dibrës, të Dibrës së poshtme dhe të Lumës në Shqipërinë e veriut, pasi u shua lëvizja e malësorëve në vjeshtën e parë 1913 dhe pasi lëçiti (publikoj) amnestijen guverna e Serbisë. Nga këto që u panë dhe u shenuan, thotë z.Koleja – mendja e njeriut mund të kuptojë mërirat dhe tmerret që as u panë dhe as u dëgjuan, as s´i mban goja për me i tregue“…

Nga: Sheradin Berisha

Krijimi i hartave të reja shtetërore në Ballkan, për popullin shqiptarë ishte i papranueshëm, dhe duke qenë kështu shqiptarët qenë të detyruar ta vazhdojnë luftën për çlirimin e Kosovës me viset tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë londineze. Pas përfundimit të luftës së parë ballkanike, drejtuesit e kryengritjes Shqiptare, filluan përgatitjet për një kryengritje të re kundër pushtuesve serbo-malazez. Kryengritja nisi në shtator 1913 në Dibër, për të vazhduar në Tetovë, Gostivarë, Ohër etj., ndërsa në gjysmën e dytë të shtatorit 1913 ajo u shtri edhe në veri, në drejtim të Kalasë së Dodës për të vazhduar me shpejtësi në Lumë, në Gorë, Opojë-Vërri, deri në Prizren, si dhe në krahinën e Hasit, të Krasniqes e të Gashit deri në Gjakovë.
Sukseset e kryengritësve shqiptarë, ndonëse e tronditën rëndë Nikolla Pashiqin dhe kabinetin e tij qeveritar, në fund të shtatorit e fillim të tetorit 1913, me ndihmën e Rusisë dhe Francës, bëri përgatitje të shpejta për shuarjen e kryengritjes, dhe me këtë rast përgjatë tërë vijës frontale të luftimeve, aktivizoi rreth 70 mijë trupa ushtarake. Një amnisti u shpall në Beograd nga qeveria në tetor 1913, por masakrat kundër popullit shqiptar vazhduan.
Ushtria serbe gjatë këtij operacioni pushtues, ushtroi një terror të pashembullt ndaj popullit shqiptar, edhe pse qeveria serbe në Beograd kishte shpallur formalisht një amnesti. Kudo që shkeli këmba e ushtarit serbë, vrau e masakraoi shqiptarë, si dhe plaçkiti, dogji – shkrumoi e shkatërroi çdo gjë që gjente para vetes.

Përmasat e masakrave serbe

• Dokumenti: Barbarizmat serbe në Dibër, në Dibër të Poshtme dhe në Lumë, të botuar në „Kalendari Kombiar“ 1914.
• Dokumenti: Barbarizmat serbe në rrethin e Lumës, publikuar nga Sotir Koleja, më 23 dhjetor 1913. Ky dokument ruhet në arkivin e Kukësit: Lexo: Faqja e parë – faqja e dytë
Në materialin e titulluar „Barbarizmat serbe“ më 23 dimenuer (dhjetor) 1913, Sotir Koleja shkruan: ”Gjakësijat dhe ligësijat të panumërta që punoj ushtrj’ e Serbisë në rrethet’ të Dibrës, të Dibrës së poshtme dhe të Lumës në Shqipërinë e veriut, pasi u shua lëvizja e malësorëve në vjeshtën e parë 1913 dhe pasi lëçiti (publikoj) amnestijen guverna e Serbisë. Nga këto që u panë dhe u shenuan, thotë z.Koleja – mendja e njeriut mund të kuptojë mërirat dhe tmerret që as u panë dhe as u dëgjuan, as s´i mban goja për me i tregue“.
Ndërkaq në raportin zyrtar të paraqitur Fuqive të Mëdha, thuhet :“ Ne jemi të parët që po paraqesim listën e plotë të vrasjeve të bëra nga armata serbe në Krahinën e Dibrës, Dibrës së Ulët dhe Lumës, që shtrihen në Shqipërinë veriore, pas amnistisë së tetorit të kaluar të akorduar nga qeveria e Beogradit, masakra të bëra pas revoltës së malësorëve shqiptarë. Ky është një dokument i rëndësisë së jashtëzakonshme dhe tashmë është dërguar te qeveria e njërës nga Fuqitë e Mëdha nga përfaqësuesi i saj i plotfuqishëm, që e ka përpiluar përsonalisht me shënime dhe emra të vendeve të vrasjeve dhe terrorit. Ja versioni i plotë i raportit zyrtar.“

Masakra në rrethin e Dibrës

Në Klos, bandat serbe kanë therur Ahmet Aliun dhe vëllain e tij, sikurse edhe Nezir Sulejmanin dhe Mehmet Salihun. I tërë fshati është grabitur.
Në Valikardhë, në pikë të ditës dhe në prani të krejt banorëve, Ymer Halili, Osman Qira, Qerim Zejneli, Ismail Alushi dhe Sul Hoxha (hoxhë mysliman) janë prerë me bajonetë dhe janë katandisur në kufoma të panjohshme. Shtëpitë u janë djegur pasi më parë u ishin plaçkitur.
Në Peladhi, janë bërë kontrollime shtëpi më shtëpi, me pretekst të kërkimit të armëve. Shumë shtëpi janë plaçkitur. Shtëpia e Hasan Patajt është djegur dhe pronari është prerë në fyt në prani të nënës së vjetër, gruas dhe fëmijëve.
Në Krajkë, shtëpia e Muharrem Dervishit është djegur pasi ishte grabitur.
Në Zerqen, krejt shtëpitë janë grabitur dhe djegur.
Në Sopot, i tërë fshati është rrënuar dhe plaçkitur. Shumë shtëpi janë djegur. Të gjitha kafshët janë vjedhur dhe këta persona janë therë në bajonetë: Ali Kamberi, shërbëtori i tij, Hamza Disha, si dhe Salih Selimi.
Në Dibër (qytet), disa orë para sulmit të malesorëve, prefekti lokal dhe komandanti ushtarak arrestuan tetëmbëdhjetë udhëheqës të qytetit, që janë ekzekutuar pa u gjykuar: Ramiz Karanfili, Sheh Husejni, Numan Hasani dhe Safet Bej. Të tjerët mbijetuan falë hyrjes në atë kohë të malesorëve në qytet dhe ushtria serbe u detyrua të ikë me ngut. Kur u kthyen në qytet, serbët e plaçkitën krejt qytetin dhe morën me vete mbi një milion lira turke të vjedhura. Shumë shtëpi u dogjën, posaçërisht ato e Ali Beut, Rakip Qatibit dhe Kurtish Agait. Me vrazhdësi të paparë, serbët po ashtu i masakruan shumë njerëz të tjerë, mes të cilëve kishte edhe të tillë që bënin punët e tyre dhe s’merrin pjesë në kryengritje. Mes të masakruarve ishin: Kurtish Aga, Behgjet Efendi, Haxhi Syreja Efendi, Reshid Efendi Kusari dhe Sadullah Shtrazimiri. Në këtë çast, qyteti i Dibrës është thjesht i shkretë, sepse banorët kanë ikur në malë. Në qytet kanë mbetur vetëm dyqind apo treqind veta të të dyja gjinive.
Në Gjoricë, një ditë pas vizitës së një oficeri të dërguar nga qeveria austriake, që ishte duke kaluar dhe verifikuar tërheqjen e ushtrisë serbe nga rajoni, serbët u rishfaqën në fshat dhe vranë një grua dhe një fëmijë pesëvjeçar. Ata, po ashtu, e plagosën një grua tjeter.
Në Homesh, vetëm tri nga 150 shtëpitë e katundit qëndrojnë në këmbë. Të gjitha janë djegur pasi që ishin plaçkitur. Pasi janë dorëzuar, serbët i kanë vrarë: Musa Ismajlin, Shemsedin Bajramin dhe Halit Sulejmanin, që ishin kthyer në fshat pas amnistisë. Herën e parë i morën 1000 krerë dele, 150 krerë gjedhe dhe 40 kuaj. Herën e dytë, ata morën 50 krerë dele, nëntë krerë gjedhe dhe nëntë kuaj.
Në Shupenzë, pas vjedhjes së shtëpive dhe marrjes së gjërave të vlefshme, serbët masakruan: Ali Myslimin dhe vëllain e tij Abdiun, Hasan Abazin dhe Dalip Elmazin.
Në Okashtinë, vetëm një shtëpi qëndron në këmbë nga 74 sa ishin. Të gjitha janë plaçkitur dhe djegur. Dy burra të quajtur Ferhat dhe Nazif janë prerë me bajonetë. Krejt kafshët janë marrë.
Në Topojan, fshat me 68 shtëpi, kishte plaçkitje dhe djegie të përgjithshme. Një burrë me emrin Abdullah Xhaferri u pre në qafë pasi nuk ishte në gjendje të paguante pesë lira turke (115 lira italiane) të kërkuara haraç nga oficeri komandues i detashmentit. Ushtarët serbë i morën me vete të gjitha kafshët.
Në Kovashicë, Malik Bajrami, Aziz Haxhi, Ahmet Ramadani, Leka, Destan Jashari, Sejfedin Elezi dhe Sulejman Ramadani janë masakruar. 150 krerë delesh, 41 gjedhe dhe 13 kuaj janë vjedhur. Burri me emrin Rashid Rexhepi është kursyer nga vrasja vetem së i ka paguar haraç prej 150 lirave turke (rreth 3450 franga) komandantit të detashmentit serb.
Në Gjuricë (katundi afër Topojanit) janë masakruar 14 burra. Dy gra po ashtu janë vrarë: Naile Seferi dhe Zemane Ibrahimi, si dhe djemtë e vegjël: 8-vjeçari me emrin Ismail Mehmedi, 10-vjeçari me emrin Bajram Elezi, 7-vjeçari me emrin Rrahman, dy dymbëdhjetëvjeçarë, njëri i quajtur Hasan Ali dhe tjetri Elias dhe e bija e Husein Cokës.
Në Golevishtë, i tërë fshati është grabitur. 74 shtëpi janë djegur dhe dy burra, njëri me emrin Halil Numani e tjetri Nuredin Mustafa janë prerë në fyt. Sa u përket kafshëve, herën e parë serbët i kanë marrë 1000 krerë dele, 30 krerë gjedhe dhe 35 kuaj, kurse herën e dytë 23 kuaj, 40 gjedhe dhe 500 krerë dele.
Në Kërçisht, dy shtëpi të vetme myslimane janë djegur. Pastaj janë vjedhur 60 krerë dele, dy dema dhe katër lopë.
Në Bllatë, serbët kanë djegur 75 shtëpi dhe kanë masakruar Rexhep Lleshin së bashku me të vëllain Abdiun dhe djalin e vogël Bajramin, si dhe gruan e Islam Kuaranas. Fshati është plaçkitur tërësisht dhe kafshët e mbetura, 90 krerë dele dhe 50 krerë gjedhe, janë marrë.
Në Zogjaj, fshati është plaçkitur të gjitha të mirat. Drutë e dimrit dhe kafshët janë marrë. Serbët i kanë shkatërruar 124 shtëpi dhe, derisa zjarri shndërronte çdo gjë në hi, ata i kanë hedhur këta njerëz për së gjalli në flakë: një grua me emrin Rihane, dy vajza me emrat Fazile e Myslime dhe një 7-vjeçar me emrin Bajram. Ata gjithashtu i prenë me bajoneta Haxhi Myslimin, Nezir Azizin, Halil Numanin dhe Zenel Hasanin. Duke u kthyer për të dytën herë në Zogjaj, serbët masakruan: Musafa Myslimin, Aziz Jusufin, Adem Shabanin dhe Edin Nurkën. Ata, po ashtu, i vodhën shtatë lopë dhe gjashtë dele, që i kishin shpëtuar plaçkitjes së parë.
Në Maqellarë, 10 shtëpi janë grabitur dhe janë djegur. Për me shumë, serbët i kanë prerë: Elmaz Selmanin dhe të birin e tij Selmanin, Malik Rexhepin dhe të birin e tij Muratin, Hasan Sulejmanin, Abdullah Qehajën, Hajredin Hasanin dhe të tre bijtë e tij Ymerin, Ramizin dhe Tevfikin, të vëllain Rakipin, babën Hasanin; Rrustem Mehmetin, Numan Shemsedinin, Ramadan Bajramin dhe Ejup Edhemin. Banorët e tjerë të fshatit u detyruan të sjellin 50 krerë gjedhe, dy lopë dhe 113 dhi, në mënyrë që të mos masakrohen.
Në Poçest, serbët e kanë vrarë Muharrem Muharremin dhe të birin e tij Behgjetin. I morën 100 krerë dele dhe nëntë copë bagëti, si dhe 150 lira turke (afër 3450 franga), që i zbuluan nëpër xhepat e katundarëve.
Në Kërçisht të Poshtëm, serbët kanë vjedhur shtëpinë e Mehmet Ejupit pasi ia pre në fytin atij në prani të familjes.
Në Çerenec, ata dogjën 23 shtëpi dhe e masakruan Hasan Abazin bashkë me gruan e tij, Ramadan Salihun dhe Rrustem Sulejmanin. Ata e kanë vjedhur krejt fshatin duke i marrë me vete të gjitha gjërat e vlefshme, furnizimet dhe kafshët. Në Bllacë, i gjithë fshati është djegur pasi ishte vjedhur. Banorët janë prerë me shpatë, krejt pa shkak, kështu që ka qenë e pamundshme përpilimi i listës së viktimave. Kur u kthyen në Bllacë, serbët e panë së i kanë lënë pa marrë 250 krerë dele, 37 1opë dhe 28 kuaj, kurse barinjtë i masakruan.
Në Spas ata i plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe i dogjën dhjetë prej tyre. I morën të gjitha kafshët që mundën t’i zinin, 150 krerë dele, katër kuaj dhe 13 krerë bagëti.
Në Klobuçishtë, pas grabitjes së të gjitha shtëpive, ua vunë pastaj zjarrin. Tridhjetë shtëpi u bënë shkrumb e hi. Po ashtu, në prani të katundarëve i vranë: Adil Bilhalin, Ahmed Abazin, Mustafa Murtezin, Xhelaledin Destanin dhe të vëllain e tij Musën, Hajredin Maksutin, Lutfi Fejzullahun, Reshid Murtezin dhe të birin tij Fetahun, Gazanfer Zejnelin dhe të tjeret. Serbët po ashtu i vodhën 150 dele dhe dhi, 11 bagëti të tjera, dhe një gomar.
Në Pulçishte (Poçest?) serbët i morën 103 krerë dele, l5 krerë gjedhe, 14 kuaj, shtatë gomare dhe 65 lira turke (afër 1500 franga). Kur u kthyen herën e dytë, ata zunë dhe morën edhe pesë dele, 10 gjedhe dhe një kali.
Në Obok, i tërë fshati është plaçkitur dhe udhëheqësit të fshatit, Ramadan Bajramit, i është prerë fyti. Kur kaluan herën e parë, serbët morën një tufë prej 120 deleve dhe, herën e dytë, ata morën 25 dele, dy dema, një kalë dhe dy gomarë.
Në Pesjakë, ata kanë djegur dhe shkatërruar të gjitha shtëpite. Prej banorëve kanë vrarë këta: Jahja Ismajlin, Malik, Mahmut, Sejfullah, Abaz dhe Vehbi Sulejmanin. Serbët, po ashtu kanë marrë me vete 14 bagëti, 50 dele dhe një gomar.
Në Erebarë i gjithë fshati është plaçkitur dhe këta përsona janë masakruar: Ibrahim Osmani, Junus Kurtishi, Xhafer Demiri dhe Destan Ishaku. Po ashtu i kanë marrë me vete tre kuaj, një gomar dhe tetë krerë dele. Ata ia kanë marrë një tufë prej 150 deleve Shukri Beut nga kullota afër fshatit.
Në Vojnik, serbët plaçkitën e dogjën të gjitha shtëpite, 51 sish dhe, derisa flakët e shkretonin fshatin, ushtarët serbë e therrnin me bajoneta kë e gjenin. Mes viktimave ishin Sinan Ibrahimi, Nazif Numani, Ali Selimi dhe Idriz Shabani. Për më tepër, një grua me emrin Shame është torturuar dhe i është prerë fyti në prani të fëmijëve të saj. Të gjitha kafshët, 100 krerë dele, tetë krerë gjedhe dhe nëntë kuaj janë marrë. Në Allajbegi, serbët e plaçkitën tërë fshatin dhe dogjën 65 shtëpi. Ata masakruan këta përsona: Ibrahim, Zejnel Dalipin, Salih Ahmetin, Ali Selimin, Hajdar Shabanin dhe vëllain e tij Hajredinin, Hajredin Muçajn, Ali Osmanin, Numan Elmazin, Sejfedin Selimin, Zejnel Saipin, Salih Sulejmanin, Fazli Abazin dhe gratë: Shame, Qamile, Alie, Nimetallah, Hibe, Zaide, Fatime dhe një vajzë pesëvjeçare. Të gjitha kafshët e kullotave përreth janë vjedhur e marrë.
Në Avalan, fshati është plaçkitur dhe katër shtëpi janë djegur. Kryeplaku i katundit Ismajl Ismajli është prerë në fyt dhe kafshët, 90 krerë dele, 6 kuaj dhe 1 gomar janë marrë.
Në Çankë, pasi fshati është vjedhur, nëntë shtëpi janë djegur. Prej banorëve të fshatit janë prerë këta: Beqir Rrustemi, Husejn Abazi, Shahin Numani dhe Zejnullahu. Ata po ashtu i morën me vete 13 kafshë.
Në Kovaçicë, i tërë fshati është plaçkitur dhe 32 shtëpi janë djegur. Të masakruar ishin: Elias Dauti, Nuredin Nurçe, Salih Osmani dhe Zejnel Troza. Serbët morën dy dema, 30 krerë dele dhe nëntë lopë.
Në Bllatë të Eperme, i tërë fshati është plaçkitur dhe 18 shtëpi janë djegur. Abdul Azizi dhe Abdurrahmani ishin të vetmet viktima të serbëve. Për më tepër, 42 krerë dele dhe dy kuaj janë marrë.
Në Bllatë të Poshtme, 25 shtëpi, pasi janë plaçkitur, janë bërë shkrumb e hi. Një burrë me emrin Ali Bllata dhe të dy bijtë kanë vdekur në flakë. Serbët po ashtu i kanë marrë 30 krerë dele, katër lopë dhe tre kuaj.
Në Lishan, pasi fshati është plaçkitur, është djegur i tëri dhe të gjitha kafshët e gjetura në stalla dhe jashtë tyre janë marrë.

Masakra në rrethin e Dibrës së Ulët

Në Rabdisht, fshati është plaçkitur dhe është shkatërruar krejtesisht. 38 shtëpi dhe afër 30 stalla janë djegur. 65 burra janë masakruar, si zakonisht, me bajonetë. Për më tepër, në mesin e tyre ishte edhe një djalosh 6-vjeçar, i biri i udhëheqësit lokal, që ishte hedhur për së gjalli në flakë. Serbët, po ashtu, morën me vete 400 krerë dele, 150 dhi, 60 lopë dhe 22 kuaj. Hallakatja e xhepave të banorëve që ishin kursyer nga vdekja rezultoi me 20 lira turke (afër 450 franga), të cilat serbët i konfiskuan.
Në Zimur, serbët plaçkitën dhe dogjën shtatë shtëpi. Ata i prenë me bajoneta: Ahmet Shabanin, Mulajm Elmazin, Sulejman Zeqirin, Veisel Rizajn dhe Salih Shabanin. Kafshët u morën dhe ishin 245 krerë dele dhe 12 dema.
Në Staravec, i tërë fshati u plaçkit dhe 42 shtëpi u bënë shkrumb. Viktimat ishin: Husejn Muça, Reshid Rrahmani dhe një grua e quajtur Zobejda. Serbët zunë dhe morën 300 dele e dhi, 30 krerë bagëti të tjera dhe katër kuaj.
Në Bahutaj, serbët e detyruan Ramadan Mehmetin dhe shoqeruesit e tij të rrinë në terezi dhe pastaj ua prenë fytet. Ata i morën 10 kuaj.
Në Tomin, fshati është plaçkitur dhe dy shtëpi, teqeja dhe xhamia janë djegur. Mazllum Jusufi dhe një çunë dhjetëvjeçar janë prerë. Të gjitha kafshët e gjetura janë marrë.
Në Dohoshisht, pas grabitjes së fshatit, 55 shtëpi janë djegur. Mes viktimave që janë masakruar tmerrshëm, njeriu mund të njihte trupat e Malik Bajramit, Ramadan Ahmetit, Ymer Sadikut, Zejnullah Hasanit, Halil Junuzit, Musa Bajramit dhe Shaban Halilit. Serbët morën me vete edhe 400 krerë dele dhe 200 kuaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here