6.1 C
Pristina
Monday, October 18, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Lufta e Vraninës dhe akti heroik i Oso Kukës

Lufta e Vraninës dhe akti heroik i Oso Kukës

Oso Kuka quhet Osman Bejtullah agë Kuka dhe ka lindur në Shkodër, rreth vitit 1820, në një familjeje kalorësish me origjinë të hershme nga Kukësi. Shtëpia e kukajve bëhet e njohur me Ibrahim Kukën, gjyshin e Osos, i cili më 1802 pajiset me një timar për shërbimet ushtarake, të ardhurat e të cilit i nxirrte në natyrë nga fshatarët e katundeve Mes, Egërç, Lopç të Rranxave të Mbishkodrës. Në bazë të dekreteve sulltanore, Ibrahimi emërohet qehaja i kalasë, gradë që krahasohej me ndihmës-komandant ose intendent. Bejtullah agë Kuka ishte ndër oborrtarët e Vezirit, Mustafa Pashës. Të dhënat popullore tregojnë se vezirët bushatllinj, kukejt i kanë mbajtur për bajraktarë të vet. Jusuf agë Kuka i dytë, vëllai i Osos, ishte në njësinë administrative të Vilajetit të Shkodrës më 1897. Figuron se ka qenë komandant kompanie i maleve Reç e Lohe. Me vdekjen e Ibrahimit, timari i lartpërmendur më 1815 kaloi në emër të birit, Jusuf agë Kukës, i cili gëzoi edhe gradën qehaja për rezervistët që shërbenin në kala. Oso, rininë e tij për 27 vjet e kaloi rrugëve të kurbetit, në Anadoll, në Tarabulluz, në Halep e mandej edhe nëpër Rumeli. Së fundi përshkoi Dibrën dhe disa vise të tjera shqiptare. Më 1859 mori gradën kapiten dhe u caktua me detyrë komandant i rojeve kufitare në kohën e valiut Abdi pashë Çekrezi. Kjo detyrë iu ngarkua me propozimin e Hodo Sokolit, në atë kohë komandant xhandarmërie, duke u caktuar kapiten i rojeve në kufirin osmano-malazez, në ishullin e Vraninës, në veri të liqenit të Shkodrës.

Nga: Ndue Bacaj

Ishulli i Vraninës ka ekzistuar të paktën që 2500 vjet më parë. Këtë e dëshmojnë mbetjet arkeologjike të zbuluara shumë më parë, por edhe gojëdhënat e trashëguara deri sot të cilat na dëshmojnë se në ishullin e Vraninës kishte dy tempuj. Tempulli i parë është ai i Teutës (mbretëreshës ilire) dhe tempulli i dytë quhej “Rrasa e Yllit të Bardhë”. Tempujt ndodheshin në dy kreshta të Vraninës, dhe çdo pranverë banorët vendas dhe të zonave përreth liqenit (Shkodrës) ngjiteshin atje dhe thernin bagëti duke i bërë kurbane (ferliqe), e duke festuar kështu ardhjen e pranverës. Këto rite u përkisnin riteve pagane që u trashëguan edhe deri vonë pas lindjes së doktrinës kristiane, që vraninasit, si gjithë ilirët e tjerë, e përqafuan pa mëdyshje.

Emri Vraninë, deri së “voni” (shek. XIII-XIV) nuk ekzistonte. Ishulli kishte emrin “Syni i Liqenit”, ku thuhet se ka ekzistuar një qytezë mjaft e zhvilluar që mendohet se ishte pjesë e Hotit të hershëm. Në këtë qytezë ka gojëdhëna se kanë banuar përkohësisht edhe prindërit e Perandorit romak me origjinë ilire, Dioklecianit. Emri Vraninë mendohet se ka zëvendësuar emrin “Syni i Liqenit” kur hordhitë aziatike sulmuan e shkatërruan këtë “qytezë” 2000 vjeçare. Përveç dëmeve të ndërtimeve e qytetërimin, në këtë qytezë u vranë aq shumë banorë (që mbronin këtë truall shqiptarie) sa filloi të quhej “Syni i Gjakut”.

Vrasjet e tmerret vazhduan edhe pas pushtimit osman, por mbi të gjitha u bë qendër ku osmanët grumbullonin e vrisnin të gjithë kundërshtarët e perandorisë, qofshin këta shqiptarë e ballkanas tjerë. Ky vend tashmë filloj të njihej me emrin e vendit ku vriteshin njerëz, madje për shkurt thuhej Vra-njerëz, derisa mori trajtat e emrit të bashkuar Vranierz, që dalëngadalë shkruesit osmanë, që në përgjithësi paguanin si të tillë rrogtarë sllavë (shkje), e transformuan në emri e njohur Vraninë, duke i dhënë kështu trajtat e një fjale sllave që më vonë fqinjët malazezë e përdorën si argument për t’i mbushur mendjen Evropës se ky ishull strategjik u përket atyre, që gjoja turqit ndër shekuj e kishin “shqiptarizuar”.

Ishulli i Vraninës ishte një vend i mrekullueshëm për banorët në të gjitha stinët, ku verimi kishte vlera të mrekullueshme klimaterike. Gjithashtu, ishte një vend i përshtatshëm peshkimi dhe pikë kontrolli e “garnizoneve” ushtarake të liqenit dhe zonave përreth. Natyrisht edhe pushtuesi otoman e shfrytëzoi këtë ishull si “pikë” ushtarake me rëndësi, duke bërë edhe ndërtimet përkatëse…

Shekulli XIX me zhvillimet e tij futi shqiptarët më shumë se asnjëherë në mes dy zjarresh: Perandorisë pushtuese Otomane dhe rizgjimit të lakmive grabitqare të fqinjëve sllavë. Perandoria aziatike në shekullin XIX të në fakt ishte futur për vete në mes shumë zjarresh, si luftërat çlirimtare të popujve që kërkonin lirinë dhe fuqive evropiane që ishin rrezik i përhershëm për shembjen e saj. Në këto kushte, osmanët filluan të lëshojnë mjaft nga kërkesat e Evropës. Rusia, si një ndër fuqitë e mëdha, mbështeste fuqishëm vëllezërit e vet, sllavët e Ballkanit dhe fqinjët e shqiptarëve, për të zgjeruar territoret e tyre nga pjesët e majme të Turqisë evropiane, që në fakt ishin troje të Shqipërisë etnike. Në këto kushte, malazezët fqinjë kërkuan të përfitojnë sa të mundnin troje nga trevat e Shqipërisë Veriore e Veriperëndimore. Pikërisht, për të realizuar këto synime grabitqare, në qershor të vitit 1862 malazezët ia kishin vënë syrin ishullit strategjik e të mrekullueshëm të Vraninës. Përgatitjet ushtarake dhe ndihmat nga Rusia për Kral Nikollën ishin realizuar dhe nga çasti në çast pritej sulmi mbi Vraninë, por për këtë duhej të gjendej “shkaku”, që natyrisht u sajua pa u vonuar.

Shkaku ishte banal dhe thuhej se gratë e shkjeve që banonin në një fshat jo shumë larg Vraninës, kur shkonin në gjini të tyre në një fshat tjetër, ushtarët (rojet) kufitare të Vraninës i plaçkisnin dhe i dhunonin, ku për ta paraqitur me nota sa më realiste, po citoj pak rreshta nga libri “Shkodra dhe Motet” të H. Bushatit, vëll. I, fq. 512, ku ndër të tjera lexojmë:

“… Vendasit e Lesendrës (Leshandrës, N.B.) me ata të Liubotinës kishin krushqi në mes tyre, kur shkonin në gjini, në kthim përcilleshin me perpeqe për në shtëpitë e veta. Në këso rastesh disa ushtarë të Oso Kukës ua merrnin perpeqet grave që po ktheheshin në shtëpitë e veta. Këtë vepër të shqiptarëve burrat e këtyre familjeve e konsideronin çështje nderi … Për malazezët ishte një pretekst çështje e perpeqeve të rrëmbyera prej shqiptarëve; qëllimi kryesor i tyre ishte pushtimi i Vraninës, sepse ishulli i Vraninës ishte i ndarë pothuajse krejt prej Shkodre…”.

Në fakt sipas dokumenteve të kohës mendojmë se Oso Kuka në atë kohë ishte komandant i rojeve kufitare dhe për ankesën e liubotinasve kishte marrë masat e nevojshme të mos përsëriten kurrë më, ndonëse ky mund të kishte qenë edhe ndonjë “improvizim” i vetë malazezëve. Sidoqoftë malazezët fillojnë plaçkitjet dhe reprezaljet mbi popullsinë e Vraninës. Rojet kufitare dhe vendasit e kishin të pamundur të përballojnë cubat dhe ushtarët malazezë. Avdi Pasha (sundimtari i Shkodrës që thuhet se ishte nip i derës së karagjorgjëve të Beogradit) nuk kishte ndërmend të dërgonte ushtarë të Perandorisë në mbrojtje të Vraninës, por thërret në Shkodër Oso Kukën dhe i thotë se tash që ti je këtu, malazezët me në krye Vulo Serdarin, në Vraninë po vrasin, po presin e bëjnë kërdinë, ndërsa nuk paska asnjë shqiptar që shkon për t’i dalë zot këtij vendi. Këtë “situatë” dramatike në mes komandantit trim shqiptar Oso Kukës dhe Avdi Pashës (sundimtarit të Shkodrës) po e paraqes me vargjet e mrekullueshme të At Gjergj Fishtës tek “Lahuta e Malcisë”, vargje që nuk kanë nevojë për asnjë koment:

“Zot, ç’ka thanë njaj Avdi Pasha:
paska mbetë Shqipnia n’vasha,
qyshë se s’leka mbrendë nji djalë,
n’atë Vraninë mue sot me m’dalë,
n’atë Vraninë, n’atë t’zezë terthore,
ku mben shkret sa armë mizore,
ku mben djerrë sa tokë gratçore,
ku mben vathnat pa bagëti,
veç prej cubave të Malit t’Zi,
që po vrasin djelmtë e ri,
që po marrin lopët me viça,
që po presin dhentë me ogiça,
që po djegin kulla e stane,
e po thajnë kaq zemra nane!

Oso Kuka paska ndi:
paska ndi, po, e kenka idhnue;
… Por i urti kurr nuk ngutet
prej burrnisë e jo prej tutet,
… Avdi Pashë, tha ma kadalë
mos e thuaj dy herë atë fjalë,
se për Dinë e për Imanë,
t’baj që t’kjajnë e zeza nanë …
… Avdi Pasha kenka çue
Osos dorën ka shterngue,
aferim, bre ti Oso Kuka
se ty t’thotë fjala dhe duka,
që ke le një sokol mali
zgjidh ku t’jetë pika e djalit…”

Dhe vërtet Oso Kuka zgjodhi djem trima e pikë sokolash, nga Shkodra, Mirdita, Dukagjini e veçanërisht nga Malësia e Madhe. Çeta që krijoi ai thuhej se ishte me 40 vetë që vetëm me i pa dukeshin duhi mali që nuk kishte djalë shkine me u dalë përpara. Ja si i përshkruan At Gjergj Fishta tek “Lahuta e Malcisë”, këta trima që po niseshin në drejtim të Vraninës që me siguri i priste lufta e vdekja e jo dasma:

“… Oso Kuka n’jelek arit,
pash e m’pash po i bjen pazarit,
ngjitë pas tij vjen shpata e dekës,
Soko Tona i Gurit t’Lekës …
… Mbrapa i shkon qa’i i biri i t’mirit
Taro Pëllumbi i Jugumirit.
Mandej vinë dy re mizore,
dy djelmoça prej Zagore:
Kaçel Doda e Kerni Gila,
Rritun mocë si karajfila…
… Po a thua e njeh njatë kimezi,
që e ka ballin si sini,
që e ka synin si duhi
që i ka shpatullat si ari?
Ai asht Çoku i Mar’Kol Dinit
prej Kabashit t’Dukagjinit…
… danë ma në shej njaj Jup Qehaja,
Galo Keqi e Sinanaja,
Vuksan Gjeli e Met Zeneli,
e ndër t’gjith porsi hyllë drite,
Preng Markola prej Mirdite…”

E, kështu me radhë të gjithë trimat që u nisën për Vraninë ishin më të zgjedhurit e të zgjedhurve nga trevat veriore të Shqipërisë, të cilët justifikuan para atdheut detyrën e shenjtë në mbrojtje të çdo pëllëmbe truall të Shqipërisë etnike, e konkretisht të Vraninës historike. Në këtë luftë të shenjtë morën pjesë edhe qindra trima të tjerë malësorë e më gjerë, ku vlen të theksohet trimëria e malësorëve të Hotit e Grudës që në muajin maj (1862) kishin arritur të prisnin 30 koka shkjesh e t’i binin në Shkodër, si shenjë trimërie e qëndrese në mbrojtje të trojeve shqiptare që shkjau po i lakmonte, por edhe po i “paguante” mjaft shtrenjtë.

Gjithsesi Mali i Zi ishte tashmë shtet që Turqia i kishte njohur pavarësinë dhe vëllezërit serbë e veçanërisht ata rusë po i gjindeshin pranë në synimet grabitqare. Mali i Zi kishte një ushtri të organizuar në numër të konsiderueshëm dhe një teknikë luftarake mjaft moderne për kohën, ndërsa shqiptarët një organizim gati “spontan” që osmanët më shumë i pengonte se i ndihmonte. I vetmi “element” që organizonte shqiptarët ishte atdhedashuria, amaneti i të parëve për liri e mvehtësi, kushtrimi i trojeve tona që ishin të tejngopura me gjak shqiptarësh ndër shekuj..

Megjithë qëndresën e pashoqe të shqiptarëve, Vranina po binte në duart e malazezëve. Në këto momente tragjike, trimi Oso Kuka, së bashku me rreth 30 burra kishin kaluar në mbrojtje duke hyrë në kullën e barotit. Kulla u rrethua me rreth tre mijë ushtarë e oficerë malazezë; thuhet se kësaj ushtrie i printe vetë (Princi) Kral Nikolla. Lufta u ndez në mes qëndrestarëve të rrethuar shqiptarë dhe malazezëve, të cilët u bënin thirrje të dorëzoheshin luftëtarëve me në krye Oso Kukën, por trimat luftonin si luaj malesh, në çdo frëngji e cep të kullës. Oso Kuka, megjithëse u plagos, qëndronte dhe u jepte kurajo shokëve që tashmë i priste vdekja e sigurtë. Populli për këto momente tragjike “ruan” në kujtesën e tij vargjet brilante popullore që ia atribuon se i këndon me lahutë njëri nga luftëtarët e kullës, ndonëse ishte i plagosur:

… Një grusht trima në Vraninë
Osmanllisë nuk duan t’ia dinë,
Luftojnë me Knjaz e me Mbret,
Me nderë e besë për truall të vet…

Në këto momente municioni po u mbaronte, luftimi trup më trup ishte i pamundur, atëherë Osoja me shokë vendosi të hedhë në erë kullën e barotit, ku do të hidhte në erë jo vetëm veten me shokë, por qindra malazezë. Kështu malazezëve do t’u jepte një mësim të mirë se tokat shqiptare nuk lëshohen pa e paguar me gjak, ndërsa trimat shqiptarë nuk dorëzoheshin kurrë të gjallë, por do të vdisnin kur ta lanin veten dhjetra herë.

Pasi Osoja “lejoi” që kulla të kishte rreth saj dhe tek dera sa më shumë malazezë, barotit ia vuri flakën. Kulla shpërtheu duke marrë me vete rreth 200 ushtarë e oficerë malazezë që së bashku me vetë shqiptarët trima u bënë copa-copa duke u shpërndarë në truall të Vraninës dhe në ujërat e liqenit. Shtëllunga e tymit dhe e flakës u pa deri në sarajet e Cetinës dhe Shkodrës, ndërsa shpërthimi u dëgjua edhe më larg deri tek pallatet e kralnive të Evropës plakë, duke u treguar se trojet shqiptare kanë zot, që nuk i lëshon deri sa mbi to të kenë këmbë shqiptari. Oso Kuka dhe shokë e tij të dekës, me ketë akt vetëflijues u treguan shkjeve të Malit Zi se trojet shqiptare nuk kanë mbetur as nuk do të mbesin kurrë pa djalë në votër që u del për zot, ndaj At Gjergj vargëzon fjalët kushtrim të trimit Oso Kuka që u drejtohet nga “qielli” atdhetar shkinave të Malit Zi :

“Eni, eni more shkina,
Eni, eni te Vranina,
Mblidhni vetë nepër shpat e përrue
Ehu ! kortarët e djelmve tue;
Edhe mësoni fëmijët mbas sotit
Mos t’lakmojnë tokës të Kastriotit,
Pse u bjenë shtrejtë, qe besa e Zotit!
Njasi gjaku që Oso Kuka
Sot ka derdhur ke ato suka,
Si per mbret, si per dhe t’parëve
Vëlon se vëlon ndër dej t’shqiptarëve.”

Me Oso Kukën vdiq Salë Behri, nipi i tij, që shkruhet se ishte fare i ri, 15-16 vjeç. Pastaj Musa Golemi, Met Begoja, Ibrahim Kopliku, Pjetër Berisha, Jusuf Bushati, Met Mala, Sadik Lapi, Myrto Zylfoja, Ferid Hoti, Sali Sakica, Sinan Kerni, Gjergj Cemi (Grudjani), Avdi Hisa, Taro Pëllumbi, Mahmut Zyberi, Met Zeneli, Vuksan Gjeli, Gjeto Gruda, Mal Spahia, Galo Keqi, Çok Mark Kola (Dini), Preng Markola, Sokol Tona dhe dy “retë mizore” prej Zagore (Malësisë së Madhe), Kaçel Doda dhe Kerni Gila, ku malësorët edhe sot jo vetëm krenohen për këta dy heronj, por me kreni tregojnë edhe trojet ku kanë lindur … Këta emra dëshmorësh të paharruar i siguruam nga disa materiale historike të librit “Shkodra dhe Motet”, v. I, të H. Bushatit, “Oso Kuka” të S. Krasniqit (roman historik), “Lahuta e Malcisë” të At Gj. Fishtës, Fletë të regjistrave të famullisë së Shkrelit (Bzhetë), si dhe gojëdhënat që qarkullojnë edhe sot në Malësi e në Mal të Zi.

Për luftën e Vraninës dhe aktin trimëror të Oso kukes me trimat e “tij” ka shkruar edhe studiuesi dhe albanologu Franc Nopça. Është interesant se ai luftën e Vraninës e ”vendosë” në muajin shtator, e jo në muajin qershor që u zhvillua në fakt kjo luftë. Gjithashtu ai shkruan se mbrojtesit e Vranines ishin 28 trima me në krye Oso Kuken (fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e Drejta Zakonore e tyre). Interesant është fakti se regjistrat e famullisë së Shkrelit që u shkatërruan në çmendurinë e komunistëve në vitet 1967-1968, shënonin emrat e dy zogorianëve si të vrarë në Luftën e Vraninës (qershor 1862), por që tashmë mjerisht këto materiale historike nuk ekzistojnë.

Lufta e Vraninës vërtetoi edhe njëherë (si qindra herë) se shqiptarët ndonëse ishin me “besime” të ndryshme fetare, kishin vetëm një besim për t’i dalë zot atdheut, qoftë edhe me sakrificën më sublime, së bashku si shqiptarë që i bashkon shqiptaria. Duke e mbyllur këtë shkrim përkujtimor të Luftës së Vraninës, nuk po mundem të gjej fjalë më lapidarë se sa vargjet e Poetit Kombëtar, At Gj. Fishta (“Lahuta e Malcisë”), ku për këta heronj të Vraninës “këndon”:

“… Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
butë u kjoftë moti e stina,
aklli, bora e serotina
e deri t’këndojnë n’mal ndo’i Zanë,
e deri t’ketë n’dete ujë e ranë,
der’sa t’shndrisin diell e hanë,
ata kurrë mos u harrojshin,
n’kangë e n’valle por u këndojshin.
E njaj gjak që kanë dikue,
bane Zot që t’jesë tue vlue
per m’i nxe zemren shqiptarit,
për kah vendi e gjuha e t’parit…”

Referencat:
1.Hamdi Bushati, “Shkodra dhe Motet” Vll.I., Shkodër 1998, fq.509-514.
2.Sulejman Krasniqi, ”Oso Kuka” roman historik, Tiranë 1990…
3.Gjergj Fishta, Lahuta e Malsisë (botim tretë), Romë 1991, fq.17-62 .
4.Franc Nopça, Fiset e Malësisë Veriore dhe e Drejta Zakonore e tyre, Tiranë 2013, fq.78-79.
5.Fletë të regjistrave të famullisë së Shkrelit (Bzhetë) të viteve 1860-1870.
6.Gojdhëna popullore të mbledhura nga autori.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Këngë për lisin me rrënjë shekullore, Aristidh Kolën e shqiptarisë

Nga: Abdurahim Ashiku Meditime me një pikë loti rrudhave të jetës Në 15-vjetorin e IKJES Të...

Krapi Koi, nga tryeza deri te simboli i statusit: Përse ky peshk vlen deri në dy milionë dollarë

Koi në Japoni është simbol i dashurisë dhe i miqësisë Vitin e kaluar Krapi koi është shpallur peshk kombëtar...

Ndërtimet më ekstreme në planet (Video)

Nga ndërtimi i një hekurudhe në nxehtësinë e vrastare të shkretëtirës deri në rinovimin e një stacioni kërkimor në një nga vendet...

Wilhelm Röntgen, gjerman që zbulou rrezet-x, fizikanti që tejpërçoi brenda nesh shikimin

Ai ishte një prej atyre mendjeve krijuese, pasioni dhe përkushtimi i të cilit i dhuroi botës një dimenison të ri njohës, e...

Recent Comments