Inçizimi pamor nga viti 1904, i cili paraqitet këtu është ndoshta filmi i parë me shqiptarë.
Ky inçizim është pjesë e një filmi dokumentar më të gjatë të xhiruar nga politikani britanik Arnold Muir Wilson (1857-1909) nga Shefild [Sheffield] në Jorkshër [Yorkshire] dhe nga regjisori i kinematografisë së hershme britanike, Frank Mottershaw (1850-1932), gjithashtu nga Shefild.
Wilson, anëtar i bashkisë së Shefildit dhe i Partisë Konservatore, ishte gjithashtu konsull nderi i Serbisë në Shefild dhe merrej me marrëdhëniet tregtare midis të dy vendeve.
Në vitin 1904 udhëtoi për në Beograd dhe, në bashkëpunim me Mottershaw, xhiroi një film dokumentar për kurorëzimin e mbretit serb Pjetër I Karagjorgjeviq, më 21 shtator të atij viti.
Filmi i tyre pa zë, në 35 mm dhe 54:19 minuta ose 1,480 metrash i gjatë, u shfaq për herë të parë në Londër në dhjetor 1904 dhe në Serbi në prill 1905, me titra në anglishte dhe serbishte.
U restaurua ne Bolonjë gjatë viteve 1999-2004 dhe ruhet tani në Arkivin e Filmit Jugosllav (Kinoteka) në Beograd.
Thuhet se është filmi më i vjetër i xhiruar në Serbi dhe në rajonet fqinje.
Pjesa “shqiptare” e filmit, e cila fillon në minutën 42:10 dhe zgjat jo më shumë se 1:16 minuta, tregon shqiptarë dhe njerëz të tjerë në oborrin e një hani dhe në një rrugë tregu aty afër në qytetin mysliman të Novi Pazarit, tani në jugun e Serbisë.
Në vitin 1904, Novi Pazar (shqip edhe Pazari i ri apo Tregu i ri, turqisht Yeni Pazar) ishte kryeqyteti i Sanxhakut të Novi Pazarit, madje nga viti 1881 deri 1912 rajoni ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës, pra e bashkuar me Kosovën.
Mbase kështu shpjegohet prania e kaq shumë shqiptarëve – të cilët dallohen nga plisi i bardhë dhe veshjet karakteristike – në një rajon të banuar sot nga një shumicë dërrmuese sllavësh myslimanë (boshnjakë), dhe shumë pak shqiptarë.
Lidhur me këtë prezantim, desha të falënderoja Bardh Rugovën, profesor i shqipes në Universitetin e Prishtinës, për hulumtimet e paraqitura në artikullin e tij: Shqiptarët e fotografive lëvizëse të vitit 1904, botuar në librin Studime për nder të Rexhep Ismajlit me rastin e 65-vjeorit të lindjes (Prishtinë 2011), ff. 631 633.