Ashtu si të gjitha gjendjet shëndetësore që përfshijnë dhimbjet, edhe dhimbjet e kokës janë të vështira për t’u kategorizuar. Një dhimbje koke që dikush mund ta quajë të ‘tmerrshme’, për dikë tjetër mund të jetë e lehtë.
Megjithatë, ju duhet të kërkoni vëmendje mjekësore nëse dhimbja e kokës nuk është si herët e tjera. Kështu, nëse nuk keni pasur më parë dhimbje koke dhe tani keni gjatë gjithë kohës, duhet të konsultoheni me një mjek për këtë.
Këto janë disa nga shenjat paralajmëruese të dhimbjeve të kokës, të cilat kërkojnë vëmendje mjekësore:
Dhembje therëse në kokë që shkaktohen krejt papritur, ‘si rrufe’
Nëse krejt papritur filloni të ndieni dhimbje therëse në kokë, sikur dikush ju ka gjuajtur me çekiç në kokë, është diçka serioze.
Mund të jetë ndonjë hemorragji cerebrale e shkaktuar nga aneurizmi. Është një dhembje koke e rrezikshme, prandaj duhet të kërkoni menjëherë vëmendje mjekësore.
Dhimbja e kokës që ndryshon
Mendojeni dhembjen si të ishte një këngë. Nëse ndryshon vetëm volumi, nuk është diçka për t’u shqetësuar. Por, nëse ndryshon muzika, pra lloji i dhimbjes (është më intensive dhe ndryshe nga herët e tjera), në këtë rast duhet të kërkoni vëmendje mjekësore.
Një dhimbje e tmerrshme e kokës e shoqëruar me temperaturë është shqetësuese.
“Mund të tregojë për një infeksion të trurit, diçka si meningjiti”, thonë ekspertët.
Mund të jetë gjithashtu shenjë paralajmëruese e encefalitit, ose inflamacionit të trurit. Sidomos, nëse dhimbja e tmerrshme e kokës dhe temperatura shoqërohen me një gjendje të alternuar mendore – nuk kujtoni as emrat e fëmijëve – kjo është një arsye e mirë përse duhet të kërkoni vëmendje mjekësore.