E ndershmja gazetë “Drita”, sikundër edhe gazetat shqipe, e kanë treguar kthjellët programin e Komitetit e të komitave shqiptarë, andaj gjithë veprat tona të motit që shkoi ishin pas urdhërit të komitetit, në të përhapurit e ndjenjave kombëtare mbi gjithë anët të Shqipërisë, të cilat për gëzim të mëmëdhetarëve, e për nakar të armiqve, kanë përparuar shumë dhe rrënjosur në çdo zemër shqiptari. Sa për gjakun e Spiro Kosturit , pa fjalë që e kërkojmë dhe do ta marrëm siç duhet nga të vërtetët shkaktarë e jo siç pandehin edhe thonë grekët nga dhespotlerët që ndodhen në Shqipëri.

Dhespotlerët e gjithë krerët e çdo feje nderohen prej shqiptarëve dhe kurdoherë do t’i nderojmë dhe do t’i mbrojmë, po vetëm u lutemi të mos nakatosen në çështjet kombiare e të bëjnë propagandë për Greqinë, Turqinë e për të tjerat. Për vrasjen e Fotit, është i ditur shkaku, andaj mos pandehin grekët që programi i Komitetit është për të vrarë dhespotlerë, se ashtu më 24 orë këmbë nuk mbetet. Dy-tri herë i patëm në dorë dhespotin e Korçës e atë të Konicës, po as ndër mend nuk na shkoi një punë e tillë.

Despotit të Konicës nuk është e vërtetë që ju bë pusi, këto janë gënjeshtra të pakripura të grekëve e vetëm kur të vërtetohej një lajm që na dhanë për vrasjen e Riza beut, mund ta dridhte bishtin si Foti, po si u siguruam që s’ka gisht, asnjë frikë të mos ketë nga komitat shqiptarë.

Sa për vrasje të pafajme, siç bëjnë rufjanët grekë mbi gra e fëmijë, është jashtë programit tënë, se asisoj mund të vrasim në çdo ditë nga 100 grekë, që ndodhen në Shqipëri, po këta i numërojmë vëllezër pa ndonjë ndryshim, se edhe këta as emrin s’duan t’i dëgjojnë Greqisë e s’mund të ndahen prej nesh. Shpresojmë që këtë verë të dëgjohen dhe nga këta të bashkëpunojnë nën flamur të komitetit shqiptar edhe atëhere do të mos mundin të thonë grekët asgjë.

Grekët e dinë fort mirë që në Shqipëri nuk ka përveç shqiptarë, sa për fetë e kuptuan që shqiptari i nderon të gjitha, po më shumë Shqipërinë edhe bashkë: muhamedane, ortodoksë e katolikë përpiqen për qëllimin e shenjtëruar. Kjo duket që i mahnit grekët kur shohin që komitat janë prej gjithë feve.

Sa për të fëlliqurit turkomanë e grekomanë këta numërohen me gisht dhe vetëm interesat e poshtra i mbajnë larg qëllimit. Po sa para u bën lëkura këtyre gomarëve të zgjebosur? Për këta tradhëtarë e këpucëgrisur nuk ka tjetër përveç shpagim të tradhëtisë. Motin që shkoi nuk u përpoqëm dot me andartët , me gjithë të ndjekurat që bëmë në ato vende ku kishin shëtitur përpara.

Vetëm 4 komita nga Devolli u përpoqën me 35 andartë nga të cilët u vranë dy. Këtë mot, shpresojmë të mos dëgjohet as emër andarti grek në Shqipëri. Moti 1908 do të jetë i lumtur për Shqipërinë, andaj besojmë se është e teprt t’u kujtojmë detyrën që kanë mëmëdhetarët për të mbushur, se dita për dita ushtëria shtohet dhe duhet ndihmuar Komitëti për qëllimin e shenjtëruar.

Edhe me qenë fjala për detyrë, duhet përmendur shqiptarëve të brendshëm që nuk bëjnë përveç detyrën duke pritur komitat nëpër shtëpit dhe jo të pandehin që e bëjnë këtë miqësisht. Po për fat të keq ndodhet, edhe gjer më sot, nga ndonjë shqiptar i çnderuar i cili, duke pritur komitat në shtëpi, shpreson t’i shpien ndonjë gjë të vjedhur. Shkoi ajo kohë dhe është turp i madh të ushqejnë të këtilla qëllime, andaj i këshillojmë të heqën dorë se komiteti kusarët do t’i ndjekë gjithë si tradhtorët.

Sot është koha t’i tregojmë gjithë botës së qytetëruar që shqiptarët janë ata më të mirët njerz dhe i meritojnë të drejtat që kërkojnë, andaj lini mënjanë gjakrat, meritë e kusarllëqet dhe rrethohuni flamurit të nderuar për shpëtim të mëmëdheut. Ju lutemi pritni nderë që ju ruajmë. Shërbëtori i Kombit. Kryekomit Çerçiz Topulli ”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here